Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« Une odyssée de puces » décrypte l’esprit de développement de Taïwan

Le documentaire « A Chip Odyssey », qui a inauguré le « Taiwannese Film Weekend » au cinéma « Kino Armata » de Pristina vendredi soir, est le premier à aborder de manière exhaustive l'histoire du développement de l'industrie des semi-conducteurs à Taïwan.

Le documentaire « A Chip Odyssey », qui a inauguré le « Taiwannese Film Weekend » au cinéma « Kino Armata » de Pristina vendredi soir, est le premier à aborder de manière exhaustive l'histoire du développement de l'industrie des semi-conducteurs à Taïwan.

E nisi nga zeroja, por shpejt u bë lider në prodhimin e çipave. Dhe kjo nuk është vetëm një histori e zhvillimit teknologjik. Nëpërmjet dokumentarit “A Chip Odyssey” mund të “lexohet” fryma e Tajvanit, filozofisë së tij, vendosmërisë së këtyre njerëzve për ta çuar përpara vendin e vet. Ka qenë mënyra më e mirë për ta hapur “Fundjavën e Filmit Tajvanez” në Prishtinë, e cila sjell imazhin e këtij ishulli që “fsheh” histori mbresëlënëse. “Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët atë që ka çfarë të tregojë Tajvani”, ka thënë Elliot Wang, përfaqësuesi i Ambasadës së Tajvanit në Hungari

Në sallën e “Kino Armatës”, muzika tajvaneze i ka paraprirë fikjes së dritave dhe nisjes së udhëtimit kinematografik drejt vendit që për shumëkënd mbetet i largët. Posteri i “Taiwan Film Weekend” ka pritur publikun në hyrje, ndërsa filmi dokumentar “A Chip Odyssey” i regjisores Hsiao Chu-chen, ka hapur të premten mbrëma një ngjarje që, përmes kinemasë, synon ta afrojë kulturën, historinë dhe shoqërinë e Tajvanit me publikun në Prishtinë.

Filmi i vitit 2025 është dokumentari i parë që e trajton në mënyrë të gjerë historinë e zhvillimit të industrisë së gjysmëpërçuesve në Tajvan. Ndjek rrugëtimin e vendit nga një shoqëri me ekonomi të koncentruar kryesisht në bujqësi drejt shndërrimit në një prej qendrave kryesore të industrisë globale të çipave. Përmes intervistave me më shumë se 80 persona që kanë qenë dëshmitarë ose pjesëmarrës në këtë transformim – nga inxhinierët e gjeneratës së parë e punëtoret e fabrikave, te politikëbërësit, shkencëtarët dhe inxhinierët e rinj – filmi e vendos teknologjinë brenda historisë njerëzore të këtij vendi.

“A Chip Odyssey” nuk ndalet vetëm te teknologjia. Në qendër të tij është një brez inxhinierësh që në periudhën kur Tajvani kishte pak përvojë në këtë fushë, udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për të mësuar teknologjinë e prodhimit të gjysmëpëruesve dhe për ta kthyer atë njohuri në vend. Dokumentari e ndërton këtë histori përmes arkivave dhe dëshmive të personazheve, duke treguar se si një industri që nisi nga zeroja u shndërrua në shtyllë të rëndësishme të teknologjisë botërore.

Filmi i Hsiao Chu-chen ka shërbyer edhe si një hyrje në kulturën bashkëkohore të Tajvanit, ku historia e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik lidhet me mënyrën se si një shoqëri e ka përfytyruar mbijetesën, punën dhe të ardhmen e saj.

Për publikun në Prishtinë, kjo histori është shfaqur jo vetëm si një rrëfim për çipat, por ka qenë edhe mënyrë për të parë Tajvanin përtej imazhit të një fuqie teknologjike.

