Në debatin politik për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës është krijuar një shprehje që përsëritet aq shpesh, saqë pothuajse ka marrë kuptimin e një norme kushtetuese: “presidenti konsensual”. Flitet për kandidat konsensual, emër konsensual dhe marrëveshje për president konsensual. Por Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk njeh president konsensual. Kushtetuta e njeh presidentin e Republikës të zgjedhur nga Kuvendi.
Dallimi nuk është vetëm gjuhësor. Është dallim ndërmjet marrëveshjes politike dhe vendimmarrjes kushtetuese.
Konsensusi është i dobishëm në politikë. Në shumë raste është edhe i nevojshëm. Por konsensusi politik nuk mund të krijojë një rregull kushtetues që Kushtetuta nuk e ka paraparë. Aq më pak mund ta zhvendosë vendimmarrjen për presidentin nga Kuvendi në forumet e partive politike.
Kushtetuta është e qartë: presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë. Këtu fillon dhe këtu duhet të përfundojë çdo diskutim për burimin kushtetues të mandatit presidencial.
Konsensusi nuk është kategori kushtetuese
Në kuptimin politik, konsensual është një vendim që mbështetet në pajtimin e gjerë ndërmjet subjekteve politike. Por konsensusi nuk duhet ngatërruar me shumicën e cilësuar që ka përcaktuar Kushtetuta.
Kushtetuta nuk përcakton se presidenti zgjidhet me konsensus. Neni 86 përcakton saktësisht se kush e zgjedh presidentin, si propozohet kandidati dhe sa vota nevojiten për zgjedhjen e tij.
Kandidati për president duhet të sigurojë së paku tridhjetë nënshkrime të deputetëve. Në dy votimet e para kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, ndërsa në votimin e tretë president zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Këto nuk janë rregulla të konsensusit. Janë rregulla të shumicës parlamentare të përcaktuara nga Kushtetuta.
Fakti se kërkohet një shumicë e lartë në dy votimet e para tregon rëndësinë e institucionit dhe kërkesën për mbështetje të gjerë parlamentare. Por kërkesa për 80 vota nuk mund të shndërrohet në kërkesë për marrëveshje ndërmjet kryetarëve të partive.
Tetëdhjetë vota janë vota të deputetëve, jo vota të kryetarëve të partive.
Deputeti dhe vota kushtetuese
Në demokracinë parlamentare deputeti nuk është një numër në përbërjen e Kuvendit. Deputeti është bartës i mandatit përfaqësues dhe i votës kushtetuese.
Rëndësia e këtij funksioni shihet nga vetë organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës. Kuvendi është institucioni përfaqësues dhe ligjvënës, por kompetencat e Kuvendit shkojnë shumë më tej se miratimi i ligjeve. Kuvendi zgjedh Qeverinë dhe presidentin e Republikës. Dy nga institucionet qendrore të pushtetit shtetëror e marrin mandatin përmes votës së deputetëve.
Prandaj, deputeti është një prej bartësve më të rëndësishëm të funksionit kushtetues në Republikë. Fuqia e deputetit nuk matet vetëm si një votë ndër 120 vota. Në momente të caktuara kushtetuese, një votë mund të jetë pikërisht vota që e krijon ose nuk e krijon shumicën e kërkuar.
Demokracia parlamentare nuk është vetëm sundim i shumicës. Demokracia parlamentare nënkupton edhe përfaqësimin e pakicës, kufizimin e shumicës dhe kërkimin e shumicave të reja kur shumica ekzistuese nuk mjafton.
Pikërisht këtu qëndron një prej vlerave themelore të parlamentarizmit: shumica e pamjaftueshme është e varur nga pakica, po ashtu e pamjaftueshme.
As shumica dhe as pakica nuk mund të vendosin të vetme.
Në këtë moment fillon politika parlamentare në kuptimin e mirëfilltë: diskutimi, bindja, negocimi dhe kërkimi i votës së deputetit tjetër.
Konsensusi duhet kërkuar në Kuvend
Nëse dëshirojmë ta përdorim termin “konsensus” për zgjedhjen e presidentit, atëherë vendi ku duhet të arrihet një pajtim i tillë është Kuvendi.
