Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

Nexhat Xhokli – la voix retentissante du théâtre qui n'a pas été réduite au silence même sous l'occupation

Nexhat Xhokli

Nexhat Xhokli u dha jetë mbi 70 roleve teatrore, ndërsa zëri i tij karakteristik, diksioni i dallueshëm dhe prania e fuqishme skenike mbeten ndër tiparet që veçohen nga miqtë e bashkëpunëtorët e tij

Për zërin e tij kumbues do të shquhej në mesin e të tjerëve, qëndrimi e portreti ia dhanë edhe epitetin e zotërisë së skenës, por teatri për të ishte edhe më shumë sesa kaq. Ishte formë rezistence edhe në kohë okupimi. I takoi grupit që jetësoi atë që u quajt “Teatër ilegal” në Ferizaj, edhe sot e kësaj dite një pikë reference e rezistencës kulturore në këto anë. E, me detaje biografike si këto, njashtu sikurse edhe me veprimtarinë, u bë pikë reference edhe për gjeneratat që pasuan. Nexhat Xhokli vdiq të dielën mbrëma në moshën 68-vjeçare, duke lënë prapa një karrierë prej gati një gjysmë shekulli

Arti për të ishte një lloj rezistence. Teatri u shndërrua në mision, në një lloj arme edhe në vitet e okupimit. Tok me kolegë të tjerë Nexhat Xhokli i takonte plejadës së aktorëve e veprimtarëve që ruajtën një lloj vazhdimësie të historisë teatrore me synim që ajo të mos kishte shkëputje. Skenës nuk iu nda deri në frymën e fundit. Vdiq të dielën mbrëma. Ishte 68-vjeç. La pas një veprimtari të gjatë në teatër, film, gazetari dhe jo vetëm. Për më shumë se katër dekada, ai e ndërtoi rrugëtimin e tij artistik kryesisht në skenën e teatrit “Adriana” në Ferizaj duke interpretuar dhjetëra role. Vdekja e tij është konsideruar si humbje e një prej emrave më të shquar të jetës teatrore në vend dhe një personaliteti që nuk iu nda skenës as në momentet më kritike në vend. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij. 
“Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë se sonte babai ynë i dashur u nda nga jeta, duke na lënë me zemër të thyer përgjithmonë”, ka shkruar Shpat Xhokli, i biri i aktorit tashmë të ndjerë. 

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se të hënën në orën 12:00 në sallën e re të teatrit, “Adriana”, në objektin e Drejtorisë së Kulturës të Komunës së Ferizajt,  mbahet mbledhje komemorative ndërsa varrimi në orën 15:00 në varrezat e reja të qytetit. 

Xhokli u dha jetë mbi 70 roleve teatrore, ndërsa zëri i tij karakteristik, diksioni i dallueshëm dhe prania e fuqishme skenike mbeten ndër tiparet që veçohen nga miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Veprimtaria e Xhoklit përfshin edhe angazhimet në projekte filmike e televizive, punoi si gazetar pas luftës dhe për vite me radhë kontribuoi në dokumentimin e jetës publike përmes mediave.

Sipas biografisë së përgatitur nga Kanun Veseli, mik e koleg i aktorit, rrugëtimi artistik i Xhoklit nisi më 1977, me shfaqjen “Dervishi dhe vdekja”. Prej atëherë, ai vazhdoi angazhimin në skenë për më shumë se katër dekada, duke marrë pjesë edhe në festivale teatrore, ku u vlerësua me çmime. Në atë biografi të publikuar nga Veseli në marsin e sivjetmë shkruhet se në mesin e shfaqjeve ku interpretoi janë “Piramida”, “Duke pritur trenat”, “1385”, “Fluturimi mbi folenë e qyqes” dhe “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”. Në ekran, ai u paraqit edhe në filmin “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, film që pati sukses ndërkombëtar dhe kandidoi për çmimin “Oscar”, si dhe në serialin “Rrushe”.

Rrugëtimi artistik i Xhoklit u ndërpre dhunshëm më 1986, kur, sipas biografisë, u arrestua nga regjimi serb dhe u dënua me katër vjet burgim. Pas lirimit, ai iu kthye skenës dhe veprimtarisë kulturore, duke vazhduar punën artistike që e kishte nisur në rini. Kësisoj, Xhokli ishte pjesë e një brezi artistësh që e mbajtën gjallë veprimtarinë teatrore edhe në rrethana të vështira. 

Regjisori Fatmir Hyseni, mik dhe bashkëpunëtor i tij, ka kujtuar se ata vazhduan të punonin së bashku që nga vitet ’80, ndërsa gjatë viteve ’90 kontribuuan në mbijetesën e teatrit dhe të aktiviteteve kulturore.

