Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

Marigona Qerkezi face à l'occupation du temple de l'opéra à New York

Marigona Qerkezi

Marigona Qerkezi pozon në “Royal Opera House” në Londër në verën e vitit të kaluar. Përderisa aty do të rikthehet, në të njëjtin sezon do të debutojë në “Metropolitan Opera” në New York (Foto: Camilla Nervi)

Prilli i ardhshëm do ta gjejë Marigona Qerkezin në një prej skenave ku historia e operës vazhdon të shkruhet çdo sezon. Është një ëndërr e kahershme që po bëhet realitet. Zëri nga Kosova, në rolin e Aidës, do të debutojë në prestigjiozen “Metropolitan Opera House” në New York. “Nuk e shoh këtë debutim si një pikë mbërritjeje, por si një kapitull të ri të rrugëtimit tim artistik”, ka thënë Qerkezi për KOHË-n, e një kapitull i radhës në pranverën e ardhshme është edhe rikthimi në “Royal Opera House” në Londër tash në rolin e Aidës

Derisa sukseset vazhdojnë e zëri i saj jehon gjithnjë e më fort në skenat e botës dhe harta e debutimeve zgjerohet, pak muaj e ndajnë nga një moment i rëndësishëm në karrierën e saj. 

Zëri nga Kosova, sopranoja Marigona Qerkezi, do të debutojë në prestigjiozen “Metropolitan Opera House” në New York, në prillin e ardhshëm. Me rolin titullar të Aidës, ajo do të bëhet këngëtarja e parë nga Kosova që interpreton në këtë institucion, një prej skenave më të rëndësishme të artit operistik botëror. Për të, është një ëndërr që tashmë po realizohet. Në një përgjigje për KOHËN, Qerkezi është shprehur se ky është një kapitull të ri të rrugëtimit e saj artistik. 

Në skenën ku kanë lënë gjurmë zërat më të mëdhenj të operës, ajo do të bëhet pjesë e kësaj historie. Është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të Qerkezit, emri i së cilës është bërë gjithnjë e më i pranishëm në skenat prestigjioze dhe në vëmendjen e kritikës. Nga interpretimet e roleve të mëdha të Verdit e Puccinit deri te paraqitjet që kanë marrë vlerësime në shtypin ndërkombëtar, sopranoja ka ndërtuar profil të shquar artistik, duke kombinuar fuqinë e saj vokale me ndjeshmërinë dhe thellësinë dramatike.

“‘Metropolitan Opera’ zë një vend kulminant në historinë e muzikës operistike. Është një skenë ku kanë interpretuar disa nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe që vazhdon të përfaqësojë një nga standardet më të larta të këtij arti. Të bëhem pjesë e kësaj tradite është një arritje që ka një domethënie të veçantë për mua”, ka thënë Qerkezi.

Ftesën nga “Metropolitan Opera”, Qerkezi e sheh si fryt të rrugës së gjatë artistike, të ndërtuar përmes roleve, interpretimeve dhe përvojave në skena të ndryshme ndërkombëtare. 

“Megjithatë, nuk e shoh këtë debutim si një pikë mbërritjeje, por si një kapitull të ri të rrugëtimit tim artistik. Mendoj se nuk ekziston një moment kur mund të them se kam arritur gjithçka, sepse gjithmonë ka diçka të re për të mësuar, për të zbuluar dhe për t’i dhënë publikut. Natyrisht, ky është një konfirmim tejet i rëndësishëm profesional, të cilin e përjetoj me shumë mirënjohje”, ka thënë ajo. 

Fakti që debutimi në këtë institucion do të jetë pikërisht me Aidën e bën edhe më të veçantë këtë ngjitje. Është një rol me të cilin sopranoja ka krijuar një lidhje të fortë artistike dhe emocionale, përmes interpretimeve në skena të ndryshme të botës. Sipas të dhënave, ajo e ka interpretuar këtë rol mbi dyqind herë në skena të ndryshme në botë. 