“Fundjava e Filmit Tajvanez” për tri net sjell në Prishtinë vepra kinematografike që shpërfaqin këndvështrime të ndryshme të këtij vendi 

Përfaqësuesi i Ambasadës së Tajvanit në Hungari, Elliot Wang, ka thënë se prania e publikut në “Kino Armata” është një pikënisje për ta bërë më të njohur Tajvanin në Kosovë. Ai ka treguar se kinemaja është një prej mënyrave më të mira për ta prezantuar kulturën e një vendi.

“Sot shohim një numër të madh të publikut. Ata mund ta shohin këtë film që flet për mënyrën se si Tajvani është bërë lider i industrisë së gjysmëpërçuesve në botë. Kjo është hera e parë që po e organizojmë këtë ngjarje dhe, natyrisht, nëse publiku në Kosovë e pëlqen kulturën tonë dhe e shijon atë, ne do të donim të ktheheshim çdo vit. Kinemaja është një mënyrë e shkëlqyer për ta prezantuar kulturën”, ka thënë ai për KOHËN.

Wang ka thënë se përmes këtij programi synohet të prezantohet edhe forca e kinemasë tajvaneze, përtej industrisë së teknologjisë.

“Ndoshta njerëzit këtu nuk e dinë se industria e filmit është gjithashtu mjaft e fuqishme në Tajvan dhe se disa nga filmat tanë janë mjaft të njohur dhe të vlerësuar në nivel global. Mendoj se disa prej jush mund ta njihni një regjisor shumë të famshëm ndërkombëtar, Ang Lee, i cili është nga Tajvani. Gjatë kësaj fundjave do të shfaqen edhe tre filma të tjerë tajvanezë, nën regji të një tjetër regjisori shumë të njohur, Edward Yang. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët atë që ka çfarë të tregojë Tajvani”, ka thënë ai më tej.

Wang ka treguar se, duke qenë hera e parë që një program i tillë organizohet në Prishtinë dhe në një kohë kur në qytet po zhvillohen protesta, synimi ka qenë që kjo të shihet si fillimi i një komunikimi më të gjatë kulturor.

“Mendoj se ky është një fillim i mirë. Nuk presim që herën e parë të vijnë shumë njerëz, sepse ende nuk ka shumë njerëz që e njohin Tajvanin. Por pikërisht nga këtu do të doja ta nisnim. Shpresojmë të kthehemi shumë shpesh dhe që me kalimin e kohës të kemi më shumë njerëz që ta njohin dhe ta pëlqejnë kulturën tonë”, është shprehur Wang.

“A Chip Odyssey” ka krijuar lidhje të drejtpërdrejtë edhe me përvojën e disa prej pjesëmarrësve në sallë.

Betim Hoxha, asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ka treguar se vetëm pak muaj më parë kishte qenë në Tajvan në kuadër të një programi trajnimi për gjysmëpërçuesit.

“Në dy javët e para të korrikut kam qenë në Tajvan. Kemi pasur një bursë prej përfaqësuesve të Tajvanit. Kemi qenë disa studentë në një trajnim shumë interesant me gjysmëpërçues, siç njihen, me prodhimin e çipave. Disa ditë kemi kaluar edhe në Taipei. Sot patëm rastin të shohim edhe një dokumentar se si është marrë ideja, si kanë arritur t’i krijojnë çipat dhe përfaqësimin e gjysmëpërçuesve për krejt botën”, ka thënë ai.

Hoxha ka thënë se dokumentari e ka bërë më të prekshme historinë që qëndron pas industrisë tajvaneze të çipave.

“Me pamjen e historisë në dokumentar e pamë që ata kanë filluar prej zeros. Nuk kanë pasur asnjë eksperiencë, kanë shkuar në një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, janë trajnuar dhe janë kthyer, kanë punuar në vendin e tyre”, ka thënë ai.

Për Frederique Hanotier nga Belgjika, rrëfimi i dokumentarit ka qenë mbi të gjitha një histori për fuqinë e besimit në një ide dhe për këmbënguljen e një grupi njerëzish përballë vështirësive.

