Arbëri

Abdixhiku: Kosovës i duhet një “SPAK”, le ta ‘provojnë fatin’ aty

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se në Kosovë është e domosdoshme krijimi i një strukture të ngjashme me SPAK-un në Shqipëri, për të luftuar korrupsionin e lidhur me pushtetin dhe familjarët e politikanëve.

“Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët — por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavatëve. Fat familjarëve. Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook të premten mbrëma.

Ai kritikoi mënyrën se si pushteti aktual, sipas tij, ka favorizuar rrethin e ngushtë familjar në shpërndarjen e burimeve publike.

Pushteti aktual që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje është akuzuar se ka dhënë subvencione e grante me të njohur. Së fundmi, ka pasur akuza edhe për “mafinë energjetike” që lidhet me persona të afërt me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Në një konferencë për media sot, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tek e ka kundërshtuar vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë nga 1 qershori, kanë thënë se “njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi” e që tash udhëhiqet nga vëllai i tij.

E Luan Dalipi në një reagim ka thënë se vëllai i tij “po e provon fatin” në tregun e liberalizuar të energjisë - me të cilën ka ironizuar Abdixhiku. 

Më herët, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ironizoi me idenë e LDK-së për krijimin e një SPAK-u në Kosovë.

“Pas termocentralit me gaz, LDK tani po na "befason" edhe me idenë e ndërtimit të SPAK-ut. Pikërisht ata që me çdo mjet kanë tentuar ta bllokojnë themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nga frika se mos u konfiskohet pasuria, tani po flasin për ndërtimin e një SPAK-u. Në fakt, ky me siguri don një SPAK që nuk guxon t’i prekë hajnat e LDK-së. A po i tregon dikush Lumirit që Byroja për Konfiskimin e Pasurisë po bëhet. Vonim ka, pshtim ska. Kush është pasuruar jashtëligjshëm ja paftë hajrin!”, ka shkruar Pacolli, megjithëse LDK-ja e ka përkrahur themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë kur u miratua për herë të parë. 

Byroja për Konfiskimin e Pasurisë u kthye mbrapsht nga Kushtetuesja në qershor të vitit 2024. Teksa është përmirësuar në disa nene, projektligji tani duhet të dërgohet për miratim në Kuvend – i cili ende s’është konstituar as pas 23 përpjekjeve.

Çka është SPAK-u?

SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) u themelua në Shqipëri në vitin 2019 si pjesë e reformës në drejtësi, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo strukturë ka për qëllim hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë publikë dhe grupeve të organizuara kriminale. Në pak vite funksionimi, SPAK ka hetuar dhjetëra zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë ish-kryeminitra, ministra, deputetë dhe drejtues të institucioneve shtetërore.