I dërguari i tashëm i BE-së për dialog, Peter Sorensen, ka thënë se nuk ka afate për përmbylljen e dialogut. Më duket se është hera e parë në 15 vjet që dikush nga BE-ja e thotë këtë. Deri tash kemi dëgjuar se “nuk ka kohë për të humbur”, se “normalizimi gjithëpërfshirës duhet të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur“ e deri tek ambiciet se “dialogu duhet të përmbyllet brenda muajsh e jo vjetësh“. Tash kur në dialog dhe rreth dialogut pothuajse nuk ka fare zhvillime, nga ndërmjetësi i BE-së dëgjohet se nuk ka as afate. Kjo dëshmon se as në BE nuk ka një qëndrim konsistent rreth dialogut dhe se as BE-ja nuk e di se çfarë të bëjë me këtë proces të dështuar.
Para disa vjetësh, duke analizuar qëndrimet e palëve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe mungesën e gatishmërisë së BE-së për të thënë se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu, pata shkruar se me këtë ritëm dialogu mund të zgjasë edhe dhjetë vjet. Prej atij momenti kanë kaluar tashmë 12 vjet. E sot mund të jemi edhe më pesimist dhe t’ia shtojmë pritjeve për përmbylljen e plotë të dialogut edhe nja 10 vjet të tjera. Kurrë nuk ka qenë dialogu në një fazë kaq të ngadalësuar, kurrë në 15 vjetët e fundit nuk ka pasur më pak interes për të në BE, dhe asnjëherë ambiciet për përmbylljen e suksesshme të tij nuk kanë qenë më të ulëta sesa janë sot. Nuk ka takime as në nivel të kryenegociatorëve, e lëre më në nivelin e lartë politik. Nuk zbatohen marrëveshjet dhe aty-këtu dalin në sipërfaqe disa tema të harruara nga e kaluara. Palët shkëmbejnë akuzat ndaj njëra-tjetrës për mungesë gatishmërie për dialog. E, BE-ja e ka të gatshëm gjithmonë arsyetimin duke akuzuar palët për mungesë progresi.
Ja që tani mund të parashikojmë me një probabilitet shumë të lartë se në raportet e ardhshme të Progresit për Kosovën dhe Serbinë do të thuhet se situata e paqartë politike si në njërën ashtu dhe në tjetrën palë (sepse BE-ja i quan palë e jo shtete) ka qenë shkaktari kryesor i mungesës së progresit në dialog. Dhe nuk është e pavërtetë kjo, sepse Serbia ka hyrë në fazën e parafushatës zgjedhore, e në Kosovë fushata zgjedhore është tashmë gjendje permanente. Në situatë të tillë edhe për Kosovën dhe Serbinë dialogu është bira e fundit e kavallit.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Peter Sorensen, që tashmë është duke e vazhduar mandatin shtesë, e kishte trashëguar dialogun në një situatë tejet konfuze. E kishte trashëguar nga Miroslav Lajçak, për të cilin gjithnjë e më shumë diplomatë evropianë thonë se i ka mbajtur në lajthitje dhe nuk ka qenë i paanshëm ndaj palëve në dialog, duke fajësuar shpesh Kosovën dhe duke e relativizuar përgjegjësinë e Serbisë. Lajçak, i cili vetë pretendonte se i ka bindur palët që të miratojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, ka ndikuar që Serbia të mos ketë pasoja jo vetëm për refuzimin për ta nënshkruar atë, por edhe për deklarimin e qartë se as nuk do të zbatojë pikat kryesore të saj. Madje Serbia e kishte shprehur edhe përmes letrës së kryeministres së asaj kohe se nuk do të zbatojë disa pika të marrëveshjes. Miroslav Lajçak kishte thënë një moment se “ajo letër është tërhequr“, por deri më tash nuk kemi parë asnjë dëshmi se kjo vërtet ka ndodhur.
Për dallim nga periudha e Lajçakut dhe shefit të tij, Josep Borrell, të dy politikanë të dëshmuar me vepra si kundërshtare të pavarësisë së Kosovës, struktura e tashme që ka në dorë dialogun është më objektive. Por, Kaja Kallas, si përfaqësuese e lartë e BE-së për dialog nuk ka bërë asnjë veprim konkret në dy vjet të mandatit të saj, ndërkohë që Sorensen ka bërë aty-këtu disa vizita në Beograd dhe Prishtinë, disa raportime te vendet anëtare dhe ka organizuar disa takime në nivele teknike. Në këtë mënyrë ka rënë intensiteti i dialogut dhe me të edhe interesi i BE-së për të.
Gjasat që në BE të rritet interesi për dialog janë të vogla. Gjasat janë të mëdha që dialogu të ketë hyrë në një fazë të re të status-quos, e cila do të zgjasë edhe shumë kohë. Sepse për një proces, i cili zgjat më shumë se 15 vjet, për të cilin nuk është i definuar qartë qëllimi (normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve nuk është përkufizim i qartë i qëllimit, por një shprehje tepër e zgjeruar) nuk mund të ketë interes të madh në BE. Me krizën e brendshme politike, e cila është sa e paqartë për bashkësinë ndërkombëtare aq edhe irrituese, interesimi zvogëlohet edhe më shumë.
aussi Femmes fortesI dërguari i tashëm i BE-së për dialog, Peter Sorensen, ka thënë se nuk ka afate për përmbylljen e dialogut. Më duket se është hera e parë në 15 vjet që dikush nga BE-ja e thotë këtë. Deri tash kemi dëgjuar se “nuk ka kohë për të humbur“, se “normalizimi gjithëpërfshirës duhet të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur“ e deri tek ambiciet se “dialogu duhet të përmbyllet brenda muajsh e jo vjetësh“. Tash kur në dialog dhe rreth dialogut pothuajse nuk ka fare zhvillime nga ndërmjetësi i BE-së dëgjohet se nuk ka as afate. Kjo dëshmon se as në BE nuk ka një qëndrim konsistent rreth dialogut dhe se as BE-ja nuk e di se çfarë të bëjë me këtë proces të dështuar.
Zyrtarët e BE-së e kanë humbur edhe zgjuarsinë për të zbuluar formulime të reja gjuhësore rreth dialogut dhe vetëm përsërisin se si “progresi në dialog është parakusht për rrugëtimin përkatës evropian për të dyja palët“. Apo se “Marrëveshja është ligjërisht obliguese edhe pse nuk është nënshkruar“. Kësaj ia shtojnë se “janë në kontakt të vazhdueshëm me palët“ dhe se “përfaqësuesja e lartë mbetet e gatshme të organizojë takim në nivel të lartë kurdo që palët të jenë të gatshme“. Nuk ka qëllim të qartë, nuk ka gatishmëri nga palët, tash nuk ka më as afate kohore. Kjo vetvetiu më së miri tregon se në cilën fazë tash është dialogu.