“Që nga vitet ’90, kemi vazhduar aktivitetet kulturore edhe në rrethana të vështira, duke organizuar shfaqje dhe duke e mbajtur gjallë teatrin e Festivalin. Kemi qenë një ekip që kemi punuar së bashku për shumë vjet. Teatrin ilegal e kemi mbajtur gjallë bashkë”, ka thënë Hyseni. Ka thënë, për shkak të gjendjes shëndetësore të Xhoklit,  që nga qershori janë ndalur reprizat e shfaqjeve në të cilat ka luajtur ai. 

Ai e ka veçuar Xhoklin për cilësitë e tij si aktor, veçanërisht për zërin dhe diksionin, të cilat, sipas tij, e dallonin në skenë.

“E kujtoj si një aktor të mrekullueshëm, i cili shquhej veçanërisht për zërin dhe diksionin e tij. Në Kosovë janë të rrallë aktorët që kanë një diksion të tillë. Edhe në rolin e tij të fundit, në shfaqjen ‘Fluturimi mbi teatrin e Kosovës’, ai pati një paraqitje të jashtëzakonshme”, ka thënë Hyseni, drejtor i teatrit “Adriana” për 21 vjet, deri në shtator të këtij viti.  Aktori, sipas tij, ishte po aq i veçantë edhe jashtë skenës. 

“Kur je artist, je më emocional, më i ndjeshëm ndaj të tjerëve dhe më njerëzor. Në fund të fundit, arti na mëson se humanizmi është mbi të gjitha dhe se vlerat e tjera vijnë më pas. Ka qenë njeri i jashtëzakonshëm në çdo aspekt”, ka thënë ai.

Për Arben Marevcin, aktor dhe bashkëpunëtor i Xhoklit, ndarja e tij nga jeta përbën humbje të madhe jo vetëm në teatër. 

“Është humbje e madhe, fillimisht për familjen, pastaj për rrethin e tij, miqtë dhe ne kolegët që kemi punuar së bashku për dekada. Është një humbje e madhe për teatrin, për kulturën e, madje, edhe për gazetarinë, fushë në të cilën ai gjithashtu ishte dëshmuar”, ka thënë Marevci.
Ai e ka kujtuar Xhoklin si shembull për aktorët e brezit të tij, me një prani që nuk kalonte pa u vënë re.
“Ai ka qenë pikë referimi për ne, aktorët që jemi në një moshë pak më të re. Zëri i tij kumbues e bënte për vete publikun, ndërsa në rrethin e ngushtë të njerëzve prania e tij ishte natyrshëm e fuqishme dhe dominuese. Prandaj, konsideroj se kjo është një humbje shumë e madhe.”, ka thënë Marevci, duke shtuar se me Xhoklin kishte punuar për tri dekada, si para luftës, ashtu edhe pas saj.

Pas luftës, Xhokli u angazhua në radio, televizion dhe mediat e shkruara, ndërsa realizoi edhe dokumentarë televizivë. Zëri i tij u bë pjesë e shumë dokumentarëve, duke kontribuuar në pasqyrimin e realitetit të pasluftës. 

Në 150-vjetorin e themelimit të Ferizajt, Xhokli u nderua me çmimin “Nderi i Ferizajt”, nga Komuna e Ferizajt në shenjë vlerësimi për kontributin e tij shumëvjeçar në art dhe kulturë.

Teatri “Adriana” me të cilin Xhokli kishte lidhur një pjesë të rëndësishme të karrierës, ka shprehur ngushëllime për familjen dhe komunitetin artistik.

“Kontributi i tij në skenën tonë, përkushtimi ndaj artit dhe kujtimet e ndara me kolegët do të mbeten pjesë e çmuar e historisë së teatrit”, thuhet në njoftimin e teatrit.

Regjisori dhe ish-drejtori artistik i “Adrianës”, Besim Ugzmajli, e ka kujtuar Xhoklin duke veçuar zërin dhe praninë e tij skenike. 

“Na paska lënë Nexhati Xhokli, aktori e miku ynë i shtrenjtë. Zëri kumbues, zotëria i skenës e i ndejës. Ngushëllime familjes, miqve e kolegëve. Do ta kujtojmë gjithmonë me kujtimet më të mira!”, ka shkruar Ugzmajli.

Për vdekjen e Xhoklit ka shkruar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. 

“Xhokli dha kontribut në fushën e komunikimit dhe informimit publik, fillimisht përmes angazhimit të tij në radio, e më pas si zëdhënës në kuadër të Policisë së Kosovës, ku shërbeu si urë komunikimi ndërmjet institucionit, gazetarëve dhe publikut. Përveç angazhimit në informim, ai la gjurmë edhe në jetën kulturore dhe artistike të Kosovës, veçanërisht në teatër, të cilit i kushtoi dekada të veprimtarisë së tij”, shkruhet në telegramin ngushëllues. 

Me vdekjen e Nexhat Xhoklit, skena teatrore e Ferizajt ka humbur një aktor që për dekada u dha jetë personazheve të ndryshme. Mbi të gjitha, si një artist që e dëshmoi se arti është mision.