“Frymëzimi i vërtetë vinte nga njerëzit dhe nga historia. Rezistenca e popullit shqiptar, optimizmi i tij i heshtur dhe aftësia për të vazhduar përpara pavarësisht vështirësive, ishin një burim i pashtershëm frymëzimi. Historia jonë, qëndresa dhe dëshira për të mbijetuar e për të ruajtur identitetin ishin forcat që ushqenin imagjinatën dhe krijimtarinë time”, thotë akademik Xhevdet Xhafa kur flet për fillet e karrierë së tij, në një intervistë me kuratorin e njohur botëror Hans Ulrich Obrist të realizuar me rastin e ekspozitës retrospektive të Xhafës, “Still Running”, e hapur këtë javë në Galerinë Kombëtare të Kosovës
Hans-Ulrich Obrist
Kam lexuar se keni filluar të merreni me art që në moshë shumë të hershme si fëmijë, në vitin 1941, veçanërisht në pranverën e atij viti. A mund të më tregoni diçka rreth kujtimeve tuaja të para lidhur me artin në fëmijëri? Për shembull, cili ishte muzeu i parë që vizituat si fëmijë dhe cilat ishin veprat e para të artit me të cilat u njohët? Pse ishte ajo pranverë e vitit ‘41 një moment kaq kreativ për ju?
Xhevdet Xhafa: Në atë kohë vendi ishte ende në gjendje me luftë dhe nën pushtim. Atmosfera e përgjithshme ishte e rëndë, e mbushur me kufizime. Liria nuk mund të shprehej hapur; ajo ekzistonte më shumë si një ndjesi e brendshme sesa si një realitet i dukshëm. Gjithçka dukej e kontrolluar, e mbikëqyrur dhe hapësira për shprehje ishte tejet e ngushtë. Kujtimet e mia nga ajo kohë lidhen ngushtë me varfërinë, jo vetëm varfërinë ekonomike, por edhe një varfëri më të thellë sociale e kulturore. Kishte një mungesë të përgjithshme mundësish, një ndjesi izolimi dhe pasigurie që shoqëronte jetën e përditshme. Shqiptarët nuk ishin të lirë në shprehjen e tyre dhe jetonin nën një presion të heshtur, nën një formë nënshtrimi që prekte çdo aspekt të jetës.
Megjithatë, pikërisht në atë realitet të vështirë, dëshira për liri u bë edhe më e fortë. Për mua, vizatimi dhe piktura u bënë një mënyrë për ta artikuluar këtë dëshirë, si një gjuhë për të shprehur atë që nuk mund të thuhej me fjalë. Arti u shndërrua në një hapësirë të brendshme lirie, në një mënyrë për të imagjinuar një botë tjetër, një jetë më të hapur dhe më dinjitoze.
Në atë kohë nuk kishte muze apo galeri që mund të të frymëzonin drejtpërdrejt. Natyra e Pejës dhe realiteti përreth krijonin imazhe të fuqishme. Bunkerët, për shembull, ishin një prani e vazhdueshme në peizazh. Forma e tyre, që u ngjante kërpudhave që dilnin nga toka, krijonte një lloj arkitekture të çuditshme dhe paradoksale – një arkitekturë frike, por njëkohësisht edhe një formë që buronte nga vetë natyra.
Frymëzimi i vërtetë vinte nga njerëzit dhe nga historia. Rezistenca e popullit shqiptar, optimizmi i tij i heshtur dhe aftësia për të vazhduar përpara pavarësisht vështirësive, ishin një burim i pashtershëm frymëzimi. Historia jonë, qëndresa dhe dëshira për të mbijetuar e për të ruajtur identitetin ishin forcat që ushqenin imagjinatën dhe krijimtarinë time.
Në atë kohë liria përjetohej si një iluzion dhe ndoshta shumë njerëz ende nuk e kuptonin plotësisht se çfarë do të thoshte të ishe vërtet i lirë. Por pikërisht për këtë arsye, ideja e lirisë u bë edhe më e fuqishme. Ajo jetonte në ëndrra, në imagjinatë dhe në art.
Kam lexuar se që herët filluat të vizatoni në muret e lagjes suaj. Jam kurioz të di më shumë rreth këtyre fillimeve me artin e rrugës: çfarë lloj imazhesh vizatonit? Kush ose çfarë ju frymëzoi ta bënit këtë? A ishte kjo praktikë e pranuar shoqërisht, apo duhej të tregoheshit të kujdesshëm?
