Arbëri

98 për qind e fëmijëve që s’dëgjojnë, s’dinë shkrim-lexim pas shkollës së mesme

cerdhe

Një raport ende i papublikuar i Këshillit të Evropës, e që u është përcjellë shoqatave për persona me aftësi të kufizuara, thekson se mbi 98 për qind e fëmijëve me kufizime në dëgjim nuk dinë shkrim-lexim, edhe pas përfundimit të shkollimit të mesëm. Vlerësim i ulët në arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar ishte bërë edhe në raportin e fundit të Progresit, të Komisionit Evropian

Mbi 98 për qind e fëmijëve me kufizime në dëgjim nuk dinë shkrim-lexim edhe pasi e përfundojnë shkollimin e mesëm, është një nga të dhënat e evidentuara në një raport të papublikuar të Këshillit të Evropës.

Ky raport, me të dhëna nga viti 2023, javë më parë iu prezantua pjesërisht shoqatave për persona me aftësi të kufizuara.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Forumit Kosovar për Aftësi të Kufizuara, Bujar Kadriu, thotë se raporti, në të cilin pati qasje, përmban të dhëna alarmuese që kërkojnë ndërmarrjen e hapave konkretë e urgjentë nga institucionet.

“Ende ka probleme thelbësore, probleme serioze sa i përket edukimit të të shurdhërve. Me vetë faktin se raporti i Këshillit të Evropës gjeti të gjetura shqetësuese, konsideroj që këtu është problemi serioz dhe Ministria e Arsimit, shkollat për të shurdhër, qendra burimore ‘Nënë Tereza’ në Prizren, duhet të marrin hapa konkretë qoftë me rekrutim të stafit të ri, qoftë me përgatitjen profesionale të stafit, qoftë me trajnime profesionale të cilat lidhen me këtë çështje, në mënyrë që fëmijët e shurdhër të mos mbesin analfabetë”, ka thënë Kadriu.

Cilësia e ulët në arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara është theksuar edhe në raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Sipas këtij raporti, 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara nuk ndjekin shkollimin.

“Kosova duhet të rrisë aksesin e nxënësve me aftësi të kufizuara në arsim. Është vlerësuar se 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara nuk ndjekin shkollën. Problemet kryesore përfshijnë mungesën e përcaktimeve të përshtatshme të formave të ndryshme të aftësisë së kufizuar, akses pa pengesa në shkolla...”, thuhet në raport

Në Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuara theksojnë se për përmirësimin e situatës nuk mjafton vetëm rritja e numri të asistentëve.

“Nevojitet një hap konkret i MASHTI-t, përveç që të shtojë numrin e asistentëve në shkolla, të ngritë infrastrukturën në shkolla. Të ketë, domethënë mësues udhëtues, të ketë infrastrukturë nëpër shkolla, qoftë qasje fizike apo qasje të tjera të cilat janë me rëndësi për mësimnxënie, po në veçanti, kur bëhet fjalë te komuniteti i të shurdhërve, mendoj që Ministria e Arsimit si organ kompetentë për këtë çështje duhet të dal me rezultate konkrete, me plane konkrete mbi raportin”, ka thënë Bujar Kadriu, nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar.

Në Ministrinë e Arsimit patën bërë zotim që brenda mandatit të parë të punësojnë 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara porse deri më tani të angazhuar janë rreth 200.