Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por akti i shpalljes së Pavarësisë nuk i dha fund dialogut që kohë pas kohe rrëshqiti edhe në diskutime për ndryshim kufijsh. Negociatat me Serbinë, të ndërmjetësuara herë nga Bashkimi Evropian e herë nga Shtetet e Bashkuara, kanë përbërë çështjen kryesore të politikës së jashtme, në përpjekjen për t’i dhënë fund sfidimit që Serbia ia bën shtetësisë së Kosovës.

E lëshimet në emër të këtij kompromisi kanë qenë të mëdha, të cilat kulmuan me ujdinë që Serbia e konsideron vegël për ushtrimin e kontrollit mbi një pjesë të territorit.

Megjithëse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, të cilat ishin pjesë e diskursit gjatë vitit 2018-2019, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka dhënë një zotim me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lëshuar topin në anën e palës kosovare, duka ia kërkuar modalitetet e Asociacionit. Qeveria që tani udhëhiqet nga partia që kishte kundërshtuar edhe me protesta këtë mekanizëm, nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin.

18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.

Nga ora 7 do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës, pas 20 minutave, përkatësisht në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në orën 7:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve e pas pesë minutash do të bëhen homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë.

Në orën 8:00 mbahen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova e pas 10 minutash te te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Nga ora 9 do të ketë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e në 10:30 do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga ora 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti Heroinat, në orën 11:30 mbahet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në 17:30 pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe dita do të përmbyllet me koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës.

Rrëfimi i të mbijetuarit të familjes Berisha, i gjendet plumbi në turp pas 27 vjetësh

10 min. më parë / 17 shk 2026 10:25
Gramoz Berisha

27 vjet pas masakrës në të cilën u vranë 49 anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka, i mbijetuari Gamoz Berisha, ka treguar se në trup i është gjetur një plumb.

Gramozi që në kohën e luftës ka qenë 8-vjeçar, i plagosur në krahun e majtë, bashkë me të ëmën dhe gruan e axhës kishte kërcyer nga kamioni në të cilin ishin vendosur viktimat e njërës ndër masakrat e ndodhura në luftën e fundit në Kosovë. 

27 vjet më vonë në një postim në Facebook ai ka risjell kujtimet e tij për 26 marsin e vitit 1999 si dhe dhimbjen që ndjeu në trup para tre muajsh si pasojë e asaj dite.

“27 vite më parë, kur bashkë me mamin kërcyem nga kamioni, unë isha i plagosur në krahun e majtë. Ajo plagë ma kishte mundësuar të shtiresha si i vdekur kur na kapën tek piceria dhe na hodhën në kamion bashkë me trupat e tjerë. Vite të tëra jam trajtuar për plagën në krahun e majtë. Të gjithë mjekët më kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ishte më në trupin tim”, ka shkruar Berisha.

Ai ka rrëfyer për dhimbjen e mungesën për familjarët që i humbi atë ditë. 

“27 vite dhimbje, krenari, mungesë dhe përpjekje për të gjetur qoftë edhe një kockë të familjarëve tanë, që nuk arritën të kërcenin nga kamioni që i barte si kufoma. Unë, mami Vjollca dhe Shyhretja ishim të vetmit që kërcyem. Të tjerët shkuan me kamion. Edhe motra Dafina, edhe vëllai im Driloni, edhe babi Sedat”, ka shkruar Berisha.

Ai ka treguar se nga kamioni kanë dëgjuar thirrje për ndihmë. 

“Të 49 anëtarët e familjes sonë shkuan. Kishte edhe të gjallë brenda. Kishte edhe thirrje për ndihmë nga kamioni. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre”, ka shkruar Berisha.

Ka treguar se para tre muajsh ka ndier një dhimbje të tmerrshme në krahun e tij të djathtë por ka thënë se ka qenë i bindur që ajo nuk kishte të bënte me plagën e tij të luftës. 

“I bindur se nuk kishte asnjë lidhje me të kaluarën time, meqë plagën e kisha në krahun e majtë, iu drejtova mjekëve këtu në Shtutgart. Filluan ekzaminimet. Pas disa fotografimeve, nisën të më bëjnë pyetje: A mos keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje? Jo. A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri? Po. Jam i mbijetuar… Ua tregova edhe plagën në krahun e majtë”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar se janë mbledhur shumë mjek të cilës kanë përsëritur frazën “ein Wunder”, shqip “një mrekulli”. 

“Mjekët më treguan se në krahun tim të djathtë ndodhej plumbi që kishte synuar të ma merrte jetën para 27 vjetëve. Plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital. Kjo ishte mrekullia që ata e quanin ‘ein Wunder’”, ka shkruar ai.

“Unë mësova se gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta — që sot ta shijoj lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Gëzuar 17 shkurtin”, ka uruar ai.

Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz

11 min. më parë / 17 shk 2026 10:23
prekaz

Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, krerët shtetërorë kanë bërë homazhe te kompleksi memorial në Prekaz, për të nderuar familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti e kabineti qeveritar sot bënë homazhe te varrezat e familjes Jashari që ranë për lirinë e vendit.

Përpara homazheve në Prekaz, krerët shtetërorë bënë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, kompleksi memorial i të pagjeturve.

Maqedonci: Kemi ushtri që ia bën të vështirë çdokujt që synon të na kërcënojë

15 min. më parë / 17 shk 2026 10:19
Maqedonci: Kemi ushtri që ia bën të vështirë çdokujt që synon të na kërcënojë

Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes, ka thënë se Ushtria e Kosovës është modernizuar në masën e mjaftueshme sa që t’ia bëjë të kushtueshme dhe të vështirë çdo akteri që synon ta kërcënojë Kosovën.

Ai ka thënë se Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s. Për mandatin e shkuar ai ka thënë se janë investuar mbi 450 milionë euro vetëm në furnizime.

“Kemi një ushtri që ia bën të vështirë dhe shumë të kushtueshme çdo akteri që synon ta kërcënojë vendin tonë në të ardhmen. Një ushtri që ndikon që Kosova të jetë e mbrojtur, të jetë e gatshme, jo vetëm të kontribuojë dhe të ketë sigurinë e saj, por edhe të kontribuojë në sigurinë dhe paqen globale. Jemi duke u ndërtuar bazuar në një plan gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe që është në fazën e fundit të përmbushjes. Kosova ka ndërtuar një forcë të sigurisë dhe një sistem mbrojtës që është i aftë ta mbrojë Kosovën nga çdo kërcënim dhe rrezik”, ka thënë ai në KTV.

Maqedonci ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë me planet e fuqizimit ushtarak, duke marrë për bazë kërcënimet e vazhdueshme prej Serbisë.

“Një thënie ushtarake është ‘përgatitja për luftë nënkupton parandalim i luftës’. Duke pasur parasysh ambientin global, kërcënimet dhe rreziqet janë më të mëdha se në vitet e kaluara edhe për shkak të agresionit në Ukrainë, krizës në Lindje të Mesme... ne duhet të pranojmë faktin se kemi një fqinj që p vazhdon të promovojë politika hegjemoniste në raport me shtetin tonë. Që ka mbështetur grupe terroriste, kriminale, për të cenuar sigurinë e qytetarëve tanë, me qëllim të aneksimit të territorit tonë, por falë institucioneve tona kemi arritur t’i mposhtim në veri të vendit dhe t’i dëbojmë. Fatkeqësisht Serbia po vazhdon t’i mbështesë këto grupe. Pos që s’kanë dorëzuar Radoiçiqin dhe grupin terrorist, ata e mbajnë në Serbi, e mbështesin dhe kjo tregon politikën hegjemoniste ndaj vendit dhe rajonit tonë”, ka thënë ai.

Sa i përket furnizimeve me armë, Maqedonci ka thënë se shumica e objektivave sipas planeve janë tejkaluar. Këtu ka përmendur edhe “armët që s’kanë qenë as të planifikuara”.

Maqedonci ka thënë se Kosova është pajisur me tre lloje dronësh, dy luftarakë dhe një vëzhgues, e se ka katërfish më shumë armë individuale se që ka personel dhe të planifikuara.

“Kemi miratuar Konceptin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse që nënkupton se jo vetëm FSK-ja në të ardhmen do ta ketë përgjegjësinë për mbrojtjen e vendit por çdo qytetar mund ta ketë mundësinë që vullnetarisht të regjistrohet dhe të kenë rolin e tyre në mbrojtjen e vendit. Po bëjmë sistem krejt të ri të mbrojtjes së vendit që i përfshin gjithë qytetarët dhe institucionet në mbrojtjen tonë”, ka thënë tutje ai në KTV.

Maqedonci ka shtuar se deri në fund të dhjetorit, Kosova synon të nisë me prodhimin e municioneve të standardeve të NATO-s.

Ai ka folur edhe për çështjen e helikopterëve BlackHawk nga SHBA-ja. Maqedonci ka thënë se tashmë janë dakorduar disa çështje me autoritetet amerikane, teksa ka shtuar se “sivjet do të jenë diskutimet dhe nënshkrimet e kontratës për helikopterët, që FSK-ja t’i ketë me kohë”.

Ai ka thënë se Kosova i ka pranuar me kohë edhe automjetet e planifikuara Wuran nga Turqia.

5000 emblema të UÇK-së i vendosen NEWBORN-it në Ditën e Pavarësisë

1 o. më parë / 17 shk 2026 09:34
NEWBORN

Monumentit të Pavarësisë NEWBORN i janë vendosur 5000 emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). 

