Arbëri

22-vjet nga masakra e Sllovisë, ende kërkohet drejtësi

Mëngjesin e 15 prillit banorët e fshatit Sllovi të Lipjanit gjithmonë e nisin me homazhe për t’i përkujtuar 45 familjarët e tyre, të cilët u vranë e u masakruan 22-vjet më parë nga forcat serbe.

Feriz Gerbeshi, i mbijetuari i masakrës, ka thënë se serbët ia kishin djegur nënën dhe ia kishin masakruar katër anëtarë të tjerë të familjes.

Kërkon nga institucionet shtetërore se duhet të angazhohen më shumë sepse deri më tash nuk kanë bërë asgjë lidhur me këtë masakër.

“Gjithçka çka kanë pa përpara kanë djegë, kanë vra, kanë nxjerrë njerëz nga veturat, nga traktorët, nga rimorkiot, i kanë ekzekutuar, kanë bërë lloj-lloj gjëra, veç ata kanë ditur të bëjnë ashtu. Kanë ndarë vajza nga prindërit, kanë ndarë fëmijë nga prindërit, kanë ekzekutuar, i kanë masakruar e të gjitha i kanë bërë”, ka deklaruar Gërbeshi.

Gërbeshi ka thënë se pas kësaj masakre ende nuk janë gjetur një pjesë e të vrarëve.

“Çka është fatkeqësia më e madhe pas 30 ditësh kanë ardhur të njëjtit kriminelë me pajisje i kanë zhvarrosë, i kanë hipur në kamion dhe për neve ajo ishte vrasja e dytë, nuk e dinim se çka ka ndodhur”, është shprehur ai.

Edhe Bujar Pacolli rrëfen se në këtë masakër ka humbur babanë, ndërkohë pas tmerrit që kishte parë i kishte vdekur edhe nëna.

“Ka pasur njerëz pa gjysmë koke e fytyre të masakruar. Gjenocidi më i madh që ka ndodhur me popullin shqiptar”, ka thënë Pacolli.

Në 22-vjetorin e Betejës së Zhegocit homazhe janë bërë edhe te varrezat e dëshmorëve dhe te lapidari në Zhegoc.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se Beteja e Zhegocit radhitet si njëra nga betejat më të lavdishme të kësaj zone.

Në betejën e Zhegocit u vranë tetë ushtarë të UÇK-së, si dhe 18 civilë.