“Aida është një nga rolet më të dashura dhe më të rëndësishme të karrierës sime. Është një personazh që ka evoluar bashkë me mua dhe që, sa herë i rikthehem, më jep mundësinë të zbuloj diçka të re”, është shprehur sopranoja nga Kosova. 

Personazhi i Verdit, i ndërtuar mbi dramën e dashurisë, sakrificës dhe përplasjes midis ndjenjës e detyrës, kërkon një zë me përmasa të mëdha dramatike, por edhe një interpretim që depërton në shtresat më të ndjeshme të tragjedisë njerëzore.

Për Qerkezin, “…Aida nuk është vetëm një princeshë apo një grua e dashuruar. Ajo është një grua e përballur me zgjedhje të pamundura, e ndarë mes dashurisë, detyrës dhe besnikërisë ndaj atdheut. Forca e saj qëndron pikërisht te ndjeshmëria dhe dinjiteti me të cilin përballon fatin”. 

Në skenën e asaj që njihet edhe si “The Met”, dëshiron të sjellë rolin që pasqyron pjekurinë e saj artistike. 

Ka theksuar se çdo produksion sjell një këndvështrim të ri dhe se një personazh që e njeh prej vitesh mund të vazhdojë ta befasojë, përmes bashkëpunimit me dirigjentin, regjisorin dhe partnerët skenikë.
Produksioni që do ta mirëpresë Qerkezin është vënia skenike e regjisorit fitues të çmimit “Tony”, Michael Mayer, i cili e sjell Egjiptin e lashtë përmes skenografive monumentale dhe projeksioneve të animuara. Sipas prezantimit të “Metropolitan Opera”, produksioni ndërthur përmasat madhështore të historisë së Verdit me një gjuhë bashkëkohore vizuale.

Në këtë produksion, rolin e Aidës do ta ndajnë katër soprano, bashkë me Qerkezin edhe Ailyn Pérez, Anna Pirozzi dhe Leah Hawkins. Në rolin e Radamès do të interpretojnë tenorët Michael Fabiano dhe SeokJong Baek, ndërsa Amnerisin do ta portretizojnë mexosopranot Judit Kutasi dhe Olesya Petrova.
Qerkezi do të interpretojë në katër shfaqje, më 2, 6, 10 dhe 15 prill, nën drejtimin e dirigjentit Daniele Callegari. Në shfaqjet e tjera të produksionit do të jenë edhe dirigjentët Marco Armiliato dhe John Keenan.

“Metropolitan Opera House” në New York, skena e radhë të cilën do ta pushtojë Marigona Qerkezi  
 

Sipas raportimit të “OperaWire”, pati ndryshime në repertorin e “Metropolitan Opera” dhe “Royal Opera House” në Londër, të cilat erdhën pas njoftimit të sopranos amerikane Angel Blue për tërheqjen nga paraqitjet operistike gjatë sezonit 2026/27. Si rrjedhojë, Qerkezi është ftuar të interpretojë Aidën në të dyja institucionet, duke zëvendësuar Angel Blue edhe në produksionin e “Royal Opera House”. 
“Metropolitan Opera” është një nga institucionet më prestigjioze të artit operistik dhe një prej simboleve kulturore të New Yorkut. E themeluar më 1883, ajo ndodhet në kompleksin kulturor “Lincoln Center”, në Manhattan, ku u zhvendos më 1966, duke lënë pas selinë e saj të parë në Broadway. Ndërtesa e projektuar nga arkitekti Wallace Harrison, shquhet për arkitekturën monumentale, fasadën prej xhami dhe pesë harqet e mëdha që e bëjnë të dallueshme në sheshin e “Lincoln Center”. 
Salla kryesore ka rreth 3 mijë e 800 ulëse, duke e bërë njërën prej sallave më të mëdha të operës në botë. Përmes projektit “The Met: Live in HD”, produksionet e tij transmetohen në kinema në shumë vende të botës. 

