Në 18 komuna të Kosovës aktualisht nuk ka juristë profesionalë për të ofruar shërbime të noterisë. Ministria e Drejtësisë në fillim të këtij viti kishte thënë se këtij problemi do t’i jepej fund me përfundimin e procesit gjyqësor për noterët. Por as pas shtatë muajsh, prej kur ky proces është përmbyllur, Ministria nuk ka hapur konkurs për emërimin e tyre. Në këtë dikaster qeveritar thonë se janë duke bërë përgatitjet për një provim tjetër të noterisë, por jo edhe për konkurs
Ka rreth një muaj e gjysmë që Suhareka u është bashkuar 17 komunave të tjera të Kosovës që kanë mbetur pa noterë. Në këtë qytet me gati 60 mijë banorë qytetarët thonë se është e theksuar kërkesa për shërbimin që vërteton origjinalitetin e dokumenteve.
“Këtu te ne kanë punuar dy noterë, të dytë janë pensionuar, kështu që për momentin në Suharekë s’ka noter”, thotë Gani Sallauka, banor i kësaj komune, tek ankohet se mungesa e tyre po ua shton dyfish punën. “Është ngarkesë, shpenzime, humbje kohe, mundim”.
Për t’i marrë shërbimet e noterisë ata duhet të udhëtojnë për në Prizren. Por, rruga rreth 20-kilometërshe deri atje është e mundimshme dhe e kushtueshme për suharekasit.
Bedri Selimaj, qytetar tjetër i kësaj Komune, thotë se për shkak të punës që bën me kompaninë e sigurimeve e ka tejet të nevojshme prezencën e së paku një noteri në Suharekë ose diku më afër rreth saj.
“Më e keqja është që në regjion tonin nuk ka, përveç në Prizren. Tash po duhet të shkohet për çdo send, për një autorizim më të thjeshtë po duhet udhëtuar në Prizren. Maltretim, maltretim, maltretim është”, thekson ai.
Përveç Suharekës, pa noterë janë edhe Skenderaj, Han i Elezit, Kaçaniku, Kamenica, Obiliqi, Malisheva, Istogu, Rahoveci, Juniku, Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Mamusha, Ranilluku, Parteshi, Leposaviçi, Zveçani e Zubin-Potoku.
Këto probleme i ka shkaktuar mungesa e konkurseve për noter, pasi Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se nuk do të ketë konkurs të ri pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur me ligjshmërinë e provimit të fundit të noterisë, që ishte kryer në kohën kur me Ministrinë udhëhiqte Abelard Tahiri i PDK-së.
Por, ndonëse ky proces gjyqësor është përmbyllur qe shtatë muaj dhe noterëve u është njohur nga gjykata kalimi i provimit të noterisë, konkursi ende nuk është hapur.
Në një përgjigje për KOHËN në Ministrinë e Drejtësisë thonë se janë duke i bërë përgatitjet për një provim tjetër të noterisë, por jo edhe për konkursin.
“Ministrja e Drejtësisë në bazë të autorizimeve ligjore ka emëruar komisionin për dhënien e provimit për noterinë, andaj komisioni është në fazën finale të përgatitjes për ta shpallur afatin për aplikim”, thuhet në përgjigje.
Në Ministri shtojnë se deri në zgjidhje të problemit, situatën do të mundohen ta lehtësojnë me autorizimin e noterëve aktualë që të punojnë me nga një ose nga dy ditë në komunat pa ta.
“Ju informojmë se deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje Ministria e Drejtësisë në koordinim me Odën e Noterisë do të autorizojë noterë të caktuar për ofrimin e shërbimeve në komunat ku mund të mbesin pa noter”, kanë thënë në Ministri.
E në Odën e Noterëve presin që së shpejti do të hapet konkursi.
“Ne si Odë nuk kemi ndonjë informacion zyrtar se kur do të ketë hapje të konkursit. Por meqenëse është formuar Komisioni, atëherë logjikisht rezulton se do të ketë edhe konkurs të ri”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas Ligjit për Noterinë, për çdo 10 mijë banorë duhet të përcaktohet një noter. Bazuar në këtë, në Kosovën me 1.8 milionë banorë, këtë profesion do të duhej ta ushtronin 180 noterë, por sipas Ministrisë aktualisht janë vetëm 50 sish.