Xhafa : Në ato vite të vështira, njerëzit ishin të detyruar të jetonin në një realitet shtypës dhe të pasigurt. Ngjarjet që ndodhnin rreth nesh ishin të rënda dhe shpeshherë të dhimbshme. Pikërisht për këtë arsye, ndjeva një nevojë edhe më të fortë për të përshkruar dhe shprehur atë që shihja dhe ndjeja. Brenda meje lindi një dëshirë e madhe për t’i treguar ato ngjarje dhe përvoja që po përjetonim si popull. U përpoqa ta bëja këtë përmes artit. Me vizatime dhe piktura, fillova të shpreh mendimet e mia, shqetësimet dhe gjithçka që ndodhte rreth nesh. Edhe pse nuk ishim të lirë si popull dhe jetonim nën pushtim, ndjeja se përmes artit mund të flisja. Arti më jepte një lloj lirie të brendshme, një mundësi për të thënë atë që nuk mund të thuhej hapur. Frymëzimi im vinte nga jeta përreth, nga njerëzit, nga fqinjët, nga ngjarjet e përditshme që shihja në rrugë dhe në lagje. Fillova të vizatoj figura njerëzore, portrete, kafshë, skena nga jeta e përditshme, bomba, shpërthime. U përpoqa t’i paraqisja këto figura me sa më shumë ndjenjë dhe vërtetësi të ishte e mundur.
Shpesh vizatoja në kushte shumë të thjeshta. Nuk kishte gjithmonë mjete të mira pune. I realizoja vizatimet me qymyr dhe me një shkop druri, me laps, me ngjyra, por ndonjëherë edhe me materiale që i gjeja rastësisht në rrugë, në rrugicat me kalldrëm, madje edhe në sipërfaqe të ndryshme ku mund të lija një gjurmë. Ndonjëherë përdorja edhe baltë ose pluhur gëlqereje për të vizatuar në mure. Vazhdoja të vizatoja edhe në mbrëmje. Ishte një mënyrë për të shprehur jetën time, kafshët dhe jetën e njerëzve. Në mure, në hapësira të vogla, në rrugicat e qytetit, përpiqesha të lija gjurmë të asaj kohe dhe të atyre përvojave që po jetonim. Për mua, arti nuk ishte vetëm një formë rezistence dhe krijimtarie, por një mënyrë për të qenë dëshmitar i kohës, për të ruajtur kujtesën dhe për të treguar historinë e një populli që kërkonte lirinë.
Kam lexuar se keni ndjekur Shkollën e Artit në Pejë gjatë viteve 1940-ta, një shkollë shumë e njohur, por që përqendrohej rreptësisht te mësimi i artit figurativ dhe atij tradicional. A mund të më flisni për kohën tuaj atje dhe përvojën tuaj?
Xhafa : Në shkollë kishte rregulla të qarta për mënyrën se si duhej punuar, rregulla klasike, të trashëguara nga tradita akademike e artit. Unë i respektoja ato, por shpesh i përjetoja si kufizuese, sepse jo gjithmonë më lejonin të shprehja plotësisht atë që ndjeja.
Ndihesha më i lirë kur punoja me më shumë forcë dhe spontanitet, duke kërkuar një gjuhë timen. Nuk më interesonte thjesht përsëritja e modelit akademik; më interesonte jeta reale, përvojat dhe ngjarjet që ndodhnin rreth meje çdo ditë. Ngjarjet e kohës ishin të gjalla për mua dhe kërkonin një shprehje të lirë. Tradita kishte rëndësinë e saj, por paralelisht ndjeja nevojën për të eksperimentuar. Që në vitin e fundit të shkollës së mesme, këto shqetësime u bënë më të qarta dhe filluan të pasqyroheshin drejtpërdrejt në veprat e mia. Ngjyra luante një rol thelbësor: e fortë, e gjallë, e mbushur me energjinë e kohës. Por po aq i rëndësishëm ishte materiali. Shpesh përdorja materiale të thjeshta, të lidhura me jetën e përditshme. Argjila dhe mielli, për shembull, mbartnin për mua një gjallëri të veçantë të lëvizjes. Përmes tyre arrija të kuptoja formën dhe energjinë e trupit në hapësirë, në kontakt të drejtpërdrejtë me materien.
Kur punoja me këto materiale, lëvizja dhe forma bëheshin më të prekshme, më të gjalla. Ishte një mënyrë për të kapur çastin, për ta përjetuar fizikisht procesin krijues.
Veprat e mia shpesh ishin të mbushura me figura njerëzore dhe skena nga jeta e përditshme, si një lloj kronike vizuale e kohës. Historia e popullit shqiptar ka qenë gjithmonë një burim i fuqishëm frymëzimi për mua; një histori e mbushur me vuajtje, por edhe me qëndresë e dinjitet.
