Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Colonne

Au revoir, capitaine.

Zenun Brovina dhe Erdogan Celina nuk kanë fituar sa Franco Baresi me Milanin. Mirëpo, për futbollin e Kosovës kanë qenë më shumë se kaq. E, megjithatë, i përcollëm disi në heshtje

Edmondi, djali i xhaxhait tim, kishte shkuar si fëmijë sefte në stadium dhe kishte parë një ndeshje të Prishtinës. I kishte pëlqyer njëri nga futbollistët dhe kishte nisur të ëndërronte të bëhej një ditë si ai. Futbollisti kishte pasur numrin 7 në shpinë dhe emrin: Zenun Brovina.

Pesëmbëdhjetë vjet më pas, Edmondi e kishte vetë numrin 7 në shpinë dhe po luante në skuadrën e njëjtë.  

Atë të diel kishin një ndeshje të veçantë. Luftë hesapi.

Grupi i tifozëve të Prishtinës kishte arritur në Çaçak dhe po marshonte me brohoritje nëpër rrugët e qytetit që të shpinin në stadium. Shumë nga banorët dhe banoret vendase po përpiqeshin të skajoheshin, e ndonjë nga ballkonet po ua bënte me dorë të rinjve që kishin ardhur për të brohoritur. Ishte tetor i vitit 1979 dhe Prishtina, e sapokthyer në Ligën e Dytë - Lindja të Jugosllavisë, po luftonte për të zënë vendin e parë dhe të kualifikohej në Ligën e Parë. Ishte ndeshje e xhiros së dhjetë dhe Borci ishte në vendin e parë, kurse Prishtina në të dytën me nga 12 pikë secila. Derbi shkuar derbit.

Në fushë kishte pasur një derbi futbolli, por pastaj në stadium kishin hyrë grupe të organizuara të vendasve të mbështetura nga policia dhe kishin nisur përleshjet me tifozët e Prishtinës.

aussi Colonne Le début de la fin du pouvoir en Albanie...

“Bëheshim në grupe nga tre, të mbështetur për shpine, ashtu që të mbroheshim nga tre anë. I bënim grushtet gati. Kush afrohej, bum. Na kanë rrehur, por edhe i kemi rrehur. Nuk jemi dorëzuar, as zbrapsur”, më ka thënë njëri nga pjesëmarrësit.

Ndeshja ka përfunduar 0:0. Mbrojtja e Prishtinës nuk ishte gjunjëzuar.

Edmondi kishte qenë brenda në fushë. E kishte ditur se në tribuna kishte qenë i vëllai i tij më i ri, atëbotë 18-vjeçar, Vetoni. Kishte vrapuar deri te tribuna ku kishin qenë tifozët e Prishtinës dhe kishte provuar ta ftonte në zhveshtore, ku do të kishte qenë i sigurt. Vetoni kishte qenë kokëfortë dhe i vendosur. Do të rrinte me shokët. Edmondi kishte provuar e kishte provuar dhe, në fund, duke ia ditur kokën të vëllait, ishte nisur të shkonte në zhveshtore. Sa ishte kthyer, e kishte gjetur veten të rrethuar nga disa huliganë që kishin zbritur nga tribunat. Ishte bërë gati për t’u përleshur i vetëm kundër turmës, por, në çast, e kishte parë se nuk ishte i vetëm. Shpinë për shpine me të kishte dalë Kapiteni. Erdogan Celina. Kishte pasur atë çehren e tij të prerë dhe të ashpër dhe grushtet të shtrënguara në gard. Huliganët nuk kishin guxuar të sulmonin, vetëm ishin endur si hiena rreth luanëve.

Erdogan Celina ka qenë njëri ndër qendërmbrojtësit më të mirë të Jugosllavisë. Luante pozicionin e “sweeperit”. Mbi 185 cm i gjatë, kishte ditur të pozicionohej, kishte ditur të lexonte hapësirën dhe lëvizjet, kishte ditur kur të reagonte dhe, kur kishte reaguar, nuk kishte lënë dilemë.

