Arbëri

110 mijë euro dëme nga zjarret në Komunën e Mitrovicës, në Podujevë s’dihet vlera e dëmeve

110 mijë euro vlerësohet të jetë dëmi i shkaktuar si shkak i zjarreve në Komunën e Mitrovicës. Në komunë thonë se vlera e dëmeve mund të jetë edhe më e madhe pasi aty nuk i kanë llogaritur dëmet e shkaktuara për sipërfaqet malore. E në komunën e Podujevës, thanë se nga qershori deri më 20 gusht, janë raportuar 327 vatra zjarri.

Kosova muajve të fundit është përballur me një seri zjarresh që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna.

Në Komunën e Mitrovicës, dëmi i shkaktuar nga flakët sipas drejtuesve të saj, vlerësohet të jetë rreth 110 mijë euro, pa përfshirë sipërfaqet malore.

“Komisioni është duke përfunduar raportin e detajuar përfundimtar. Dëmet që janë shkaktuar: Shtëpi (7), disa pjesërisht dhe të pabanuara, Stalla (1), Objekte përcjellëse (3), Kafshë (2, të djegura pjesërisht), Kafshë të egra (nuk kemi informata) dhe sipërfaqe të malit, dhe fushave (900 Hektarë)”, u tha nga Komuna e Mitrovicës.

Dy fshatrave të Komunës së Mitrovicës u janë shkaktuar dëme të mëdha materiale nga zjarret.

E në Komunën e Podujevës kanë treguar se nga 1 qershori deri më 20 gusht në këtë regjion janë raportuar 327 vatra zjarre.

“Vlera e këtyre dëmeve të shkaktuara nga zjarret ende nuk dihet, pasi është herët të bëhet një gjë e tillë. Gjatë kësaj periudhe gati tremuajshe janë përfshirë nga zjarri 3 shtëpi, 2 objekte ndihmëse, 2 stalla, 1 objekt biznesi, 1 trafo elektrike. Kurse sa u përket sipërfaqeve të hapura kanë qenë 68 raste të zjarreve në pyje me një sipërfaqe prej 154.5 ha, 21 raste në bujqësi me një sipërfaqe prej 17.1 ha me pemë dhe grurë, etj.” – u tha nga Komuna e Podujevës.

E në këtë komunë ndonëse nuk kanë bërë ende ndonjë vlerësim, thonë se nuk kanë  fond për kompensimin e dëmeve.

“Zakonisht, kur qytetarët i paraqesin në Komunë dëmet, Komisioni komunal e bën vlerësimin e atyre dëmeve dhe pastaj atë raport e përcjell në Komisionin qeveritar që është në kuadër të Qeverisë, i cili pastaj i zhvillon procedurat e kompensimit. Sa u përket zjarreve, deri tash nuk kemi pasur ndonjë kërkesë për raportim nga ana e qytetarëve”, u tha nga Komuna.

KOHA kërkuar edhe nga komunat e tjera të prekura nga zjarret nëse ato kanë bërë vlerësimin e dëmeve, por deri në momentin e transmetimit të stories ato nuk kanë kthyer përgjigje.

E në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent thanë se situata me zjarre është e qetë.

Gjatë mesit të gushtit situata më e rënduar me zjarret ka qenë në fshatrat: Kqiq i vogël, Zasellë, Meshinë, Tugjevc, Dumnicë, Merdar dhe Orllan.