Përveç kësaj, gjithmonë kam pasur një lidhje të fortë me natyrën dhe lëvizjen fizike. Shpesh vrapoja nga Peja në Deçan si një mënyrë për t’u çliruar. Në një kohë kur mungesa e lirisë intelektuale ndjehej thellë, kjo energji shndërrohej në aktivitet fizik. Vrapimi bëhej një formë tjetër e të menduarit, një hapësirë ku mund të merrja frymë lirisht. Ndoshta për këtë arsye, të tjerët shpesh më shihnin si të çmendur, por për mua ishte një mënyrë për të mbijetuar dhe për të ruajtur njëfarë lirie të brendshme.
A të shtyu ky arsimim tradicional të regjistrohesh në Akademinë e Arteve Figurative në Lubjanë, ku ndoshta fokusi ishte më i madh te arti modern?
Xhafa : Lubjana ka qenë gjithmonë një qendër e fuqishme kulturore, një hapësirë ku, edhe kur kushtet nuk ishin të lehta, ekzistonte një energji e brendshme që ushqente etjen për dije dhe për art. Këtë e ndjeva menjëherë. Dashuria për artin me intensitet të madh dhe e kisha të qartë se nuk ishte thjesht një interes, por një domosdoshmëri. Për mua, arti ishte mënyra më e drejtpërdrejtë për t’u përballur me jetën, për ta përkthyer përvojën në formë, në ngjyrë, në gjuhë.
Vendimi për të shkuar në Lubjanë nuk ishte vetëm një zgjedhje studimi, por një akt i vetëdijshëm shkëputjeje dhe kërkimi. Ideja për të shkuar sa më larg Pejës ishte thelbësore për mua, sepse distanca nuk më lejonte të kthehesha shpesh dhe pikërisht kjo më detyronte të qëndroja, të përballesha me veten dhe të përqendrohesha më thellë. Kjo distancë krijoi një liri të re dhe një hapësirë më të gjerë për kërkimin tim artistik. Më bëri të jetoja më intensivisht me artin dhe brenda tij. Kisha mundësi të zgjidhja edhe qytete të tjera, si Zagrebi, por Lubjana më dukej më e gjallë për sa i përket mendimit artistik. Aty ndihej më qartë një frymë moderne, një prirje drejt avangardës, një hapje ndaj ideve të reja. Ishte një mjedis që nuk kërkonte vetëm përshtatje, por sfidonte të menduarit, dhe pikërisht këtë kërkoja unë.
Një arsye tjetër e rëndësishme ishte mundësia për të punuar me figura të mëdha të artit. Gabrijel Stupica dhe Riko Debenjak nuk ishin vetëm profesorë, por personalitete që mbartnin një mënyrë të thellë dhe bashkëkohore të të kuptuarit të artit. Kontakti me ta më hapi horizonte të reja dhe më ndihmoi ta shihja artin jo vetëm si teknikë, por si mendim, si qëndrim, si një proces i vazhdueshëm reflektimi. Kjo periudhë në Lubjanë ishte vendimtare. Aty fillova ta formësoja më qartë gjuhën time artistike dhe të kuptoja se arti nuk është vetëm ajo që sheh, por ajo që mendon përmes asaj që sheh.
Gjatë studimeve punova shumë edhe jashtë kornizës akademike. Ushtrimet nuk më mjaftonin; kisha nevojë të ndërtoja diçka timen. Eksperimentoja vazhdimisht me forma, me kompozime, me materiale, duke kërkuar një gjuhë personale që do të ishte e vërtetë për mua. Jeta në Lubjanë nuk ishte e lehtë. Situata ekonomike ishte e vështirë dhe shpesh më duhej të punoja me javë të tëra vetëm për të siguruar vazhdimin e studimeve dhe jetesën time. Ishte një ekuilibër i brishtë midis mbijetesës dhe krijimtarisë. Por pikërisht kjo më bëri më të fortë. Më mësoi disiplinën, këmbënguljen dhe, mbi të gjitha, përgjegjësinë ndaj asaj që po ndërtoja.
Ndonëse fizikisht larg, Kosova nuk u shkëput kurrë prej meje. Ajo ishte gjithmonë e pranishme në kujtime, në përvojë, e në punë. Ngjarjet, njerëzit dhe historia e saj vazhdonin të jetonin brenda praktikës sime artistike.
Në fund, edhe në çastet më të vështira, Arti mbeti mënyra ime për t’u përballur me realitetin. Një mënyrë për ta shndërruar përvojën personale në formë, për ta kthyer jetën, me gjithë peshën dhe kompleksitetin e saj, në krijimtari.
A suivre dans le prochain numéro du Supplément Culture
Intervistë e komisionuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës për katalogun e ekspozitës personale të artistit Xhevdet Xhafa. Titulli është i Redaksisë. Botohet me leje të GKK-së