“M’u duk magjepsëse të shihja fuqinë e qenies njerëzore, të një grupi njerëzish, miqsh, të cilët ishin të lidhur nga sinqeriteti dhe që besonin vërtet në një ide. E gjeta magjepsëse mënyrën se si, kur beson në një ide, mund ta vësh atë në lëvizje dhe, pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat janë përballur, të vazhdosh të qëndrosh i bashkuar dhe të ecësh përpara”, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë se filmi tregon se si përkushtimi mund ta shndërrojë një ide në një projekt me përmasa të mëdha.

“Mendoj se tregon se, kur beson në një ide, kur ke vlera të sinqerta dhe je i përkushtuar e i dedikuar, mund të arrish majat. Dhe këtë e thanë edhe në fund: bëhet fjalë për mbijetesën dhe nuk ka alternativë tjetër. Ata mund të kenë sukses vetëm sepse kjo është e vetmja mundësi për të mbijetuar. Në të njëjtën kohë, ai ilustron edhe atë që ndodh kur e gjithë fuqia përqendrohet në një vend. Dua të them rrezikun që kjo përfaqëson dhe, lidhur me inteligjencën artificiale, tregon se si gjatë historisë ata janë bërë gjithashtu objektiv strategjik gjeopolitik dhe një fuqi e rëndësishme”, ka konsideruar ajo.

Edhe Armin Rabitsch nga Austria, i cili ka ndjekur prej kohësh historinë e kësaj industrie, ka thënë se dokumentari e ka bërë më të prekshme rëndësinë e saj.

“E kam ndjekur historinë e kësaj kompanie për një kohë, kështu që jam i vetëdijshëm për rëndësinë e saj gjeostrategjike. Është mbresëlënëse të shohësh historinë në dokumentar dhe mënyrën se si ata kanë arritur t’i gjejnë njerëzit që kanë qenë pjesë e atij udhëtimi drejt SHBA-së në fillim”, është shprehur ai.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Tajvanit në Hungari, Elliot Wang, ka thënë se prania e publikut në “Kino Armata” është një pikënisje për ta bërë më të njohur Tajvanin në Kosovë. Ka thënë se kinemaja është një prej mënyrave më të mira për ta prezantuar kulturën e një vendi

Ai ka thënë se në film do të kishte pasur hapësirë edhe për një dimension tjetër të historisë së Tajvanit.

“Mendova se do të ishte mirë të theksohej kjo luftë për një sistem demokratik, e cila mendoj se ishte disi e lënë anash në atë histori, fakti se Tajvani është një vend demokratik dhe zhvillon zgjedhje të lira. Ky është gjithashtu një objektiv i sulmeve të sigurisë kibernetike, i manipulimit dhe ndërhyrjes nga jashtë. Pra, kjo është gjithashtu një histori që mund të tregohej në të njëjtin dokumentar”, ka sugjeruar ai.

Megjithatë, ai e ka përshkruar përvojën e shikimit si një dokumentar që, përtej historisë së teknologjisë, sjell edhe pamje nga vendi dhe një tjetër mënyrë për ta njohur Tajvanin.

“Në tërësi ishte një dokumentar magjepsës. Është bukur të shohësh edhe peizazhet e vendit, malet, detin. Ishte argëtuese dhe është bukur të marrësh diçka me vete pas tij”, ka thënë ai në fund.

“A Chip Odyssey” ka qenë më shumë se një film hapës i “Fundjavës së Filmit Tajvanez”. Përmes historisë së çipave, filmi ka hapur një dritare drejt një shoqërie që e ka ndërtuar një pjesë të identitetit të saj modern mbi dijen, teknologjinë dhe përpjekjen kolektive, ndërsa përmes vetë kinemasë organizatorët kanë nisur ta zgjerojnë këtë njohje drejt historisë dhe kulturës së Tajvanit.

Pas dokumentarit, programi i “Fundjavës” vazhdon të shtunën me “Yi Yi” të Edward Yang, ndërsa të dielën shfaqen “In Our Time” dhe “A Taipei Story”. Janë veprat e njërit prej regjisorëve bëri revolucion në kinematografinë tajvaneze.