Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Lifestyle

Les feux d'artifice apportent du plaisir, mais aussi de graves risques pour la santé.

Feux d'artifice

Fishekzjarrët, festa që mund të përfundojë në tragjedi: Ekspertët kërkojnë rregulla më të rrepta
Ndonëse janë kthyer në simbol të festimeve dhe gëzimit, fishekzjarrët përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik.

Çdo vit, mijëra njerëz në Evropë përfundojnë në urgjenca si pasojë e lëndimeve të shkaktuara prej tyre. 

Ekspertët bëjnë thirrje për kontrolle më të forta, fushata ndërgjegjësimi dhe kufizim të përdorimit të tyre nga qytetarët, raportoi të enjten Euronews".

Alarmi është ngritur nga ekspertë të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA), të cilët, në një artikull të publikuar në revistën shkencore The BMJ, kërkojnë rregullim më të rreptë të përdorimit të fishekzjarrëve dhe rritje të ndërgjegjësimit për pasojat e tyre.

Sipas autorëve, ndër urgjencat më të shpeshta të lidhura me fishekzjarrët janë djegiet e rënda, dëmtimet nga valët goditëse të shpërthimit, traumat në tru, amputimet e gishtërinjve dhe verbëria e përhershme.

Fëmijët, djemtë e rinj, banorët e zonave rurale, personat me të ardhura më të ulëta dhe madje edhe kalimtarët që nuk kanë asnjë lidhje me ndezjen e fishekzjarrëve janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj lëndimeve.

Për të parandaluar këto raste, ekspertët propozojnë masa konkrete, duke nisur nga promovimi i shfaqjeve publike të fishekzjarrëve, të organizuara nga profesionistë, në vend të përdorimit të tyre në ambiente private.

Ata kërkojnë gjithashtu fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi në shkolla, si për nxënësit e arsimit fillor, ashtu edhe për ata të arsimit të mesëm. Përmes historive reale dhe pamjeve të personave të lënduar, synohet që të rinjtë të kuptojnë pasojat që mund të shkaktojë keqpërdorimi i këtyre produkteve.

Të dhënat nga disa vende evropiane dëshmojnë përmasat e këtij problemi. 

Holanda është ndër shtetet që mbledh në mënyrë sistematike të dhëna për lëndimet nga fishekzjarrët.

Gjatë festimeve të ndërrimit të viteve 2025-2026, rreth 1,239 persona kërkuan trajtim mjekësor në urgjencat spitalore ose në shërbimet mjekësore jashtë orarit të zakonshëm. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 7 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Ndërkohë, në Itali, Ministria e Brendshme konfirmoi se gjatë festimeve të Vitit të Ri u lënduan 283 persona, prej të cilëve 54 patën nevojë për shtrim në spital.

Megjithatë, situata mund të jetë edhe më shqetësuese, pasi shumë shtete nuk kanë sisteme kombëtare për regjistrimin e këtyre incidenteve. Për këtë arsye, profesionistët shëndetësorë kërkojnë mbledhje sistematike të të dhënave në nivel kombëtar, në mënyrë që të përcaktohet më saktë numri i viktimave dhe barra që këto lëndime krijojnë për sistemet shëndetësore.

Pavarësisht rreziqeve shëndetësore, tregtia e fishekzjarrëve në Evropë po shënon rritje. 

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit, të publikuara në dhjetor 2025, Bashkimi Evropian importoi 120 mijë tonë fishekzjarrë nga vendet jashtë bllokut gjatë vitit 2024, me vlerë totale prej 406.7 milionë eurosh.

Krahasuar me vitin 2023, importet u rritën me 9.5 për qind në volum dhe me 21.5 për qind në vlerë. 

Edhe dokumenti i Komisionit Evropian për vitin 2025 evidenton rritjen e importeve të produkteve piroteknike, duke raportuar se vlera e tyre arriti në një rekord prej 452 milionë eurosh në vitin 2024.

Fishekzjarrët përbënin pjesën më të madhe të këtij tregu.

Holanda dhe Gjermania kryesojnë importet e fishekzjarrëve në BE. Në vitin 2024, Holanda përfaqësonte 37 për qind të importeve nga vendet jashtë unionit, ndërsa Gjermania 35.6 për qind. Pas tyre renditej Polonia me 7.4 për qind.

Në Bashkimin Evropian, shitja dhe siguria e fishekzjarrëve për konsumatorët rregullohen përmes një direktive të përbashkët, e cila përcakton standardet e sigurisë, por u lejon vendeve anëtare të vendosin kufizime shtesë për shitjen, posedimin dhe përdorimin e tyre.

Legjislacioni evropian i ndan produktet piroteknike në katër kategori, në varësi të nivelit të rrezikut dhe mënyrës së përdorimit. 

Produktet me rrezik shumë të ulët, të destinuara për ambiente të brendshme ose për përdorim në distanca të afërta, si disa lloje xixëllonjash dhe kapsollash festive, kanë moshë minimale përdorimi prej 12 vjeç. Megjithatë, disa shtete kanë vendosur kufij më të lartë.

Për fishekzjarrët me rrezik të ulët, të destinuar për ambiente të hapura dhe zona të kufizuara, mosha minimale është 16 vjeç në Gjermani dhe 18 vjeç në Francë. 

Ndërkaq, produktet me rrezik të mesëm, të cilat kërkojnë hapësira të mëdha të jashtme dhe njohuri të specializuara për përdorim, kanë kufi minimal moshe prej 18 vjeç në nivel evropian.

Holanda, Gjermania, Franca dhe Italia janë ndër vendet që kanë miratuar rregulla më kufizuese në nivel kombëtar.