Jo zyrat e partive. Jo kryesitë partiake. Jo tryezat e kryetarëve.
Në forumet drejtuese të një partie mund të ketë shumë anëtarë që nuk janë deputetë. Anëtarët e këtyre forumeve mund të diskutojnë, propozojnë dhe të marrin qëndrime partiake/politike. Por asnjëri prej tyre, vetëm për faktin se është anëtar i kryesisë së një partie, nuk ka votë kushtetuese për presidentin e Republikës. Vota është e deputetit.
Kushtetuta e ka përcaktuar zgjedhjen e presidentit pikërisht në institucionin përfaqësues të popullit. Deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen mandatit detyrues.
Prandaj, marrëveshja ndërmjet dy ose më shumë kryetarëve të partive mund ta lehtësojë zgjedhjen e presidentit, por nuk mund ta zëvendësojë vullnetin kushtetues të deputetit. Përndryshe, disa njerëz do të vendosnin se kush duhet të jetë president, ndërsa deputetëve do t'u mbetej vetëm formalizimi i marrëveshjes me votë.
Kushtetuta nuk e ka përcaktuar Kuvendin si noter të marrëveshjeve partiake.
Deputeti nuk është delegat i kryetarit të partisë
Në këtë kuptim duhet parë edhe qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së që refuzojnë ta mbështesin një kandidat të dakorduar politikisht për president.
Qëndrimi i tyre mund të pëlqehet ose të mos pëlqehet politikisht. Mund të konsiderohet i dobishëm ose i dëmshëm për interesat e partisë. Por refuzimi i deputetit për ta votuar një kandidat nuk mund të trajtohet si devijim nga demokracia parlamentare.
Deputeti nuk është delegat i kryetarit të partisë. Mandati i deputetit nuk buron nga vendimi i kryesisë së partisë, por nga zgjedhja dhe nga Kushtetuta.
Nëse për një vendim kërkohen 80 vota dhe ekzistojnë 74, gjashtë votat që mungojnë nuk janë më pak të rëndësishme se 74 votat që ekzistojnë. Pa gjashtë votat e tjera, shumica kushtetuese nuk ekziston.
Kjo është matematika e Kushtetutës, por edhe logjika e demokracisë parlamentare.
Kur Kushtetuta kërkon një shumicë më të lartë se ajo që një shumicë politike e ka në dispozicion, shumica ekzistuese duhet të kërkojë mbështetje. Mbështetja fitohet duke bindur deputetin, jo duke ia paraqitur vendimin si punë të përfunduar.
Nga disiplina partiake te përgjegjësia kushtetuese
Zhvillimet e tanishme mund të shënojnë edhe një ndryshim tjetër të rëndësishëm për demokracinë parlamentare të Kosovës. Nga një gjendje ku vendimmarrja parlamentare është parë kryesisht përmes fuqisë së partive dhe udhëheqjeve të tyre, po shfaqet më qartë rëndësia e mandatit individual dhe përgjegjësisë kushtetuese të deputetit.
Edhe përvoja e deritanishme e zgjedhjes së presidentit duhet parë në këtë dritë. Fakti që në të kaluarën zgjedhja e presidentit është mbështetur shpesh në marrëveshje politike ndërmjet partive nuk do të thotë se e njëjta mënyrë duhet të përsëritet në çdo legjislaturë dhe në çdo rrethanë. E kaluara politike nuk mund të shndërrohet në rregull kushtetues vetëm pse një praktikë është përsëritur disa herë.
Politika nuk është statike. As demokracia nuk është statike. Zhvillimet politike dhe demokratike ndryshojnë bashkë me institucionet, përbërjen politike të Kuvendit dhe, mbi të gjitha, me vetëdijesimin e bartësve të funksioneve kushtetuese për përgjegjësitë që kanë.
Prandaj, zhvillimet e sotme nuk duhet të gjykohen vetëm me argumentin se “gjithmonë ka qenë kështu”. Fakti se diçka është bërë në të kaluarën nuk dëshmon vetvetiu se ka qenë mënyra më e mirë, e aq më pak se e njëjta praktikë duhet të shndërrohet në standard për të ardhmen.
