Qendra për Punë Sociale në Komunën e Shtimes po përballet me një varg ankesash nga familjet skamnore, të cilave Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ua ka ndaluar asistencën sociale.
Sipas zyrtarëve komunalë, për nëntë muaj 53 familje janë larguar gradualisht nga skema, ndërkohë atyre nuk u është përmirësuar gjendja ekonomike e shëndetësore.
Vetëm në këtë muaj, Komisioni për shëndetësi në këtë ministri ka larguar 16 familje me arsyetim se atyre u është përmirësuar gjendja shëndetësore.
“Ne jemi për çdo ditë me staf në terren dhe gjendja e tyre ekonomike nuk është e mirë, andaj është relativisht e rëndë, por megjithatë kjo pjesa e kategorisë bie në nivelin e komisionit mjekësor të cilët bëjnë konstatime për këta individ se a janë të aftë apo të pa aftë me qëllim që ta realizojnë të drejtën e socialit. Në këtë rast komisioni ka konstatuar se këto familje janë të afta për punë dhe nuk i meritojnë kriteret të cilat i parasheh ligji i skemës sociale”, tha Burim Fazliu, u.d. i drejtorit i QPS-sënë Shtime.
Disa nga familjet që u është ndërprerë ndihma kanë thënë se në këtë kohë krize ata nuk e kanë pritur se do t’u ndalet sociali.
“Bash në këtë kohë që jemi në krizën më të mardhe më kanë ndalë socialin. Kjo është katastrofë. Dokumentet i kam të gjitha në rregull, por mua më kanë thënë të shkoj në gjykatë. Pse ta ndjekim këtë punë në gjykatë kur ata vendosin vet ata”, tha një banore e Shtimes të cilës i është ndalë ndihma sociale.
Opozita në Shtime ka thënë se në këtë kohë krize është e papranueshme ndalja e socialit për familjet skamnore.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.