Arbëri

Abazi: VV-ja ende s’e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale

Arjeta Abazi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arjeta Abazi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për bllokimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit, duke thënë se kjo parti po e trajton pushtetin si pronë personale dhe po e dëmton funksionimin e institucioneve.

Në një deklarim në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të për konstituim, Abazi ka thënë se institucioni më i lartë ligjvënës në vend është kthyer në një teatër të stërzgjatur, ku skena politike dominohet nga interesat partiake dhe jo nga nevoja për zgjidhje.

“Seanca pas seance dhe ende s’po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në teatër të stërzgjatur, ku aktorët kryesorë janë më shumë të interesuar për skenën sesa për skenarin”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se situata aktuale nuk është pasojë e ndonjë emergjence reale, por rrjedhojë e një sjelljeje të papërgjegjshme nga ana e VV-së, e cila sipas saj, nuk po kupton se pushteti duhet të jetë në funksion të qytetarëve, jo i një grupi të caktuar.

“Një parti për 20 vjet që luftoi për të ardhur në pushtet, e sot, në vend se ta përdorë për të ndërtuar, po e shkatërron për shkak të kokëfortësisë dhe arrogancës”, u shpreh Abazi.

Deputetja e LDK-së përmbylli fjalën e saj duke theksuar nevojën për institucione funksionale dhe një qeveri që jep llogari, duke nënvizuar se qytetarët meritojnë më shumë se krizë të përhershme politike.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosovës - 7 korrik

Edhe tentimi i 49-të për Kuvendin… shkon kot