Kjo legjislaturë ka përbërjen e vet politike dhe secili deputet ka mandatin e vet kushtetues. Ushtrimi i mandatit kushtetues është i lirë brenda rendit kushtetues. Nuk mund të pritet që marrëdhëniet ndërmjet partive dhe deputetëve të prodhojnë gjithmonë të njëjtin rezultat vetëm sepse kështu ka ndodhur në një legjislaturë tjetër. Demokracia nuk zhvillohet përmes të kaluarës por përmes të tashmes. Demokracia nuk është drejtësi. Vetëm drejtësisë i nevojitet e kaluara.
Ndryshimi i praktikës nuk është domosdoshmërisht krizë. Mund të jetë zhvillim. Vetëdijesimi i deputetit për peshën e mandatit dhe votës kushtetuese nuk e dobëson Kuvendin. Përkundrazi, fuqizon pozitën kushtetuese të Kuvendit.
Partitë politike janë të domosdoshme për demokracinë, por Kuvendi është institucioni kushtetues ku vullneti politik shndërrohet në vendimmarrje shtetërore. Kur voton, deputeti ushtron mandatin kushtetues dhe merr përgjegjësinë që buron nga ky mandat.
Në demokraci, e kaluara krijon përvojë, por nuk duhet të krijojë automatizëm. Çfarë është bërë dje nuk mund ta zëvendësojë atë që kërkon Kushtetuta sot.
Presidenti nuk është produkt i marrëveshjes së disave
Presidenti i Republikës nuk mund të jetë produkt i një marrëveshjeje të disave për t'i vendosur të tjerët para aktit të kryer.
Kjo nuk do të thotë se partitë nuk duhet të negociojnë. Përkundrazi. Negocimi është pjesë normale e demokracisë parlamentare. Partitë duhet të propozojnë kandidatë, të diskutojnë dhe të kërkojnë mbështetje.
Por ekziston dallim ndërmjet negocimit për krijimin e shumicës parlamentare dhe një marrëveshjeje që paraqitet si përfundimtare pa e pasur shumicën parlamentare kushtetuese.
Kandidati për President duhet ta kërkojë votën e deputetit. Vota nuk mund të konsiderohet e garantuar vetëm sepse kryetari i partisë së deputetit ka dhënë pëlqimin.
Kuvendi e zgjedh presidentin
Presidentin e Republikës nuk e zgjedhin partitë politike. Nuk e zgjedhin kryetarët e partive. Nuk e zgjedhin kryesitë partiake. Nuk e zgjedhin marrëveshjet politike. Presidentin e zgjedhin deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Konsensusi mund t'i paraprijë vendimit. Mund ta lehtësojë vendimmarrjen dhe mund ta zgjerojë mbështetjen politike. Ku në fakt ka ndodhur e kundërta e logjikës së konsensusit sepse dy partitë tjera dhe komunitetet nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes konsesuale e cila do të krijonte numër të votave përtej 80. Ky do të ishte konsensus politiko partiak. Pra konsensusi nuk mund ta zëvendësojë shumicën parlamentare të kërkuar nga Kushtetuta. Përndryshe, konsensusi politik i partive politike, në vend që ta ndihmojë demokracinë parlamentare, fillon ta deformojë rëndësinë e shumicës parlamentare kushtetuese. Kjo logjikë krijon bllokadë, krizë politike dhe institucionale.
Prandaj, pyetja nuk është se cili është kandidati “konsensual”.
Pyetja kushtetuese është: cili kandidat mund ta fitojë besimin dhe votën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës?
Në demokracinë parlamentare shumica ka rëndësi, por rëndësi ka edhe vota që shumicës i mungon. Kur shumica nuk është e mjaftueshme, pakica nuk është pengesë për demokracinë. Pakica bëhet pjesë e domosdoshme e vendimmarrjes.
Konsensusi për presidentin, nëse do ta quajmë kështu, duhet të krijohet aty ku Kushtetuta e ka përcaktuar: në Kuvend.
Marrëveshja politike është mundësi. Shumica parlamentare kushtetuese është vendimi për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
(L'auteur est professeur de théorie de l'État et du droit à la Faculté de droit de l'Université de Pristina)