Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

15 vjet nga protesta e përgjakshme ku u vranë dy aktivistët e Vetëvendosjes

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut, 15 vjet më parë.

Derisa mijëra protestues kundërshtonin dokumentin e Ahtisaarit, protesta eskaloi në momentin që u hoqën rrethojat e vendosura në mes të sheshit. Ishte policia rumune e UNMIK-ut ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përveç vrasjes së dy aktivistëve, kishte edhe shumë të plagosur. Ndërkohë, lotsjellësi që është përdorur nuk ishte parë asnjëherë më herët. Madje, era e lotsjellësit nuk u hoq për pesë ditë nga sheshet e Prishtinës.

KMDLNJ kërkoi drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, ndërsa familjet e tyre ta fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.

KMDLNJ ka reaguar edhe për të plagosurit e kësaj proteste, duke thënë se duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë një sërë aktivitetesh, si homazhe te varret e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, nderime te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, si dhe do të shfaqet një film dokumentar në Teatrin Kombëtar, si dhe në qendrat e Vetëvendosjes./KSP