Trafiku Urban dhe transportuesit privatë kanë rifilluar punën pas nëntë ditësh grevë.
Komuna e Prishtinës ka nisur t’i shlyejë borxhet ndaj “Trafikut Urban” dhe transportuesve privatë, pas alokimit të pjesshëm të buxhetit nga Ministria e Financave. Ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka thënë se janë alokuar 2.7 milionë euro, e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur pritjen të krijohet qasje edhe në mjete të tjera
“Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milionë eurosh nga bartja e vitit 2024, nga Ministria e Financave drejt kryeqytetit. Drejtoria e Financave e kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave”, ka njoftuar Rama të martën.
Në Ministrinë e Financave kanë thënë se janë alokuar 2.7 milionë euro në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të shlyejë borxhet ndaj operatorëve të transportit publik.
“Tashmë janë alokuar mjetet në kategorinë mallra dhe shërbime në vlerë prej 2.7 milionë eurosh, e nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetjake. Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”, ka shkruar Murati në një postim në Facebook.
Shkaku i borxheve të pashlyera nga Komuna, “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë kanë ndërprerë shërbimet nga java e shkuar e edhe kanë protestuar. Zgjidhje është gjetur vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve, pas të cilit vendim nisi alokimin e Ministria e Financave.
Gjatë ditëve të kaluara, Komuna dhe qeveria në detyrë kanë akuzuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.
Një akuzë të tillë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë edhe të martën paradite, ndaj të cilës është përgjigjur menjëherë ministri në detyrë, Hekuran Murati.
Fotografi nga Driton Paçarada:








