72 vatra zjarri janë regjistruar në 12 orët e fundit në Kosovë, njoftoi Agjencia e Menaxhimit Emergjent. 11 prej tyre janë ende aktive.
AME ka njoftuar se situata po menaxhohet në koordinim me zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës. E, për shuarjen e një zjarri në Kamenicë është angazhuar edhe KFOR-i.
“AME/MPB njofton se gjatë 12 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 72 vatra zjarri në vend. Nga to, 11 vatra vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 vatra janë lokalizuar falë intervenimit të Njësive të Zjarrfikësve dhe strukturave të tjera mbështetëse”, thuhet në njoftim.
Sipas AME-së, në Komunën e Kamenicës situata është më e rënduar sa u përket zjarreve.
“Situata më e rënduar është paraqitur në Komunën e Kamenicës, në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë, ku në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv, i cili ka ndjekur nga afër situatën. Në këtë rast është bërë kërkesë për angazhim të KFOR-it, për të ndërhyrë nga ajri për shuarjen e zjarrit”.