Soutenez TIME. Préservez la vérité.
JOURNAL DU SOIR

À l'échéance de juin, le Kosovo a perdu plus de 43 millions d'euros du Plan de croissance.

Zulfaj

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, të hënën, është takuar me anëtarët e komisionit për Integrime Evropian në Kuvend. Ai ka informuar deputetët për veprimet që janë ndërmarrë e duhet të ndërmerren nga obligimet që dalin prej Planit të Rritjes, e për shumën e mjeteve që Kosova ka humbur deri më tani

43.8 milionë euro është shuma e mjeteve që Kosova ka humbur nga Plani i Rritjes, për shkak të mosrealizimit të masave në afatin e qershorit, sipas llogarisë që ka bërë Qeveria.

Në takimin me anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian, të hënën, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se nga 13 hapat e paraparë, janë zbatuar vetëm shtatë prej tyre.
Për zbatimin e masave, afati i të cilave skadon në fund të dhjetorit, Zulfaj ka kërkuar përkrahjen e deputetëve. Nga 22 hapa që duhet zbatuar, sipas tij, 10 duhet të miratohen nga Kuvendi.

“Shumica prej tyre duhet të miratohen në procedurë të përshpejtuar, këtu Komisioni ka rol tejet të rëndësishëm të shtyrjes përpara të një konsensusi partiak për agjendën e reformave. Mendojmë që agjenda kërkon mobilizimin e të gjithëve, prandaj e çmojmë shumë angazhimin tuaj...”, ka thënë ai. 

Nga Zulfaj është kërkuar përgjigje për përgjegjësitë e humbjes së mjeteve financiare nga BE-ja.

“Kush mendoni se kanë qenë akterët që janë vonuar ose e kanë shkaktuar këtë humbje. Kush ka përgjegjësi sepse edhe këto masa kanë institucionin mbi vete që kanë përgjegjësi me i zbatu”, ka pyetur Jehona Lushaku- Sadriu, kryetare e komisionit – deputete nga radhët e LDK-së. 

E sipas Zulfajt, fajtori duhet kërkuar diku tjetër.

“Përgjegjësinë mendoj që duhet ta kërkoni në Kuvend për vitin që ka humbur e në Kuvend ta shpërndani sipas madhësisë, por siç e dini, VV-ja nuk i ka pasur të gjithë numrat për të bërë agjendën gjatë gjithë kohës”, ka thënë Zulfaj.

Pjesë e masave që duhet zbatuar deri në fund të vitit, është edhe miratimi i projekt-kodit civil. 

“A ka punuar partia në pushtet, qeveria, që me i siguru votat për kalimin e këtij ligji për shkak se ne e dimë se cilat janë dallimet edhe ju i keni votat, i keni 63 vota në Kuvend si mazhorancë”, ka pyetur anëtarja e komisionit dhe deputetja nga radhët e Aleancës, Time Kadrijaj.

Për këtë çështje, Zulfaj ka thënë se shpreson se do të përkrahet nga deputetët me votë për.

“Unë shpresoj që të ketë konsensus shoqëror në lidhje me vlerat që janë të përfaqësuara në Kodin Civil, e të cilat po besoj u ndajnë shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ashtu që kodi pastaj të jetë e dalur e kuvendit me një legjitimitet dhe konsensus të gjerë shoqëror”, ka thënë ai.

22 masat që duhet zbatuar deri në fund të dhjetorit, sipas vlerësimit të Qeverisë, kanë vlerën 131.4 milionë euro. 

Këto mjete, janë në kuadër të fondit 6 miliardë eurosh të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, nga i cili Kosova në dispozicion ka mbi 800 milionë euro.