Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Colonne

Le point de l'illumination collective

Për të vepruar shteti, atij i duhen institucionet. Nuk i duhen kalkulime të pafundme politike. Fakti që kemi shkuar sa herë në zgjedhje për kot, na ka dobësuar si shtet. Shtetin për të cilin askush nuk e pati asnjë ndjenjë dashurie, përderisa kalohej koha nëpër hollin e Kuvendit dhe studiot televizive duke goditur kundërshtarët politikë me akuza e teori konspiracioni, pavarësisht nga cila anë vinin. Ta kishin pasur përnjëmend krejt subjektet politike dashurinë për shtetin dhe fuqinë e veprimit të mekanizmave të tij, nuk do të gjendeshim midis edhe një krize që mund të na dërgojë në zgjedhje të reja

E mërkura e 16 shtatorit e paralizoi jetën thuajse tërësisht në Kosovë. Të mbledhur nëpër sheshe të qyteteve e qytezave, e plot të tjerë të ngujuar para ekraneve televizive, njerëzit e përcillnin me shumë vëmendje transmetimin, me plot gabime teknike, nga Haga. Pas thuajse gjashtë vjetësh procesi, po shpallej aktgjykimi i Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Mënyra se si gjykatësi e nisi arsyetimin, tashmë bënte të kuptonim se aktgjykimi do të ishte dënues. Ajo që nuk dihej ishin kohëzgjatja dhe pikat për të cilat janë gjendur fajtorë.

Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin. Trupi gjykues vendosi që Thaçi e Krasniqi të dënoheshin me 25 vjet; Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet burgim – që të katër për krime lufte, përkatësisht: ndalim të paligjshëm dhe arbitrar (për arrestimin dhe mbajtjen e të paktën 385 personave në qendra ndalimi në Kosovë dhe veri të Shqipërisë); trajtim mizor (ndaj 49 personave); torturë (ndaj 303 personave) dhe vrasje të paligjshme (për 96 raste të vrasjeve të personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime).

Gjykata i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues vlerësoi se “prokuroria nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se këto krime ishin pjesë e një sulmi të gjerë apo sistematik ndaj popullatës civile”.

Aktgjykimi i plotë iu dha palëve në formë elektronike. Dikur, kur ta vlerësojë, gjykata do ta publikojë, të redaktuar, (pra do të fshihen informatat që kanë të bëjnë me dëshmitarët dhe informatat e klasifikuara të mbledhura në seanca të mbyllura), për opinionin e gjerë.

* * *

Reagimet qenë të menjëhershme. Ai më i theksuari qe i mllefit ndaj Speciales, që ani pse e themeluar nga Kuvendi i Kosovës me votat e shumicës së deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, në masë quhet gjykatë ndërkombëtare.

Pa asnjë dyshim është gjykatë sui generis. Si Kosova. Po ajo Kosovë që vetes ia ka krijuar para më shumë se një dekade. E pse e krijoi? Nuk e besoj se do ta kemi krejtësisht të qartë ndonjëherë. Por, mbase e krijoi për shkak se Kosova dështoi të merrej me krimet që kishin ndodhur në Kosovë edhe gjatë, por edhe pas luftës, e që ishin më shumë të natyrës politike.

Sepse në fund po nënkuptohet (ende pa dalë aktgjykimi i plotë) se viktimat kryesore për të cilat të katërtit u dënuan janë në fakt shqiptarë.

Edhe pse gjatë shpalljes së aktgjykimit u theksua, jo vetëm një herë, që përgjegjësia është individuale dhe se barra e përgjegjësisë nuk mund të bartet tek e gjithë UÇK-ja apo edhe ta godasë për këtë arsye pavarësinë e Kosovës, megjithatë masa që mblidhet qe disa ditë me radhë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e shpreh bindjen e kundërt: se me dënimin e katër ish-udhëheqësve, në fakt është dënuar e gjithë UÇK-ja.

* * *

Mbledhja e shumë njerëzve që bartin bluza me stemën e UÇK-së, fotografitë e të katërve; me fjalët “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër” na kthen 28 vjet prapa kur krisi lufta. Atëbotë e dinim se kishte grupe të armatosura që operonin kryesisht në Drenicë, por nuk e kishim idenë e saktë se kush ishin dhe as sa ishin. Kur nisën të dilnin komunikatat e kuptuam se grupi i të armatosurve e quanin veten UÇK.

Disa prej nesh që kishim kaluar kohën në terren, disa ditë pas sulmit në Prekaz u bindëm se njëmend ekzistonin; se bartnin uniforma; kishin armë të gjata dhe se në njërin krah e bartnin stemën e UÇK-së.

Me egërsimin e sulmeve të forcave serbe nëpër fshatrat e Drenicës e dikur më vonë edhe të Dukagjinit, merrnim raporte për luftime; për rezistencën e atyre që ishin dobët të armatosur dhe për shkatërrimet në masë që po ndodhnin kudo ku kishte këmbime zjarri.

Dhe përnjëherë, të gjithë nisëm të brohorisnim: “Krejt Kosova UÇK!”

