Agjencia për Menaxhim Emergjent ka njoftuar se gjatë të enjtes janë raportuar 97 vatra zjarri, ndërsa prej tyre 26 vazhdojnë të mbesin aktive. Gjatë pasdites ka pasur rritje të numrit të vatrave të zjarrit.
Situata më e rënduar raportohet se është në Klinë, Vushtrri, Podujevë e Mamushë.
AME-ja ka thënë se situata mbetet nën kontroll, por mjaft sfiduese.
“AME/MPB njofton se, sipas të dhënave të pranuara sot, në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 97 vatra zjarri. Nga këto, 26 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 71 janë lokalizuar falë intervenimit të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Gjatë pasdites është vërejtur një rritje e lartë e numrit të zjarreve. Situata më e rënduar është paraqitur në komunat Klinë, Vushtrri, Podujevë dhe Mamushë. Kjo rritje e vatrave të zjarrit ka krijuar vështirësi të mëdha për ekipet reaguese në terren. Situata aktualisht është nën kontroll, por mbetet mjaft sfiduese”, ka njoftuar AME.
Për sfidat me zjarre ka njoftuar edhe kryetari i Klinës, Zenun Elezaj.
"Disa fshatra të Komunës së Klinës po përballen me zjarre që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Bashkë me drejtorin e DSHPE-së, Qendrim Millakun, aktualisht ndodhemi në terren dhe jemi në koordinim të plotë me ekipet e zjarrfikësve, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të lokalizuar dhe vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Një falënderim shkon për ekipet e zjarrfikësve të Klinës dhe atyre nga Peja, Rahoveci dhe Gjakova, të cilët kanë ardhur menjëherë në ndihmë dhe po japin kontribut të çmuar në këtë situatë emergjente. Lusim qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe mos digjni hamulloret apo mbeturinat, pasi rreziku për përhapjen e zjarreve është shumë i madh dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda për pronën dhe jetën e qytetarëve. Komuna e Klinës do të vazhdojë të jetë e angazhuar me të gjitha kapacitetet për të menaxhuar situatën dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë", ka shkruar Elezaj në Facebook.
