Arbëri

17 ambasada pa shefa misionesh, rrugë e gjatë deri në emërimin e të rinjve

Me lirimin nga detyra të 12 ambasadorëve të emëruar me çelës politik, Kosova e ka ulur nivelin e përfaqësimit me të ngarkuar me punë në shumë misione, përfshirë vendet më të rëndësishme. Me gjithë premtimin e Qeverisë se së shpejti do të emërohen ambasadorët e rinj, njohës të rrethanave thonë se edhe për një kohë shumë të gjatë ambasadat do të mbesin pa titullarë, për shkak të procedurave që marrin kohë

Me shkarkimin e 12 ambasadorëve, Kosova ka mbetur pa shefa të misioneve në 17 ambasada prej 32 sa i ka gjithsej. Dy ditë pas vendimit të koordinuar mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Presidencës, është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se lirimi i ambasadorëve nga detyra është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm.

“Ky propozim i zëvendëskryeministres Gërvalla, i dekretuar nga presidentja, znj. Vjosa Osmani, është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës. Këtë reformë ne e kemi nisur edhe gjatë Qeverisë sonë të parë të pranverës 2020, dhe e kemi paralajmëruar në zotimet tona elektorale dhe programin tonë qeverisës. Ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, për çka i falënderojmë. Por, qeverisjet e kaluara kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm me diplomatë politikë, duke e kaluar kështu kuotën e paraparë ligjore. Prandaj, ky hap është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka shtuar se me ministren Donika Gërvalla, presidenten Vjosa Osmani dhe Komisionin për Punë të Jashtme, do t’i fillojnë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet diplomatike, ku numrin më të madh do ta përbëjnë ata të karrierës.

Por, sipas njohësve të diplomacisë, emërimi i ambasadorëve të rinj është proces që merr kohë.

Emir Abrashi nga Instituti Demokraci Plus thotë se Qeveria fillimisht është dashur t’i gjejë zëvendësimet dhe se largimi i ambasadorëve të bëhet në disa faza.

“Faza e para do të duhej të ishte lirimi nga detyra i ambasadorëve, të cilët e kanë përmbushur mandatin katërvjeçar e që janë të emëruar politikisht. Faza e dytë - do të duhej të liroheshin ata ambasadorë që nuk e mbaruan mandatin, por nuk kanë performancë të mirë. Dhe krejt në fund ose fazën e tretë - të liroheshin nga detyra ambasadorët të cilët janë të emëruar politikisht, kanë performancë, por nuk i përfaqësojnë synimet dhe qëllimet e Qeverisë”.

Ai sqaron procedurën e emërimeve të reja.

“Sa u përket emërimeve të reja, fillimisht Ministria e Punëve të Jashtme në koordinim me Zyrën e Kryeministrit e bënë propozimin te Komisioni për Punë të Jashtme. Komisioni i interviston kandidatët dhe harton raportin konsultativ, të cilin ia dorëzon presidentit. Presidenti më pas e lëshon dekretin për emërim. Tek pastaj Ministria e Punëve të Jashtme i fillon procedurat për dërgimin e personit në shtetin pritës ku duhet të merret pëlqimi. Kjo nuk është një periudhë që bëhet brenda ditësh, mund të marrë muaj të tërë dhe normalisht duhet ta kemi parasysh se shteti pritës edhe mund ta refuzojë kandidatin. Mund të jetë refuzim eksplicit ose refuzim në heshtje, duke mos kthyer përgjigje për pranimin e atij ose asaj kandidate”.

Sipas Abrashit, me lirimin nga detyra të ambasadorëve, Kosova e ka ulur nivelin e përfaqësimit me të ngarkuar me punë në të gjitha këto misione.

“Zakonisht të ngarkuar me punë janë diplomatët e rangut më të lartë pas ambasadorit. Në një situatë të tillë bëhet ulja e nivelit të përfaqësimit dhe këta persona nuk janë të akredituar te shteti pritës, rrjedhimisht nuk kanë mandat të plotë. Prandaj, MPJ-ja të gjitha vendimet duhet t’i marrë me një koordinim të mirëfilltë ndërinstitucional”, ka thënë Abrashi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka liruar të mërkurën nga detyra 12 ambasadorët e emëruar me çelës politik nga qeveritë e kaluara.

Të liruarit nga detyra janë: Beqë Cufaj, (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gëzim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) e Amir Ahmeti (Katar).

Prej shumë vitesh shumë misione kanë mbetur pa ambasadorë, përfshirë vende të rëndësishme. Qe tre vjet, Kosova nuk ka ambasador në Londër, e pa të ka mbetur edhe në Washington, Bruksel, Berlin e Tokio.