Arbëri

1 vit pas vrasjes së shtatzënës – rasti pa epilog

“Momentin që do të verifikohet hallka dështuese institucionale, personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Ju garantoj që nëse shohim dështim në hallkat institucionale, do të ketë dorëheqje apo shkarkime”.

Këtë zotim, ministrja e Drejtësisë e pati bërë një ditë pasi një grua shtatzënë u vra nga bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së. Edhe një vit që pas ngjarjes, rasti nuk ka marrë epilog, ndërsa masat ndëshkimore të paralajmëruara nuk u ndërmorën, me gjithë dyshimet e bazuara për dështim të hallkave institucionale.

Deri më tani, ndaj katër zyrtarëve policorë, për të cilët Inspektorati Policor evidentoi shkelje dhe përfshirjen në vepër penale rreth moszbatimit të urdhrit për mbrojtje të shtatzënës, u shqiptua masë e suspendimit me pagesë nga detyra.

Në Inspektorat thanë se për tre prej tyre dorëzuan kallëzim penal në Prokurori.

“IPK-ja, pas përfundimit të veprimeve hetimore, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori kundër tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoriteti zyrtar’”.

E në Prokurorinë Themelore nuk ofruan përgjigje se në çfarë faze ndodhen hetimet dhe se cilat janë veprime që u ndërmorën. Përgjigje nuk dhanë as në Polici për postet që aktualisht i mbajnë policët e suspenduar, përfshirë komandantin e Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues.

“Ju njoftoj se pas përfundimit të hetimit penal nga ana e Inspektoratit Policor, në Policinë e Kosovës është zhvilluar procedura disiplinore ndaj zyrtarëve të përfshirë, procedurë e cila ende nuk ka marrë epilogun përfundimtar në të gjitha hallkat e sistemit disiplinor”, tha Policia.

Në shoqërinë civile shprehën vërejtjen për mungesën e një sistemi që e mundëson zbatimin e Ligjit për mbikëqyrjen elektronike.

Gzim Shala, nga Instituti Kosovës për Drejtësi, tha se kësisoj u pamundësua zbatimi i urdhrit të mbrojtjes për viktimën e 2022-tës.

“Realisht kjo nuk reflektohet në praktikë, për shkak se edhe një vit tutje, ende nuk janë ndërmarrë masat adekuate për funksionalizimin e këtij sistemi dhe zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili definitivisht do të parandalonte rastet pikërisht si ky”

Në Ministrinë e Drejtësisë nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth ndërveprimit me institucione të tjera të drejtësisë dhe të sigurisë për vënien e drejtësisë për rastin.