Platforma “Liria ka emër” ka njoftuar se kjo është bërë si shenjë mesazhi për kundër Gjykatës Speciale.

“Pas ‘burgosjes’ simbolike me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit ‘Kosova e burgosur!’, këtë mëngjes atij iu vendosën edhe 5000 emblema magnetike të UÇK-së. Aktivistët e platformës ‘Liria ka emër’, të cilët mbrëmë e rrethuan monumentin me hekura metalike, duke e kthyer në një imazh burgu, sot e kanë mbushur atë me emblema të UÇK-së”, thuhet në njoftim.

Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka emër”, ka thënë se ky reagim qytetar është ndaj padrejtësisë së Gjykatës Speciale, që ka thënë se e konsiderojnë tendencë për rishkrimin e historisë dhe cenim të luftës për liri dhe të themeleve të shtetit. 

Rubio: SHBA-ja e palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritet territorial të Kosovës

1 o. më parë / 17 shk 2026 09:12
Marco Rubio

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Sipas Rubios, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë krah Kosovës, ndërsa shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve. 

Rubio gjithashtu përmendi mbështetjen që Kosova i jep SHBA-së në adresimin e sfidave globale.

Sekretari amerikan i Shtetit më tej tha se teksa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, Uashingtoni pret bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vijim.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Kosovën teksa ajo vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Begaj uron Pavarësinë: Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë

1 o. më parë / 17 shk 2026 09:02
Bajram Begaj

Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar për ditën e Pavarësisë së Kosovës në përvjetorin e saj të 18-të.

Begaj ka uruar duke shprehur përulje dhe mirënjohje për ata që kanë sjellë lirinë në vend.

“Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë”, ka shkruar ai në Facebook.

Begaj është shprehur mirënjohës edhe ndaj miqve dhe partnerëve strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë”, ka shtuar ai.

Macroni uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Normalizimi i raporteve me Serbinë, çështje e sigurisë evropiane

1 o. më parë / 17 shk 2026 09:03
Emmanuel Macron

Photo: Associated Press

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka cilësuar çështje të sigurisë evropiane normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, tek e ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në një letër drejtuar presidentes Vjosa Osmani, Macroni ka thënë se tashmë njihet përkushtimi i Francës ndaj pavarësisë dhe perspektivës evropiane të Kosovës.

Ai ka thënë se ribashkimi i kontinentit evropian kalon përmes anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Tek ka thënë se uniteti i kontinentit duhet të mbetet prioritet i Evropës, Macorni këtu e ka përfshirë edhe normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

“Në këtë frymë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre me Bashkimin evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi evropian. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin. U takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra përsipër. Duke u mbështetur në vlerat tona të përbashkëta, në fusha po aq të ndryshme sa edhe thelbësore, si olimpizmi, frankofonia apo promovimi i të drejtave të grave, shpresoj që bashkëpunimi ynë të mund të zhvillohet në fusha kyçe për të ardhmen e Kosovës, përfshirë edhe përmes forcimit të shkëmbimeve tona ekonomike”, thuhet në letrën e Macronit drejtuar Osmanit, e të publikuar nga Ambasada e Francës në Kosovë.

Franca e kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pasi ajo u shpall nga Kuvendi i Republikës.

Kurti përmend ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë: Historia do ta bëjë gjykimin e drejtë

2 o. më parë / 17 shk 2026 07:46
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli Kosovës janë të lashtë.

Kurti ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka thënë se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa i përmendur ata që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit.

“Vërtetë shteti, Pavarësia dhe Kushtetua janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti jonë është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes është i barabartë para ligjit. Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë.  Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës. Mësues e student, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka thënë ai.

VIDEO:

Kuti ka thënë se Kosova ka arritur shumë si shtet e shoqëri për 18-vjet. Ai ka përmendur forcimin e ligjit, ekonominë, fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, lëvizjen pa viza e edhe aplikimin në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

No description available.

Krerët shtetërorë kujtojnë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit

3 o. më parë / 17 shk 2026 07:09
ngritja e flamurit

Photo: Driton Paçarada

Me ceremoni shtetërore është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se është një ditë ku të gjithë bëhen bashkë për të festuar e edhe për t’i nderuar ata që dhanë jetën.

“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi.

“Sot nderojmë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana të ndryshme. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucionet funksionale”, ka thënë ajo.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova po rritet.

Sipas tij, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, fuqia e shtetit e edhe ekonomia e vendit.

“Para 18 vjetëve lindi pavarësia e Kosovës por lindi e pjekur sepse shumë gjenerata sakrifikuan që ne të jemi të lirë e të pavarur. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë ai.

Ngritja e flamurit ka qenë pikënisja e aktiviteteve të cilat do të mbahen sot gjatë ditës për të shënuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

No description available.
No description available.