Por, kjo ishte shumë larg të së vërtetës. Ishte frazë që nuk përkonte me realitetin. Sepse UÇK-ja, në fund të luftës, sipas listës zyrtare që ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Agim Çeku, ua kishte dorëzuar forcave të KFOR-it, numëronte gjithsej 13.458 pjesëtarë (Shtabi i Përgjithshëm, 39; ZO e Llapit, 4.523; ZO e Drenicës, 2.611; ZO e Pashtrikut, 1.715; ZO e Dukagjinit, 1.537; ZO e Shalës, 1.253; ZO e Nerodimes, 1.253; ZO e Karadakut, 347 dhe njësitë e tjera 180. Logjikisht, në këtë listë nuk ishin përfshirë dëshmorët që besohet të kenë qenë mes 2.500 dhe 3.000.

Me këtë numër pjesëtarësh ka qenë e pamundur të mundet një nga ushtritë më të mëdha në Evropë, që vlerësohej se kishte diku rreth 100 mijë trupa ushtarake, policore e paramilitare në terren. Dhe falë bombardimit të NATO-s, sado që mund të na prekë në sedër, Kosova u çlirua. Dhe se kontrollin e territorit tonë e mori KFOR-i, i cili edhe e negocioi tërheqjen e trupave serbe në Kumanovë, pa pjesëmarrjen tonë.

Kaq sa për dashurinë tonë për UÇK-në atëherë.

E të cilën dashuri më pas e rritëm me një numër të pabesueshëm veteranësh – vetë, pa na detyruar kush, duke e shtrembëruar edhe pak historinë tonë të bërë shoshë.

* * *

Pjesa më e rëndësishme e aktakuzës kishte të bënte me krimet kundër njerëzimit – dhe kjo pikë ka rënë në aktgjykim. Pra, nuk ka pasur dhunë sistematike të pjesëtarëve të UÇK-së ndaj popullatës serbe - gjë e cila është lehtë e vërtetueshme – si për nga përmasat minimale të shkatërrimit të vendbanimeve me popullsi serbe, ashtu edhe me numrin e të vrarëve dhe të zhdukurve të këtij komuniteti. E këto shifra nuk janë përralla. Janë fakte.

Dhuna sistematike dhe e synuar për zhdukjen e shqiptarëve ka qenë ajo e pushtetit të Serbisë. Nëse asgjë tjetër, do të mjaftojë shifra e 800 mijë të dëbuarve nga Kosova që edhe pas 27 vjetësh, i kanë kujtimet shumë të freskëta se si ka ndodhur dhe sa poshtërim ka mundur kjo t’u shkaktojë.

Kjo do të thotë se nëse synimi është që në shkallë të dytë të hidhet poshtë e gjithë lënda, duhet punuar fuqishëm dhe në formë të koordinuar për ta përgatitur mbrojtjen. Atë që kemi parë në gjashtë vjetët e fundit është se ekipet e avokatëve kanë punuar individualisht, në mbrojtje të interesit të secilit të akuzuar. Thuajse nuk ka pasur strategji të përbashkët dhe thuajse kishte nevojë që prej të katërve të veçohej vetëm Thaçi, emri i të cilit më së shpeshti përsëritej në opinion dhe që ishte i vetmi që doli me dy intervista me shkrim gjatë qëndrimit në paraburgim. Në fund, mbase përzgjedhja e avokatëve nuk paska qenë e duhura – aktgjykimi dënues mund t’u vihet lehtësisht në barrë edhe atyre.

Udhëheqësit e PDK-së u aktivizuan menjëherë dhe kërkuan veprimin e shtetit karshi situatës së krijuar. Heshtën deri në aktgjykim, duke shpresuar për një vendim gjyqësor lirues, dhe e luajtën lojën e bllokadave politike që nga viti i shkuar. Taktika nuk u funksionoi, sepse Specialja nuk varej nga ta. Sado që na duket gjykatë problematike, nuk ishte e rastësishme se përse selia u vendos në Hagë dhe përse të gjithë prokurorët dhe gjykatësit ishin të huaj.

E për të vepruar shteti, atij i duhen institucionet. Nuk i duhen kalkulime të pafundme politike. Fakti që kemi shkuar sa herë në zgjedhje për kot, na ka dobësuar si shtet. Shtetin për të cilin askush nuk e pati asnjë ndjenjë dashurie, përderisa kalohej koha nëpër hollin e Kuvendit dhe studiot televizive duke goditur kundërshtarët politikë me akuza e teori konspiracioni, pavarësisht nga cila anë vinin. Ta kishin pasur përnjëmend krejt subjektet politike dashurinë për shtetin dhe fuqinë e veprimit të mekanizmave të tij, nuk do të gjendeshim midis edhe një krize që mund të na dërgojë në zgjedhje të reja.

* * *

Protestat edhe mund të vazhdojnë pa fund, porse kërkesa e zhbërjes së Speciales zor se do të mund të arrihet, mu për shkak të mënyrës se si është themeluar. Mund të ketë kërkesa të pafundme për dorëheqje të atij apo këtij, por as kjo nuk do ta ndërrojë faktin se të katërtit mbesin në burg deri në një vendim tjetër.

Mbase dënimi i tyre do të duhej të shërbente si pikë e kthjellimit kolektiv, sidomos mes politikanësh. Do të kemi nevojë për një veprim të koordinuar e të unifikuar diplomatik për ta mundur interpretimin e aktgjykimit që ia bën Serbia dhe për ta luftuar çfarëdo fushate që kjo do të nisë nëpër botë.

Përderisa politikanëve tanë u kalon koha duke hedhur gurë ndaj njëri-tjetrit, ai i treti, jashtë kufijve, e shfrytëzon me cinizëm paaftësinë tonë të dëshmuar për të qenë një shtet serioz.

[email protected]