Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e mbajtur në Kuvend e krahasoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me figurën letrare të Don Kishotit, duke thënë se qeverisja e tij po zhvillohet në një “realitet paralel”.
Abdixhiku ka thënë se i është drejtuar Kuvendit me një metaforë të thjeshtë, por shumë domethënëse, duke përdorur personazhin e Miguel de Cervantesit si simbolikë të qeverisjes aktuale.
“Fatkeqësisht, shteti ynë ka kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh vetëm një njeri – Albin Kurti. Sikurse Don Kishoti i Cervantesit, edhe Albin Kurti zgjohet çdo ditë në një botë që e ka krijuar vetë dhe aty sheh vetëm kundërshtar dhe në atë botë Albin Kurti i Vetëvendosjes sheh dhe krijon vetëm kundërshtar, kundërshtar që duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë, ju gjeneral Hadërgjonaj, ti Ramush, ti Fatmir, ju gra dhe burra që keni luftuar. Kundërshtar që duan ta bllokojnë Kosovën, vendin tonë, vendin ku për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijtë tanë këtu Albin, pasurinë më të madhe që e kemi. Pra, ne duam ta bllokojmë vendin e fëmijëve tanë”, ka thënë Abdixhiku me ironi.
Ai akuzoi Kurtin se po ndërton armiq imagjinarë për t’i mbuluar dështimet në ekonomi, në politikën e jashtme dhe në skandalet e korrupsionit.
“Kundërshtarët e tij janë gjithkah, në Parlament, në Prokurori, në gjykata, në media. Në vend se të merret me realitetin e vendit – me ekonominë e rënduar, me izolimin, me skandalet korruptive – ai zgjedh të luftojë ‘mullinjtë e erës’. Asnjë problem real i qytetarëve nuk është prioritet i tij”, deklaroi Abdixhiku.
Lideri i LDK-së ka thënë se qasja e Kurtit është e shkëputur nga interesat e vendit dhe se, sipas tij, ai funksionon politikisht vetëm përmes tensioneve dhe përplasjeve.
“Në ekzistencën tënde politike, Albin Kurti nuk di dhe nuk do të jetojë pa kontrast politik. Pa të, s’bën asgjë, s’ec asgjë, je asgjë”, theksoi Abdixhiku.
Ai u bëri thirrje deputetëve që t’i japin fund “qeverisjes së fantazisë”, duke thënë se Kosova nuk mund të mbahet peng i “udhëtimeve imagjinare” të një njeriu.
“Koha e Don Kishotëve e Sanço Pançëve duhet të mbarojë në Kosovë. Le t’i japim fund një propagande populiste dhe le t’i kthejmë dritën Republikës”, përfundoi ai.