Arbëri

548 mijë euro peshon fatura e armatës politike në Ministrinë e Bujqësisë

Foto: Koha

Më shumë se gjysmë milioni euro të buxhetit të Kosovës kanë shkuar gjatë dy vjetëve për shpenzime të të emëruarve politikë në Ministrinë e Bujqësisë. Vetëm te ish-ministri Nenad Rikalo shteti i ka çuar 71 mijë euro brenda 18 muajve.

Ndonëse mandati ishte jetëshkurtër dhe tek këtë muaj ka mbërritur gjysmën e tij, në këtë dikaster qeveritar kanë defiluar dy ministra, shtatë zëvendësministra dhe 43 këshilltarë politikë, asistente e shoferë, të emëruar me dekret dhe pa konkurs, shkruan sot Koha Ditore.

Totali i shpenzimeve të gjithëmbarshme të tyre është 548.166.67 euro, diku 400 mijë euro prej të cilave kanë shkuar në paga, e 14 mijë të tjera në mëditje. Fatura e drekave dhe darkave e ka tejkaluar 40 mijë-euroshin, dhe gati në këtë shumë janë bërë edhe shpenzime në derivate veturash. Krahas shpenzimeve për aviobileta e për akomodim gjatë vizitave jashtë, Ministria ka kategorizuar edhe “shpenzime të tjera” gjatë vizitave, në shumë prej 5.557.67 eurosh, e për të cilat nuk ka dhënë shpjegime se në çka janë harxhuar.

Të dhënat janë evidencuar në pasqyrën e shpenzimeve të të gjithë anëtarëve që kanë përbërë stafin politik të Ministrisë së Bujqësisë, që ky institucion ia ka siguruar “Kohës Ditore”, pas një kërkese për qasje në dokumente publike. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)