Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

1,597 fëmijë në shkolla me pak nxënës, ekspertët paralajmërojnë pasoja sociale

Shkolla

Foto: Driton Paçarada

Mësimi në shkolla me pak nxënës mund të ndikojë negativisht në zhvillimin social, emocional dhe në përkushtimin e fëmijëve ndaj mësimit vlerësojnë psikologët e sociologët. Sipas tyre, mungesa e bashkëmoshatarëve, socializimit dhe konkurrencës brenda klasës krijon monotoni dhe vështirësi në përshtatjen sociale të nxënësve. Në Kosovë, 1,597 nxënës vijojnë mësimin në shkolla amë me më pak se 60 nxënës.

Psikologë e sociologë vlerësojnë se mësimi në shkolla me pak nxënës mund të ndikojë që fëmijët të jenë më të tërhequr dhe më pak të përkushtuar në mësimnxënie.

Ata e konsiderojnë shqetësuese shifrën prej 1 mijë e 597 nxënësve që vijojnë mësimin në shkolla amë me më pak se 60 fëmijë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sociologu Genc Xërxa thotë se orët mësimore me pak nxënës ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin social të fëmijëve.

“Së pari ora është e zbrazët, është pa shpirt, nuk ka socializim, nuk ka një mundësi të bashkëbisedimit të mirëfilltë, ato ditët e mësimit më shumë mund t’i ngjajnë monotonisë ndërsa nuk kem gara mes nxënësve ku do t’i shfaqnin vlerat apo nuancat e ndryshme të aftësive të cilat nxënësit gjatë garave brenda orës së mësimit do t’i shfaqnin para arsimtarit. Mendoj se këto janë penalizmit kur mësimi mbahet me një apo dy nxënës. Ora nuk e ka atë përgatitjen, përmbajtjen të cilën duhet ta kishte”, ka thënë Xërxa.

Ai thotë se orët mësimore në këto klasa mund të quhen edhe si “orë mekanike sa për sy e faqe”.

“Kjo domosdoshmërish ndikon edhe në sistemin e tyre të zhvillimit të fëmijëve sepse ka socializim të vogël, kemi garë apo kompeticon i cili bëhet mes fëmijëve për të ardhur në shprehje ata të cilët kanë talente të ndryshme pastaj krijohet një monotoni, apatie brenda orës të mësimit faktikisht një orë mekanike sa për ’sy e faqe’”, shtoi Xërxa.

Edhe psikologia, Tringa Visoka, vlerëson se mungesa e bashkëmoshatarëve ndikon në zhvillimin emocional dhe përshtatjen sociale të fëmijëve.

“Përpos socializimit ose interaksionit një aspekt tjetër është edhe zhvillimi emocional pasi që nëse ka pak fëmijë d.m.th. ka më pak biseda, më pak socializim, në anën tjetër nuk ka shumë ndodhi në klasë ose ngjarje që munden me ndiku që fëmijët  me u zhvillu në aspektin emocional. Ndoshta mund të jenë më pak të përgatitur për jetën, mundet me qenë më pak të socializuar, mos me njohtë botën shumë, mos me njoftë karaktere të njerëzve. P.sh nëse prej atij kontrasti prej 4-5 nxënëseve sa ishin kanë në klase e kishin dalë në një ambient me 20 veta ose ma shumë kish mundur me ndiku negativisht, mos me mundur me u përshtatë, ose me mujt me u socializu, me qenë më të mbyllur në vete”, deklaroi Visoka.

Në Kosovë janë gjithsej 193 shkolla amë dhe paralele të ndara që planifikohet të mbyllen deri në vitin 2030, pasi kanë më pak se 60 nxënës.

Vendimet janë marrë mbi bazën e kritereve ligjore dhe numrit të nxënësve, duke i ndarë shkollat në tri kategori: me prioritet të lartë, të mesëm dhe të ulët për mbyllje.

Deri më tash, MASHTI ka dhënë pëlqim për mbylljen e 14 shkollave të arsimit të obligueshëm.