Arbëri

10 konkurse, asnjë kandidat për inspektorë ndërtimi në Podujevë

Më shumë se 10 herë ka dështuar Komuna e Podujevës në përpjekjet për të punësuar një inspektor ndërtimi, pozitë kjo e mbetur bosh për më shumë se dy vjet. Sipas zyrtarëve komunalë, mungesa e interesimit nga kandidatët lidhet me vëllimin e madh të punëve, përgjegjësitë e shumta dhe pagën e ulët. Por partitë opozitare në këtë qytet, fajin kryesor ia hodhën kryetarit të Komunës

Për më shumë se dy vjet e gjysmë, Komuna e Podujevës ka shpallur dhjetë konkurse për punësimin e një inspektori të ndërtimit dhe në asnjërin nuk është paraqitur ndonjë kandidat.

Pozita ka mbetur bosh që nga viti 2023, kur zyrtarja që e mbante këtë detyrë kaloi në një institucion tjetër.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, numëron tri arsye si kryesore pse nuk ka të interesuar.

“Arsyet mund të jenë të ndryshme, por megjithatë, mund të vlerësojmë se njëra nga arsyet kryesore pse nuk ka të interesuar për të aplikuar për këtë pozitë është sepse është vëllimi i madh i punës, përgjegjësia që e ka sektori i ndërtimit, si dhe paga jo e kënaqshme për punët dhe detyrat qe ai i kryen. Duke marrë parasysh edhe tregun si funksionon në vendin tonë, sektori privat po ofron paga më të mira për këtë kategori të njerëzve”, ka thënë Zhitia.

Sipas zëdhënësit Zhitia, kjo pozitë po mbulohet nga zyrtarë të tjerë komunalë që me profesion janë inxhinierë apo arkitekt.

“Ne po e bëjmë një zgjidhje të përkohshme për shkak se i kemi transferuar zyrtarët nga ana drejtorive tjera të cilët janë inxhinierë apo arkitektë që lidhen me fushën e ndërtimit dhe e njohin më mirë në aspektin profesional këtë fushë që t’i kryejnë me rrotacion punët dhe detyrat qe i takojnë inspektorit të ndërtimit. Ata transferohen për një periudhë të caktuar 3 mujore apo 6 mujore dhe zakonisht janë nga dy zyrtarë të komunës”, ka thënë ai.

E asamblisti i LDK-së, parti opozitare në Podujevë, Ekrem Rrahmani, u shpreh se problemi nuk qëndron vetëm te paga e ulët. Ai kritikoi kryetarin e Komunës për trajtim jo të duhur të stafit, sipas tij.

“Është e vërtetë që edhe pagat nuk janë aq të mira për inspektorët por arsyeja kryesore është që kryetari i komunës nuk i trajton si duhet punëtorët. Përmbi 6 inspektorë kane dhënë dorëheqje pasi që i ka emëruar kryetari, prej presionit. Zgjidhja më e mirë nëse.... janë dalë konkurset dhe nuk ka pasur aplikime duhet me pasë zyre të prokurimit me hapë konkurs për të aplikuar kompanitë që janë të licencuara”, ka thënë Rrahmani.

Paga e një inspektori të ndërtimit në Podujevë është rreth 700 euro.

Që nga miratimi i Hartës Zonale më 2022, në Podujevë janë ndërtuar apo janë në proces mbi 65 objekte.