Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

Concert commémoratif pour la révolution hongroise, en hommage et en appel à la liberté

héritage hongrois

Trashëgimia hungareze përfaqësohet edhe përmes himnit tradicional “Boldogasszony Anyánk”, i njohur që nga burimet e fillimshekullit 18-të dhe i lidhur ngushtë me kujtesën fetare e kulturore të Hungarisë

Një mbrëmje e veçantë e muzikës klasike do të shënojë 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez. Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, të martën mbrëma do të interpretohet një program që ndërthur trashëgiminë muzikore hungareze me atë evropiane. Nëpërmjet muzikës për organo dhe kor, koncerti synon të jetë njëkohësisht homazh për viktimat e konflikteve dhe të shtypjes, si dhe një thirrje për liri, dinjitet njerëzor dhe solidaritet.

“Remember. Forgive. Pray” (Kujto. Fal. Lutu) është motoja e mbrëmjes, e konceptuar si një akt përkujtimi përmes muzikës dhe lutjes. Në qendër të saj është përvjetori i revolucionit të vitit 1956 në Hungari, ngjarjes historike që u shndërrua në një prej simboleve të qëndresës kundër shtypjes dhe përpjekjes për liri. Programi, megjithatë, nuk kufizohet vetëm në kujtesën historike hungareze. Ai u kushtohet në një rrafsh më të gjerë të gjithë atyre që kanë vuajtur nga konfliktet dhe shtypja, duke e trajtuar muzikën si gjuhë universale që kapërcen kufijtë kombëtarë.

Programi nis me “Requiem für die Orgel, S. 266” të Franz Liszt, vepër e vitit 1883, në të cilën organoja bart një gjuhë dramatike dhe shpirtërore, të lidhur me traditën e liturgjisë katolike të përkujtimit të të vdekurve. Pas saj vjen “Missa Tertia” e kompozitorit hungarez Lajos Bárdos, e ndërtuar mbi pjesët tradicionale të meshës latine: “Kyrie”, “Gloria”, “Sanctus”, “Benedictus” dhe “Agnus Dei”. Në program është edhe “Fugue in A minor, BWV 561” e Johann Sebastian Bach, një prej veprave që nxjerr në pah ndërtimin polifonik dhe fuqinë shprehëse të organos.

Pjesa tjetër e koncertit sjell edhe dy vepra të njohura të repertorit të muzikës së shenjtë. Sopranoja Arta Jashari do të interpretojë “Pie Jesu”, nga “Requiem, Op. 48”, të Gabriel Fauré, ndërsa sopranoja Martina Lekaj do të interpretojë “Panis Angelicus” të César Franck. Këto dy krijime, nëpërmjet melodive lirike dhe gjuhës së tyre të përmbajtur muzikore, i japin programit një dimension meditativ, duke e zhvendosur theksin nga dramatika e përkujtimit drejt lutjes dhe kërkimit të paqes.
Trashëgimia hungareze përfaqësohet edhe përmes himnit tradicional “Boldogasszony Anyánk”, i njohur që nga burimet e fillimshekullit 18-të dhe i lidhur ngushtë me kujtesën fetare e kulturore të Hungarisë. Ndërkaq, “Verleih uns Frieden” (Na dhuro paqe), e Felix Mendelssohn Bartholdy e shkruar më 1831, sjell një lutje korale për paqe, të mbështetur në tekstin e Martin Lutherit. Në përmbyllje është paraparë “Esti dal” (Kënga e mbrëmjes) e Zoltán Kodályt, e vitit 1938, të cilën do ta interpretojë Arta Jashari.

Një prej pikave më të veçanta të koncertit do të jetë premiera botërore e veprës “Atdheut” të Emanuel Mates, e bazuar në tekstin e Gjergj Fishtës. Përfshirja e një krijimi shqiptar në një program kushtuar një ngjarjeje të rëndësishme të historisë hungareze synon të sjellë në vëmendje lidhjet historike dhe kulturore ndërmjet dy popujve. Përmes tekstit të Fishtës dhe kompozimit të Matesit, atdheu, identiteti kombëtar dhe etja për liri bëhen pjesë e një reflektimi më të gjerë mbi aspiratat që tejkalojnë kufijtë dhe brezat.

Në këtë mënyrë, premiera e “Atdheut” nuk është vetëm një përfaqësim i krijimtarisë bashkëkohore shqiptare në një program me vepra të traditës evropiane. Ajo vendos në dialog dy trashëgimi kulturore dhe dy përvoja historike, duke e zgjeruar kuptimin e mbrëmjes përtej përkujtimit të një date.
Koncerti do të udhëhiqet nga Emanuel Mates, i cili është njëherësh dirigjent, organist dhe kompozitor, ndërsa përgatitja vokale e ansamblit është realizuar nën drejtimin e Elife Podvorica-Jasharit. Shoqërimi në organo i korit do të bëhet nga Magdalena Sedaj. 

Përmes këtij programi, organizatorët synojnë që përkujtimi i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 të mos mbetet vetëm një kthim në një kapitull të historisë, por të shërbejë si pikënisje për reflektim mbi pasojat e konflikteve, shtypjen dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes së lirisë e dinjitetit njerëzor.