Duke u zotuar për më shumë “aktivizëm”, kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij është e hapur për diskutime për postin e presidentit.
“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike s’kemi fjalën për pazare. Por që duhet të ulen që të bëhen numrat për një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Prandaj jam i gatshëm të flas me të gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes së presidentit që duhet të jetë konsensual, dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për media pasi delegatët e partisë ia refuzuan dorëheqjen.
Ka thënë se po ashtu LDK-ja ka gatishmëri që të diskutojë me këdo për çështje të stabilitetit politik.
Në një konferencë për media, Abdixhiku ka thënë po ashtu se LDK-ja do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se posti i nënkryetarit serb të Kuvendit i takon të propozohet nga shumica e këtij komuniteti.
“LDK-ja nuk heziton t’i implementojë në plotni vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ka implementuar kur ka qenë në pyetje pozicioni i saj politik i kryeministrave, kryetarëve të Kuvendit e presidentit e lëre më të pozicioneve të parëndësishme si nënkryetari i pestë i Kuvendit. Do ta respektojmë vendimin e Gjykatës. Pa asnjë hezitim. S’duhet të ketë dilema që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë opsional për ne. Atëherë s’ka më shtet e demokraci”, ka shtuar ai.