Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« La Rremë » lève le rideau sur des sons qui dépeignent l'artiste aux multiples facettes

La RRemë

Ibadet Ramadani me bend në përmbyllje të “La Rremë” ka sjellë një kapërcim të natyrshëm prej këngëve të Muharrem Qenës te veprat e saj. “Këngët e Muharrem Qenës janë afër repertorit tim”, ka thënë ajo

Kantautorja Ibadet Ramadani është artiste unike dhe vendimi që ajo me bend ta përmbyllin edicionin zero të “La Rremë” – festivalit i cili nuk është vetëm një homazh në nderim të Muharrem Qenës, të njohur si La Rremë, por një synim për ta ndjekur filozofinë e tij të artit – ka qenë i qëlluar. Këngët e Qenës, të cilat vazhdojnë të zënë vend në historinë e kulturës shqiptare, njësoj sikurse teatri i tij, në interpretimin e Ramadanit kanë ardhur si pjesë e repertorit që u jep përparësi ndjeshmërisë, tekstit dhe melodisë. “La Rremë” me edicionin zero

Me këngët “Mallëngjimi” dhe “Oj Hanë”, krijimtaria e Muharrem Qenës është kujtuar në mbrëmjen përmbyllëse të edicionit zero të festivalit ndërkombëtar të teatrit “La Rremë”. Të shtunën mbrëma, në “Menzën Ramiz Sadiku” në Prishtinë, këngëtarja Ibadet Ramadani, e shoqëruar nga muzikantët Jan Terstegen dhe Christoph Bernewitz e kanë përmbyllur ngjarjen dyditore me konceptin e një koncerti ku repertori i saj është ndërthurur edhe me nderimin për një nga figurat shumëdimensionale shqiptare, emrin e të cilit e nderon festivali.  

Pos dy këngëve të artistit të ndjerë, Ramadani ka interpretuar edhe krijime nga repertori i saj, duke sjellë në skenë tinguj akustikë dhe muzikë të frymëzuar nga folku, të mbështetur nga vokali i saj karakteristik. “Forest”, “Kur jom kanë një vakt i ri”, “Firefly”, “Sharrad”, “Mallëngjimi”, “Mockingbird”, “Old Moon”, “Pink Balloon”, “Oj Hanë”, “Dance with Me”, “Little Sister”, “Miss My Daddy” dhe “Sleep My Child” kanë qenë disa nga këngët e programit, krahas një interpretimi instrumental me kitarë. “Kur jom kanë një vakt i ri” është interpretuar edhe një herë në fund të koncertit.

Këngët e Qenës, të cilat vazhdojnë të ruajnë vend në kujtesën muzikore shqiptare, në interpretimin e Ramadanit kanë ardhur si pjesë e repertorit që i jep përparësi ndjeshmërisë, tekstit dhe melodisë. 

Ajo ka treguar se krijimtaria e Qenës përputhet me qasjen e saj muzikore. 

“Këngët e Muharrem Qenës janë afër repertorit tim. Janë të qeta dhe akustike. Më pëlqejnë të gjitha aspektet e këngës, si teksti, ashtu edhe melodia. Muzika nuk ka nevojë të jetë shumë e zhurmshme për të treguar diçka. Edhe kur është e qetë, mund të jetë e thellë”, ka thënë Ramadani.

Për këngëtaren, interpretimi i “Mallëngjimit” ka pasur edhe dimension personal. 

“Kur i këndoj këto këngë, menjëherë krijoj një lidhje dhe një komunikim me prindërit e mi, të cilët nuk janë më”, ka thënë ajo.

Lidhja midis muzikës dhe kujtesës familjare shfaqet edhe në albumin e saj debutues solo, të cilin Ramadani ia ka kushtuar familjes së saj që ka emigruar në Gjermani. 

“I kam kënduar këngët e albumit tim dhe atë album ia kam kushtuar familjes sime që ka shkuar në Gjermani, ku kanë ndërtuar jetën e tyre, kanë treguar historitë dhe kanë lënë gjurmë e kujtime”, ka thënë kantautorja më tej.

Ramadani, e cila pjesën më të madhe të fëmijërisë e ka kaluar në Kosovë, ka studiuar për art në New York dhe muzikë në Konservatorin e Amsterdamit. Ka themeluar grupin-indie “Super700”, i cili u shpërbë më 2013, ndërsa dhjetë vjet më vonë është rikthyer në qendër të vëmendjes me albumin e saj solo. 

