Arbëri

78 raste të deklarimit të pasurisë dërgohen në Prokurori

Yll Buleshkaj

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se gjatë verifikimit të deklarimeve të pasurisë janë identifikuar të paktën 78 raste me dallime substanciale, të cilat janë dërguar në Prokurori për procedim penal.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai theksoi se zyrtarët e përfshirë janë ballafaquar me gjetjet dhe kanë pasur mundësinë të justifikojnë pasurinë e tyre me dokumente zyrtare. Në shumë raste, mungesa e arsyetimit të besueshëm ka çuar në kallëzime penale.

Përveç këtyre rasteve, janë shqiptuar mbi 100 gjoba për vonesë në deklarim dhe priten edhe mbi 20 kallëzime të tjera penale ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor.

“Jemi në proces të verifikimit të deklarimeve për vitin e kaluar, të cilat janë përfunduar këtë vit, përderisa e kemi përfunduar verifikimin e deklarimit të pasurisë që janë bërë në vitin 2024 për vitin 2023. Si rezultat i këtij procesi kemi dërguar në prokurori mbi 78 raste të kallëzimeve penale për të cilat besojmë që mund të ngrihen kallëzime penale, sepse kemi evidentuar dallimin substancial të deklarimit të pasurisë nga ajo në të cilën kemi pranuar që i posedojmë informacionet publike. Secili nga këta zyrtarë është kontaktuar në proces dhe janë ballafaquar me ato që kemi gjetur. Secili nga ta ka pasur mundësinë që të ofrojë dokumentacionet të cilat e kishin arsyetuar atë dallim. Dokumentet duhet të jenë dokumente zyrtare”, tha Buleshkaj.

Ai shtoi se rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë janë deleguar në Prokurorinë Speciale.

Sipas tij, dënimet e merituara nga gjyqësori janë mënyra më e mirë për të parandaluar korrupsionin dhe për të rritur vetëdijen në shërbimin publik.

Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se për vonesa në deklarimin e pasurisë janë shqiptuar mbi 100 gjoba.