Për Qerkezin, edhe rikthimi në “Royal Opera House” ka domethënie po aq të veçantë sa edhe debutimi në “The Met”. Aty kishte debutuar me rolin e Leonorës në “Il Trovatore”, ndërsa këtë herë do të rikthehet me Aidën, personazh që tashmë zë vend të rëndësishëm në repertorin e saj.

“’Royal Opera House London’ është një nga institucionet historike më të rëndësishme të operës botërore, i njohur për traditën e tij artistike, produksionet e nivelit të lartë dhe bashkëpunimet me artistë të shquar ndërkombëtarë”, ka thënë ajo.

Sopranoja ka treguar se rikthimin e përjeton si vazhdimësi të besimit dhe vlerësimit për punën e saj artistike, ndërsa ka kujtuar me dashuri debutimin e parë në këtë skenë. Interpretimi i Aidës, sipas saj, përfaqëson një tjetër moment të veçantë në karrierë.

“Të interpretoj në këto dy prej skenave më të rëndësishme të botës operistike në të njëjtin sezon: në New York dhe Londër, është diçka që e vlerësoj thellësisht. E përjetoj me gëzim, mirënjohje dhe mbi të gjitha me dëshirën për të dhënë më të mirën time për publikun”, është shprehur Qerkezi e cila në “Royal...” debutoi në korrikun e vitit 2025 si Leonora në operën “Il Trovatore” të Verdit. 

Ndërkohë, kritikat ndërkombëtare kanë shoqëruar me vlerësime të veçanta interpretimet e saj në role të tjera të repertorit operistik. Në Festivalin Verdi, në Teatro Regio të Parmës, ku është paraqitur si Leonora në “Il Trovatore”, revista “Music Paper Magazine” ka veçuar zërin e saj dramatik, kontrollin e frymëmarrjes dhe frazimin shprehës. “OperaWire” e ka cilësuar interpretimin e saj si një Leonorë mahnitëse.

Edhe në rolin e Abigaille në “Nabucco”, Qerkezi ka marrë vlerësime për fuqinë vokale dhe aftësinë për të përballuar një prej roleve më kërkuese të repertorit të Verdit. “Opera Magazine” e ka përshkruar interpretimin e saj si të fuqishëm dhe joshës, duke veçuar linjat vokale të përqendruara dhe mungesën e ashpërsisë në një rol që kërkon shtrirje e qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.

Në anën tjetër, interpretimi i Mimìsë në “La Bohème” ka marrë vëmendje për pasurinë e zërit, sigurinë në regjistrat e lartë dhe aftësinë për të kaluar nga lirizmi i një vajze të dashuruar te shpërthimet dramatike të një gruaje të përballur me fatin tragjik. Kritiku Carlo Dore Jr. i “Operaclick” ka veçuar veçanërisht interpretimin e saj në aktin e tretë.

Për Aidën, rolin që do ta çojë në “Metropolitan Opera”, Qerkezi ka marrë vlerësime edhe në shtypin spanjoll. Pas interpretimit në qytetin spanjoll A Coruña, “Platea Magazine” ka vënë në pah timbrin e bukur, teknikën e përpunuar dhe fuqinë vokale që depërtonte përtej orkestrës. Interpretimi i arias “O patria mia” dhe duetet me Amonasron e Radamèsin janë vlerësuar si të shkëlqyera.

Këto vlerësime dëshmojnë për një rrugëtim ku rolet e mëdha të repertorit operistik, pos sfida vokale, janë edhe mundësi për të thelluar identitetin interpretues. Për Qerkezin, Aida është personazh që evoluon bashkë me të, ndërsa çdo rikthim në këtë rol i hap një dritare të re zbulimi.

Prilli i ardhshëm do ta gjejë Marigona Qerkezin në një prej skenave ku historia e operës vazhdon të shkruhet çdo sezon. Është një ëndërr e kahershme që po bëhet realitet, por jo fundi i një rrugëtimi. Sepse, siç ka thënë vetë ajo, çdo arritje është kapitull i ri, ndërsa muzika gjithmonë ruan një horizont tjetër për t’u zbuluar.