Siç shkruhet, këngët e albumit janë shkruar spontanisht gjatë një periudhe të tërheqjes në një kasolle në pyll dhe ndërthurin ndjeshmërinë folk me instrumentale të frymëzuar nga muzika amerikane. 

Në koncertin në Prishtinë ajo është shoqëruar nga kitaristët Jan Terstegen, i njohur edhe si anëtar i “Super700” dhe Christoph Bernewitz. Paraqitja e saj e fundit në Kosovë para këtij koncerti ka qenë vitin e kaluar në “DokuFest”.

Koncerti ka qenë pika përmbyllëse e programit dyditor që organizatorët e kanë menduar si hapin e parë drejt ndërtimit të një festivali që nuk kufizohet vetëm te teatri. Para mbrëmjes muzikore, edicioni zero ka sjellë shfaqjen “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia” të regjisorit Mario Banushi, të dhënë dy herë, një panel diskutimi dhe një masterklasë me regjisorin e njohur nga Bosnjë-Hercegovina, Dino Mustafiq.

Shfaqja e Banushit, e cila ndërton rrëfimin përmes trupit, gjesteve dhe imazheve skenike, pa u mbështetur në tekst, ka qenë një prej pikave qendrore të programit. 

Për organizatoren Rebeka Qena, përvoja e shikimit të shfaqjes ka qenë dëshmi e fuqisë së teatrit për ta prekur njeriun edhe pa fjalë.

“Është një shfaqje që nuk përdor tekst, por arrin të të prekë në një mënyrë shumë njerëzore. Di të ta prekë shpirtin, të të tregojë një rrëfim dhe të të bëjë të mendosh. Tregon se mund të komunikosh edhe pa fjalë. Nëse je aktor, regjisor apo pjesë e publikut, shfaqja ta vërë në lëvizje imagjinatën”, ka thënë ajo.

Qena ka treguar se, pavarësisht profesionit apo përvojës jetësore, reagimet e publikut kanë qenë të ngjashme, pasi shfaqja ka arritur të prekë dimensione të përbashkëta njerëzore. 

“Teatri është një formë arti që të fisnikëron, ta pasuron shpirtin, të mëson diçka dhe të vë përballë pyetjeve. Shfaqjen që e kam parë sot në mëngjes, në njëfarë mënyre, e kam kuptuar më qartë dhe e kam ndier më afër shpirtit tim. Pse të mos kemi përvoja të tilla?”, ka thënë Qena.

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, e ka vlerësuar shfaqjen e Banushit si një prej pikave të rëndësishme të edicionit. 

“Shfaqja ‘Taverna Mirësia’ është nderim dinjitoz për këtë ngjarje, me një histori thellësisht njerëzore, e sjellë në skenë me mjeshtëri dhe emocion të pashoq”, ka thënë ajo.

Programi është plotësuar me panelin e diskutimit “Pse ende mblidhemi: Teatri në terrene të lëkundura?”, i cili ka mbledhur këndvështrime të artistëve nga Kosova dhe rajoni për rolin e teatrit në një realitet të shënuar nga pasiguria, pabarazia dhe ndarjet shoqërore. 

Për organizatorët Rebeka Qena, Armend Smajli dhe Kushtrim Koliqi, edicioni zero ka shërbyer si test për organizimin dhe si mundësi për ta shpalosur konceptin e festivalit përpara edicioneve të ardhshme. Ndonëse mund të duket e pazakontë që një festival ndërkombëtar të nisë me një edicion zero, kjo zgjedhje është menduar si pikënisje për ta përcaktuar identitetin, standardet dhe kahen e tij.
Rebeka Qena ka thënë se emri i festivalit lidhet me nofkën e Muharrem Qenës, ndërsa ideja është që veprimtaria e tij artistike të shërbejë si frymëzim për një platformë që përfshin disiplina të ndryshme.

“Festivali e mban emrin e nofkës së Muharrem Qenës. Ideja ka qenë të nderojmë një personalitet dhe të frymëzohemi nga puna e tij. Puna e tij ka kaluar nga një art në tjetrin, nga një fushë në tjetrën: nga teatri te muzika dhe filmi. Ai përmbledh një sërë arteve të ndryshme, gjë që synojmë ta arrijmë edhe ne përmes festivalit”, ka thënë ajo.

