Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« La trilogie du Kosovo en deux parties » dévoile le théâtre de l'Europe à Prizren

« La trilogie du Kosovo en deux parties » dévoile le théâtre de l'Europe à Prizren

Ajo që dihet apriori është se do të godasë pamëshirshëm paradokset e kohës, të Evropës në këtë rast, e të tjerat mbeten të shihen në skenë. Paralajmërohet si “komedi teatrore që, përmes absurdit, satirës dhe humorit, shqyrton marrëdhënien e Kosovës me Evropën, duke vënë në pikëpyetje idealizimin e saj dhe kontradiktat mes vlerave që ajo proklamon dhe realitetit politik e shoqëror”. 

Absurdi, satira dhe humori, janë kaherë “trinia” teatrit të dyshes Blerta e Jeton Neziraj, dhe mbesin konstanta edhe në shfaqjen “Trilogji kosovare në dy pjesë”, që do të jepet premierë të shtunën mbrëma në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, në kuadër të edicionit special të “Kosovo Theatre Showcase 2026”. Vjen si bashkëprodhim i këtij teatri me “Qendrën Multimedia”. Për të shkruhet se nëpërmjet qasjes kritike “trajton hierarkitë, përjashtimin dhe betejën për njohje, vlerësim dhe dukshmëri, jo vetëm në raportin Kosovë–Evropë, por edhe brenda vetë botës evropiane të teatrit”. Bota evropiane e teatrit a teatri i botës evropiane – bazuar vetëm në paralajmërimin e shfaqjes – mbetet si dilemë. 

Adrian Morina, Semira Latifi, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani janë katërshja e kastës së aktorëve, në pjesën muzikore marrin pjesë këngëtarët Neil Ruçi, Çune Basho dhe Agim Ramaj me muzikë të kompozuar nga Gabriele Marangoni, e koreografi të Christina Fulcher, ndërsa dizajni dhe konceptimi i videove nga Yannick Donet.

“Trilogjia kosovare në dy pjesë”, siç mund të zbërthehet nga përshkrimi, është një soj reflektimi dhe zhveshjeje e realitetit. Dramaturgu Jeton Neziraj ka shpjeguar se “akti i parë i kësaj trilogjie shpërfaq zellin e shoqërisë kosovare e cila me këmbëngulje mundohet që politikisht e kulturalisht të zhvendoset dhe të përshtatet në ‘civilizimin evropian’, ku beson se përket historikisht”. 

“Mes paradokseve, konflikteve e pasigurisë, njerëz e kafshë të Kosovës mobilizohen për të plotësuar standardet që kërkohen, në mënyrë që Kosova të mund t’i bashkohet BE-së. Akti i dytë, e zhvendos shqyrtimin, analizën e kritikën te vetë Evropa, e cila në kulturën popullore njihet si ‘shtriga plakë’, apo ‘the old bitch gone in the teeth’, siç e ka quajtur Ezra Pound. Traumat historike, konfliktet politike, kontradiktat, cinizmi, arroganca, e babilo-byrokracia e shpërfaqin Evropën siç është, përtej atij idealizimit naiv kosovar, por edhe përtej besimit se ajo mbështetet fort pas demokracisë e vlerave të cilat i proklamon”, ka shpjeguar ai. Në fakt shfaqja tingëllon si zhveshje e Evropës prej idealizimeve që i janë veshur. 

“Është një përpjekje për ta ritreguar historinë bashkëkohore evropiane, bashkë me fondamentin e saj euro-centrist e kiçin ideologjik që na ekspozohet i paketuar nën makijazhe patetike të formateve si ai i Eurovizionit. Nën absurditetin e garave për poenë e të betejave për njohje e vlerësim, fshihet një botë e strukturuar nga hierarkitë e krijuara nga ‘klubi i të fuqishmëve’ e i ‘vendimmarrësve’. E, në atë botë aty, ka një ndarje si me thikë: mes atyre që vlerësojnë dhe atyre që vlerësohen; atyre që lejohen të hyjnë dhe atyre që mbeten jashtë; atyre që theren me thikë të ndryshkur e atyre që mbyten me injeksione evropiane; mes atyre që janë shtetas e mes atyre që ngelin të huaj...”, shkruhet në përshkrim. “Trilogjia...” është alarm. Sepse paralajmëron se “të njëjtët mekanizma veprojnë edhe brenda botës evropiane të teatrit, ku artistët dhe institucionet teatrore garojnë për dukshmëri, njohje dhe qasje”.