Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Lifestyle

La Grande-Bretagne investit des millions dans l'IA pour détecter la démence avant l'apparition des symptômes.

Démence

illustration:

Photo : Presse associée

Një projekt i ri kërkimor, i financuar me miliona paund, synon të përdorë inteligjencën artificiale për të zbuluar shenjat e para të demencës dhe për të ndihmuar në parandalimin e kësaj sëmundjeje, raporton BBC.

Qendra kërkimore BRAINIAC Hub, e drejtuar nga Universiteti i Exeter-it në Britani, do të përfitojë 10 milionë paund financim nga Këshilli për Kërkime në Inxhinieri dhe Shkenca Fizike (EPSRC), pjesë e organizatës britanike UK Research and Innovation. Ndërkohë, 10 milionë paund të tjera do të sigurohen nga kompani, organizata bamirëse dhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS).

Studiuesit synojnë të përdorin inteligjencën artificiale për të analizuar disa të dhëna shëndetësore të një personi, si skanimet e trurit, informacionet gjenetike, analizat e gjakut dhe testet e kujtesës e të aftësive mendore. Duke i bashkuar këto të dhëna, ata pretendojnë të krijojnë një pasqyrë më të plotë të shëndetit të trurit dhe të identifikojnë më herët shenjat që mund të tregojnë rrezikun e zhvillimit të demencës.

Financimi mbulon një projekt gjashtëvjeçar, ndërsa klinikat e para pritet të fillojnë funksionimin në vitin 2029. Fillimisht, ato do të jenë të hapura për personat që referohen përmes NHS-së.

‘Problemi më i vështirë’

Sipas universitetit, BRAINIAC – AI and Emerging Technologies for Next Generation Brain Health Clinics (Inteligjenca Artificiale dhe Teknologjitë e Reja për Klinikat e Gjeneratës së Ardhshme të Shëndetit të Trurit), bashkon 11 universitete dhe 10 institucione të NHS-së në një projekt gjashtëvjeçar.

Projekti do të përfshijë 10 klinika të shëndetit të trurit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke krijuar një nga platformat më të mëdha kërkimore për të zbuluar se cilat metoda funksionojnë më mirë në diagnostikimin, parandalimin dhe trajtimin e demencës.

Klinikat synojnë të ndihmojnë në uljen e rrezikut të demencës dhe përgjysmimin e kohës që nevojitet për të marrë një diagnozë.

Drejtori i BRAINIAC, David Llewellyn, profesor i epidemiologjisë klinike dhe shëndetit digjital në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Exeter-it, ka thënë se zbulimi i hershëm është “problemi më i vështirë”.

“Instrumentet që do të zhvillojmë në këto klinika të NHS-së do të na mundësojnë të identifikojmë shenjat e para të sëmundjes përpara se të shfaqen simptomat dhe t'u ofrojmë njerëzve një plan të personalizuar parandalimi, në mënyrë që ta ruajnë trurin e tyre sa më të shëndetshëm për një kohë sa më të gjatë”, deklaroi Llewellyn.

Sipas universitetit, rreth 982,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me demencë.

Parashikohet që ky numër të arrijë në 1.4 milionë deri në vitin 2040, ndërsa kostoja vjetore e kësaj sëmundjeje pritet të rritet më shumë se dyfish, duke arritur në 90 miliardë paund.

Universiteti bëri të ditur se UK Research and Innovation (UKRI) ka zotuar deri në 80 milionë paund për studiuesit, me qëllim zhvillimin e mjeteve që mund të ndihmojnë në diagnostikimin e 92% të personave të referuar për dyshime për demencë, brenda 18 javësh, deri në vitin 2029.

Qëllimi i qendrës është që procesi i vlerësimit dhe diagnostikimit të bëhet 30% deri në 50% më i shpejtë, si dhe të identifikohen më shumë se 40% e personave që vlerësohen si të rrezikuar në fazat e hershme, përpara se të shfaqin simptoma.

Zëvendësdrejtori i projektit, Chris Fox, profesor i psikiatrisë klinike në Shkollën e Mjekësisë të universitetit dhe mjek praktikues, ka thënë se trajtimet aktuale janë të dobishme vetëm nëse njerëzit diagnostikohen në fazat e hershme.

“BRAINIAC do t'i sigurojë NHS-së mjetet e nevojshme për ta bërë këtë në një shkallë të gjerë. Këto mjete do të zhvillohen në bashkëpunim me pacientët dhe mjekët që në fillim, në mënyrë që të funksionojnë në kushtet reale të një klinike të ngarkuar dhe jo vetëm në teori”, deklaroi Fox.

Profesoresha Charlotte Deane, kryetare ekzekutive e Këshillit të Kërkimeve për Inxhinieri dhe Shkenca Fizike në UKRI, deklaroi se këto pesë qendra do të "përmirësojnë jetën e njerëzve".

“Ato bazohen në suksesin e dëshmuar të qendrave tona të mëparshme, të cilat tashmë po e shndërrojnë kërkimin shkencor të avancuar në përfitime konkrete, duke çuar përpara inovacionin në kujdesin shëndetësor, përfshirë ndërhyrjen e parë kirurgjikale në botë për tumoret e trurit, të asistuar nga inteligjenca artificiale”, deklaroi ajo.

Projekti bashkon disa universitete, përfshirë ato të Cambridge-it, Oxford-it, Newcastle-it, Swansea-s dhe Imperial College London. Në të marrin pjesë gjithashtu organizata si Dementia UK dhe Alzheimer’s Society.

BRAINIAC është njëra nga pesë qendrat e reja që do të financohen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.