Lidhja midis muzikës dhe kujtesës familjare shfaqet edhe në albumin e saj debutues solo, të cilin Ramadani ia ka kushtuar familjes së saj që ka emigruar në Gjermani

Sipas saj, ky edicion ka qenë mundësi për të treguar se si organizatorët e mendojnë platformën dhe çfarë duan të ndërtojnë në të ardhmen.

“Duam të shpalosim se kush jemi dhe çfarë synojmë të bëjmë. E kemi quajtur edicion zero, sepse gjithçka fillon nga zero”, ka thënë Qena.

Në fjalën përmbyllëse, ajo ka thënë se teatri është hapësirë për liri në kohën kur luftërat janë gjithandej. 

“Në një kohë kur luftërat, pabarazia dhe autoritarizmi po i thellojnë ndarjet mes njerëzve, besojmë se teatri duhet të mbetet hapësirë e lirisë, demokracisë dhe rezistencës ndaj heshtjes. Dëshirojmë t’i thyejmë këta kufij dhe ta bëjmë këtë së bashku me ju”, ka thënë ajo.

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vlerësuar se festivali është mënyrë për ta mbajtur gjallë kujtesën për Muharrem Qenën dhe për ta njohur kontributin e tij në kulturën e Kosovës. Sipas saj, prania shpirtërore e artistit vazhdon të dëshmohet përmes veprës që ka lënë pas.

“Të nderosh një jetë të pasur krijuese nuk është e lehtë. Po ashtu, njohja e vlerës dhe shënimi i kontributit të një figure të ndritur është një sipërmarrje madhore, sidomos kur bëhet fjalë për një kontribut me ndikim të gjerë në shoqëri dhe kombin. I tillë është Muharrem Qena, artist shumëdimensional, njëri prej të parëve të këtij lloji në vendin tonë. Ai shpërndau tinguj dhe emocione nga Mitrovica e tij e lindjes, në Prishtinë dhe kudo nëpër Kosovë”, ka thënë ajo. 

E ka vlerësuar figurën shumëdimensionale të Muharrem Qenës.

“Si aktor, ai ndezi shkëndijat e para të traditës teatrore në disa nga qendrat e Kosovës. Si regjisor, kultivoi dhe përcolli te të gjithë ata që e rrethonin pasionin për artin dhe skenën, madje edhe në kushtet e vështira të viteve ’90.  Si kompozitor dhe këngëtar, kultivoi një rrymë të veten, duke gërshetuar në mënyrë shumë origjinale tradicionalen me modernen. Ai e bëri këtë me po aq ëmbëlsi e nostalgji, por edhe me shpresë. Natyrisht, më së shumti na prekin këngët e Muharrem Qenës, sepse në to shkrihet i gjithë talenti i tij i gjerë. Në ato këngë, gjithkush e gjen veten në një mënyrë apo tjetër. Nëse ndonjëherë ju duket sikur Muharrem Qena po ju këndon drejtpërdrejt, ka shumë gjasë që pikërisht kështu të jetë”, ka thënë Bogujevci para të pranishmëve. 

Muharrem Qena (1930–2006) ishte aktor, regjisor, dramaturg, skenarist dhe këngëtar, një prej figurave që kanë ndikuar në zhvillimin e teatrit dhe muzikës shqiptare në Kosovë. I lindur në Mitrovicë, ai iu bashkua grupit të aktorëve themelues të Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë më 1948 dhe gjatë karrierës vuri në skenë rreth 200 shfaqje teatrale. Si regjisor, u shqua veçanërisht me shfaqjen “Erveheja”, e cila më 1967 fitoi pesë çmimet kryesore në Festivalin e Novi-Sadit. Krahas teatrit, ai krijoi një repertor të njohur muzikor, ku gërshetoi traditën me tingujt modernë dhe solli këngë që vazhdojnë të interpretohen nga artistë të brezave të mëvonshëm.

Për Bogujevcin, Qena nuk është vetëm një emër i rëndësishëm i së kaluarës, por një figurë që vazhdon të ndikojë në jetën kulturore të Kosovës.

“Muharrem Qena nuk është thjesht artist. Ai është institucion dhe trashëgimi kulturore, fryt i talentit, punës dhe dashurisë për vendin e njerëzit”, ka thënë ajo.
Me koncertin e Ibadet Ramadanit, edicioni zero i festivalit ndërkombëtar të teatrit “La Rremë” e ka përmbyllur programin duke e lidhur teatrin me muzikën dhe trashëgiminë e Muharrem Qenës.