Rreth 4.5 milionë euro është totali i taksave nga të cilat janë liruar serbët për më shumë se 1 mijë automjete të riregjistruara. Por nga lehtësirat nuk do të përfitojnë pronarët e automjeteve që janë pajisur me targa ilegale pas prillit të vitit të shkuar
4 mijë e 400 euro është mesatarja e taksës doganore, përfshirë dhe akcizën, për më shumë se 20 mijë veturat e importuara gjatë dhjetë muajve të këtij viti.
Marrë parasysh këtë mesatare, shtetit deri më tash i ka kushtuar 4.4 milionë euro përjashtimi nga taksat për më shumë se 1 mijë automjete me targa ilegale serbe, me akronimet e qyteteve të Kosovës “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, të cilat qytetarët serbë në veri i kanë konvertuar në ato RKS.
Krahas kësaj, serbët kanë konfirmuar se në mesin e lehtësirave financiare është përfshirë edhe përjashtimi nga taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, nga tarifa për targa dhe tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit. E këto lehtësira e arrijnë shifrën prej mbi 100 mijë euro për 1 mijë vetura të riregjistruara.
“Njësoj sikurse ka qenë te ne, edhe tash këtu njësoj. Nuk kemi paguar asgjë. Tash do të shohim, sapo kemi ardhur”, ka thënë një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, i cili ka dërguar veturën për kontroll teknik para aplikimit për riregjistrim.
Afati për regjistrimin me targa RKS është deri më 1 dhjetor 2023.
Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, ka thënë se qytetarët janë informuar për lehtësirat që janë paraparë për ta.
“Ne kemi njoftuar të gjithë qytetarët e veriut të vendit që lehtësirat janë shumë të mira, se nuk ka nevojë të bëhet dogana për targat KM, ndërsa paguhet një taksë ekologjike, sa e di unë”, ka theksuar Elshani.
Por ai ka shtuar se jo të gjitha automjetet me targa ilegale do të pajisen me ato RKS.
“Për shembull veturat, të cilat janë të regjistruara pas prillit, pas datës së caktuar në prill të vitit 2022, nëse një veturë ka qenë BG e Beogradit dhe është transferuar në KM apo është regjistruar në KM pas prillit të vitit 2022, ajo nuk lejohet që të konvertohet”, ka thënë ai.
Që nga 1 nëntori, Elshani ka bërë të ditur se në targa RKS janë konvertuar 1 mijë e 140 vetura.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut ka treguar po ashtu se janë rreth 200 automjete, të cilat janë pajisur me targa ilegale pas prillit e të cilat nuk do të përfitojnë nga lehtësirat financiare të deklaruara nga Qeveria.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) nëpërmjet një komunikate ka vlerësuar se lehtësirat financiare që parashihen vetëm për qytetarët e veriut përbëjnë diskriminim të qytetarëve kosovarë në baza etnike.
“Kjo dukuri e shëmtuar dhe diskriminimi në baza etnike dhe politike nuk ndodhin në asnjë vend normal të botës dhe është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut... KMDLNj-ja thërret Qeverinë e Kosovës të ndërpresë me diskriminimin flagrant të të drejtave të njeriut në baza etnike dhe politike, që është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, shkruhet në komunikatën e KMDLNJ-së.
Por, kjo nuk është lehtësira e vetme. Që nga paslufta, Qeveria ka mbuluar koston 17 milionë euro për faturat e energjisë për banorët e kësaj pjese.