Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

27 vjet nga masakra e Kralanit në Gjakovë

Masakra e Kralanit

Sot janë bërë 27 vjet nga vrasja e 86 personave në masakrën e Kralanit në Gjakovë.

Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët - gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët ishin mbajtur në një livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.

Forcat serbe i vranë ata, teksa rrugës drejt deportimit për në Shqipëri i ekzekutuan edhe dy të tjerë.

Mbetjet mortore të 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac, në Bajina Bashta të Serbisë.

Në shkurt të këtij vitit janë rivarrosur mbetjet mortore të tre të zhdukurve nga masakra e Kralanit, të cilët u identifikuan përmes ADN-së.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur njoftoi njoftuar se mbetjet mortore të Bali Pajazit Gashit, Fadil Shaban Elezajt dhe Masar Ymer Dushit, ishin zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin.

Vitin e kaluar u patën varrosuar edhe tetë viktima të masakrës së Kralanit që u zhdukën me dhunë nga 4 prilli i 1999-tës. 

Nga kjo masakër vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe një numër i madh i viktimave.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. 

FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.

Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.

Kufomat e mijëra civilëve të vrarë gjatë luftës janë marrë nga forcat serbe me qëllim të fshehjes së krimeve dhe janë dërguar në vende të panjohura.

Shumë prej tyre janë gjetur në varreza masive në Serbi. E edhe mbi 1 mijë e 500 të tjerë rezultojnë të zhdukur.