Arbëri

6 milionë euro për pajisjet që nuk mbërritën tek të paralizuarit

Personat me paralizë ende nuk kanë marrë asnjë nga 4 mijë e 250 pajisjet që për ta i ka kontraktuar ShSKUK-ja. Produktet që përfshijnë karroca speciale për fëmijë, karroca elektrike, karroca tualeti, lloje të ndryshme të patericave, tavolina ushqimi, ashensorë elektrikë për pacientë, shtretër elektrikë, jastëkë e dyshekë antidekubitues, nuk u shpërndanë, ndonëse janë bërë gati një vit prej kur është lidhur kontrata në vlerë 6 milionë euro

Violeta Klisurica, që nga viti 2015 mbështetet në një kornizë për ecje, e cila i shërben për të lëvizur.

Pas gati një dekade, më nuk është mjaftueshëm funksionale pajisja që iu dhurua falas nga shoqata “Handikos” në Mitrovicë.

Ajo thotë se nuk ka mundësi financiare që ta blejë një të re.

“Është shumë e rëndë, por çka t’i bëj, duhet... Kisha pasë nevojë me e ndërru edhe me provu ndonjë karrocë tjetër, ndonjë mjet tjetër që me e marrë, ndoshta është diçka më e avancuar, është diçka më e lehtë”, ka thënë Klisurica.

Mekanizmi në të cilin ajo mbështetet, në terminologjinë e institucioneve njihet si shëtitore. Deri tash, të tillat janë siguruar kryesisht nga donatorët, meqë nuk janë buxhetuar mjete për t’i dalë në ndihmë personave që u duhet ndihma për të lëvizur.

Por, kjo pajisje është në mesin e 4 mijë e 250 produkteve që Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) do të duhej t’i ofronte falas për personat paraplegjikë e tetraplegjikë.

Edhe një muaj bëhet një vit prej kur ky institucion ka lidhur kontratë në vlerë mbi 6 milionë euro për blerjen e tyre.

Në shoqatën “Handikos” konfirmuan se furnizimi ende nuk ka nisur, por refuzuan të ofrojnë më shumë detaje rreth zbatimit të kontratës dyvjeçare.

E drejtoresha e degës së kësaj shoqate në Mitrovicë, Myrvete Hasani, theksoi se në mungesë të zbatimit të kontratës, personat me aftësi të kufizuara i kanë të varura shpresat nga donatorët potencialë.

“Për mjete ortopedike, sanitare ne vetë organizohemi edhe kush të mundet me na ndihmu, donatorët e ndryshëm, edhe mërgimtarët, ata organizohen shpesh edhe na dërgojnë mjete ortopedike, mirëpo ne nuk po mundemi me e mbulu krejt qytetin. Kemi shumë njerëz që kanë nevojë për krevat antidekubitar, dyshekë antidekubitarë, karrocë elektrike, karroca të thjeshta, shëtitore, paterica, krejt këto janë mjete që kanë nevojë”, ka thënë Hasani.

Kontrata që nuk ka nisur të zbatohet dhe së cilës i kanë mbetur edhe një vit kohë për realizim të tërësishëm, parasheh furnizimin e personave me aftësi të kufizuara, me produkte të ndryshme përfshirë karroca speciale për fëmijë, karroca elektrike, karroca tualeti, lloje të ndryshme të patericave, tavolina ushqimi, ashensorë elektrikë për pacientë, shtretër elektrikë, jastëkë e dyshekë antidekubitues.

Në mars të vitit të kaluar shoqata “Handikos” i kërkoi ShSKUK-së përshpejtim të procedurave për furnizim me këto pajisje ndihmëse, për shkak të nevojave të mëdha.

“Kërkesa nga ‘Handikos’ për ta përshpejtuar procedurën për furnizim me pajisje ndihmëse të përcaktuara sipas UA nr.11  2022, ku është kërkuar nga AK-SHSKUK që sa më shpejt të jetë e mundur të procesohet me tenderim për shkak të nevojave të mëdha për pajisjet e tenderuara”, thuhet në një nga shkresat e “Handikosit” që ndodhet në dosjen e tenderit.

KOHA ka pyetur në SHSKUK se pse nuk është realizuar furnizimi, por prej një jave nuk janë ofruar përgjigje.

Përgjigje nuk dhanë as në kompaninë “Madekos” e cila së bashku me “Medica” Sh.P.K fitoi tenderin 6 milionësh.

E në degën e “Handikosit” në Mitrovicë treguan se nuk arrijnë t’i mbulojnë të gjitha kërkesat e anëtarëve.

“Ne kemi edhe anëtarë të cilët nuk munden me lëvizë pa ato, edhe Handikos më është shterë, mundem me thanë që edhe spitalet edhe këto qendrat familjare, krejt qytetarët i dërgojnë në Handikos, thua ti që Handikos prodhon karroca”, ka thënë Myrvete Hasani.

E, Violeta Klisurica e cila lëviz me shëtitoren 10 vjet të moçme, apelon te institucionet që të ofrojnë më shumë mbështetje.

“E kisha lutur Qeverinë, të na ndihmojë për shumë gjëra të tjera, se si ‘Handikos’, si institucion që jena, kemi shumë nevojë për përkrahje”, ka apeluar ajo, e mbështetur në mekanizmin metalik që ia lehtëson të lëvizë rrugëve të Mitrovicës.

Në fund të 2023-tës ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për caktimin e listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmëse që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë që shërbejnë për lëvizje, parandalim dhe asistim. Institucion zbatues i këtij Udhëzimi administrativ është ShSKUK-ja, e që sipas këtij udhëzimi obligohet të zhvillojë edhe procedurat për aplikuesit.

Por, ndihmën që e garanton dokumenti, nuk e kanë ndier ende personat me paralizë, e të cilëve u duhen pajisje qoftë për t’ua mundësuar lëvizjen, qoftë për t’i ruajtur nga dëmtimet trupore shkaku i qëndrimit të gjatë në shtrat.