“Kur hynte Celina start, lisin ta shkulke”, qeshte Edmondi.

Futbollistët kishin arritur te autobusi i tyre dhe, pastaj, ishin ndalur diku në dalje të qytetit për t’i takuar tifozët. Edmondi e kishte kërkuar Vetonin dhe e kishte përqafuar fort. Nga tutje, Celina, kapiteni, ia kishte dhënë një tundje të lehtë koke që ky e kishte lexuar si mbështetje dhe miqësi.

„Ky ishte kapiteni im“, thoshte Edmondi.

Në njërën nga ndeshjet miqësore të përfaqësueses së Kosovës, i pashë të takoheshin dhe të përqafoheshin në zonën VIP. Celina e shikonte Edmondin si abeja vëllanë e vogël e Edmondi Celinën si një fëmijë idhullin e madh.

„Ky është kapiteni im“, më tha. Sa krenar ishte. Sa i lumtur.

Të dielën e shkuar e mora në telefon. Ai jeton në Kanzas City. Kishim kohë pa folur. E kisha marrë lajmin dhe nuk doja ta mësonte nga portalet.

„Ti shnosh, vëlla. Kapiteni na la“.

Ia dëgjova dënesjen. Edmondi është afër të shtatëdhjetave tashmë, por nuk po mund të mblidhte veten për të nyjëtuar asgjë të plotë.

Në copëzat e fjalëve mes dënesjesh, ishte një poezi e tërë për njeriun. Për futbollistin. Për Kapitenin.

aussi Colonne Apprendre de l'Ukraine, c'est être courageux et intrépide, et peut-être même apprendre à gagner.

Pastaj, mblodhi pak veten.

“Çfarë the për Zenunin? Më duket e përmende”.

“Na la, edhe ai”.

“O zot, idhulli im”.

Kështu e mori lajmin Edmondi.

Nuk e di si e kanë marrë lajmin institucionet, klubet, grupet e tifozëve.

A e kanë marrë?

Me fjalë të tjera: Na janë bërë aq shumë kapitenë, sa kemi harruar t’i nderojmë Kapitenët

PS

Erdogan Celina ka qenë pjesë e brezit të Prishtinës që dy herë ka qenë në plejof për të hyrë në Ligën e Parë të Jugosllavisë dhe pastaj ka luajtur me Trepçën, duke qenë edhe kapiten në disa ndeshje, në ligën e parë, duke arritur edhe në finale të Kupës së Jugosllavisë. Karrierën e ka përfunduar në Lirinë e Prizrenit në sezonin 1982/83.

Zenun Brovina ka qenë futbollisti i parë shqiptar i Kosovës që ka luajtur në Ligën e Parë të Jugosllavisë me Partizanin e Beogradit.

Celina e Brovina u varrosën të njëjtën ditë në dy vende të ndryshme. Pa zhurma. Pa grupe të tifozërive që do t’u këndonin kapitenëve që kanë krijuar historinë. Pa komemoracione institucionale. E ata ishin Kapitenët që kishin vënë themelet e asaj, mbi të cilën ne mburremi aq shumë sot.

aussi Colonne Nous n'avons rien à dire.

Nja dy javë para tyre, vdiq Franco Baresi, kapiteni i Milanit. Tifozët e tanishëm, mes tyre shumë që nuk kishin qenë të lindur, kur Baresi fitonte titujt 30 e kusur vjet më parë, thërrisnin: Ç’e solo un capitano (Është vetëm një kapiten). Me ta thërriste, me lot në sy, edhe Paolo Maldini, kapiteni i madh.

Mirëpo, prandaj ka dallime mes Milanit dhe Prishtinës, e mes Kosovës dhe Italisë. Ne i harrojmë rrënjët tona. Jo vetëm në futboll. Kudo.