Ambasada dhe konsullata të vendosura në lagje të njohura nëpër botë, ka hapur Kosova prej shpalljes së pavarësisë më 2008. Mbështetur në listën që ka siguruar “KOHA”, mbi 270 mijë euro është shuma mujore që paguan Ministria për objektet e misioneve diplomatike. Ka edhe të atilla të cilat janë vendosura në objekte të papërshtatshme për një mision diplomatik, për të cilat paguhen shuma të majme
Prishtinë, 24 gusht - Mbi 270 mijë euro është shuma që paguan Ministria e Punëve të Jashtme për qiratë mujore në misionet diplomatike dhe konsullore. Në mesin e 51 misioneve sa janë hapur deri më tani ka edhe objekte që janë të papërshtatshme për një mision diplomatik, e për të cilat paguhen shuma të mëdha.
Mbështetur në listën që ka siguruar “KOHA” mbi bazën e qasjes në dokumente zyrtare, rekordin e mban Konsullata e Kosovës në New York, për të cilën Ministria paguan 20 mijë e 412 euro për një muaj.
Kurse, objekti i ambasadës në Washington i kushton buxhetit mbi 13 mijë në muaj.
Pas ShBA-ve, qiratë më të shtrenjta janë në Gjermani, ku përveç Ambasadës, Kosova ka hapur edhe pesë Konsullata të Përgjithshme. Për ambasadën në kryeqytetin gjerman paguhen në muaj 13 mijë e 82 euro. Qiraja më e shtrenjtë është për Konsullatën në Dyseldorf – 13 mijë e 310 euro.
Konsullata e Kosovës në Frankfurt prej vitit të kaluar është vendosur pranë objektit të njëjtë cili ofron shërbime hoteliere. Përveç zyrave, në katin e 14-të, para Konsullatës nuk është i vendosur asnjë simbol i shtetit të Kosovës, megjithëse këtë e kërkojnë ligjet në fuqi.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime se si ka ardhur deri te vendimi që Konsullata të vendoset në një objekt të tillë.
E qiraja mujore për zyrat e kësaj konsullate është mbi 10 mijë euro.
Po aq i kushton Ministrisë edhe qiraja mujore për objektin e konsullatës në Hamburg, e cila ndodhet në njërën prej rrugëve më të shtrenjta të këtij qyteti. Në ndërtesën e njëjtë është edhe Konsullata e Senegalit dhe ajo e Bjellorusisë.
Izraeli është shteti i fundit me të cilin Kosova vendosi marrëdhënie diplomatike, me kushtin që Ambasada të vendoset në Jerusalem. Qiraja mujore për këtë objekt është 11 mijë e 600 euro.
Mbështetur në listën e qirave mujore, më i liri del të jetë objekti ku është e vendosur ambasada e Kosovës në Ankara, për të cilën paguan 935 euro.
Ka ambasada që janë vendosur në objekte të falura dhe të përbashkëta me Shqipërinë. Objekti i Ambasadës në Tiranë është i falur nga Shqipëria. Në të njëjtën hapësirë është e vendosur edhe Konsullata e Kosovës në Tiranë.
Zyre të përbashkëta me Misionin e Shqipërisë janë në Kambera, Milano, Munih e Kopenhagë.
Totali i shumës vjetore për qiratë e misioneve diplomatike është 3 milionë e 241 mijë euro.
Ekziston një rregullore për procedurat e blerjes dhe marrjes me qira të objektit për Misione Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.
Sipas rregulloreve të MPJ-së, kontratat për marrje me qira të objektit për banim nënshkruhen nga Shefi i misionit diplomatik ose konsullor dhe nga përfaqësuesi diplomatik ose konsullor (shfrytëzuesi).
“3. Komisioni profesional për blerjen e objekteve për mision diplomatik ose konsullor është kompetent për identifikimin e objekteve të përshtatshme për Ambasada, zhvillimin e negociatave dhe përzgjedhjen finale të objektit”, thotë rregullorja.
Prej të gjitha misioneve, Kosova ka një pronë në Belgjikë ku është e vendosur Ambasada e për të cilën nuk paguan qira mujore.