Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka shqiptuar 66 gjoba për bizneset në Ferizaj, për mosrespektim të masave anti-COVID, për një muaj.
Selami Salihu, drejtor i AUV-it për Ferizaj, ka thënë se pos 66 operatorëve ekonomikë janë gjobitur edhe gjashtë punonjës të tyre për mosmbajtje të maskës.
Sipas tij, gjatë fushatës zgjedhore janë ndëshkuar edhe disa biznese të cilat nuk i kanë respektuar masat duke organizuar tubime, por edhe subjektet politike për shkelje.
“Gjatë fushatës zgjedhore në territorin e Komunës së Ferizajt kemi lëshuar dy gjoba për subjekte politike me nga 500 euro për shkelje të masave kundër pandemisë. Gjithashtu kemi lëshuar edhe gjoba për dy operatorë ekonomikë në të cilët janë zhvilluar fushatat politike. Këto biznese për organizime të tubimeve të fushatës kanë shkelur vendimin e Qeverisë dhe janë ndëshkuar me nga 200 euro”, ka shtuar Salihu.
Ndërkaq, Agon Zhinipotoku, kryetar i shoqatës së gastronomisë në Ferizaj ka thënë se gjobat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kundër bizneseve janë të paarsyeshme derisa gjatë sezonit veror por edhe gjatë fushatës zgjedhore një numër i vogël i gjobave janë shqiptuar për salla të dasmave dhe salla ku janë organizuar tubimet me simpatizantë politikë.
“Fokusi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës po vazhdon të jetë në kafene të qytetit me qëllim që t’i ndëshkojnë ato për mosmbajtje të distancës ndërmjet tavolinave, e që kjo është e paarsyeshme sepse në anën tjetër kanë munguar gjobat për organizime të dasmave me numër shumë të madh të qytetarëve dhe kanë munguar gjobat për organizime të tubimeve zgjedhore me numër të madh të simpatizantëve. Për bizneset e gastronomisë është shqetësuese të shqiptohen kaq shumë gjoba brenda një muaji derisa të gjithë e dinë se sa jemi dëmtuar nga periudha e pandemisë”, ka thënë Zhinipotoku.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet t’i lehtësojë masat për biznese të gastronomisë derisa një ditë më parë ishte vetëm një rast i ri i infeksionit me Covid19.
“Ne kërkojmë që të kemi mundësi dhe lehtësira më të mëdha për të punuar e funksionuar, kërkojmë lehtësim të masave në maksimum dhe t’i kthehemi gradualisht normalitetit sepse bizneset e gastronomisë janë dëmtuar më së shumti nga pandemia”, ka thënë Zhinipotoku.