Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mohuar të jenë deponuar nënshkrime për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme në të cilën do të kërkohej shkarkimi i tij. Ai i ka quajtur nisma “të njëanshme”, ato për shkarkimin e tij. E, anëtari i LDK-së Armend Zemaj, ka pohuar se 150 nënshkrime janë mbledhur.
KOHA ka raportuar më 6 korrik se delegatët e Kuvendit të LDK-së kishin nisur mbledhjen e nënshkrimeve por se nuk e kishin konkretizuar ende.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tash. Do të doja që LDK-ja të merrej sa më pak me çështje që e ndajnë LDK-në, nuk e dëshiroj ndarjen e LDK-së. E kemi pasë një kuvend para disa kohe dhe tash të kemi nisma të njëanshme, nuk i bëjnë mirë LDK-së”, ka thënë Abdixhiku para mediave.
Sipas Armend Zemajt, aktualisht janë 150 nënshkrime me kërkesën për Kuvend të LDK-së. Zemaj ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë ka pasur edhe kërkesa që të mos ketë nevojë për zgjedhje të parakohshme, por edhe mendime që t’i jepet përkrahje kryetarit që të vazhdojë të jetë edhe tutje kryetar i LDK-së.
“Unë i takoj një dege e cila ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe kërkon reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit në të gjitha strukturat e LDK-së duke filluar nga kryetari e deri të nëndegë. Janë më shumë se 150 nënshkrime që kanë kërkesë për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së”, potencoi Zemaj.
Sipas statutit të LDK-së, nga momenti i dorëzimit të kërkesës që duhet të përmbajë nënshkrimet e të paktën një të tretës së delegatëve të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të mblidhet brenda 60 ditëve.
Abdixhiku me një votëbesim është përballur edhe më 31 janar të këtij viti, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ku LDK-ja ka marrë 13.24% të votave.
Ai i ka mbijetuar votëbesimit, por pakënaqësitë në parti janë shfaqur edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ku subjekti është rritur me 3.45 pikë të përqindjes, ndonëse në krye të listës është vendosur Vjosa Osmani që ishte larguar nga partia më 2020.