Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

Pourquoi le dernier match du Kosovo contre Israël était-il inhabituel ?

Kosova

Kosova ka luajtur dy ndeshje me Izraelin në të kaluarën. Ndeshjet i takuan kualifikimeve për Euro 2024.  Më 25 mars 2023 në Tel Aviv, në praninë e 29 mijë shikuesve, Kosova mori pikë duke barazuar 1:1 me Izraelin. Ndeshja i takoi xhiros së parë. 

Takimi në Prishtinë është dashur të luhet më 15 tetor 2023. Por u shty për 12 nëntor për shkak të luftës që nisi në Lindjen e Mesme. 

12 nëntori nuk ishte termin i lirë i FIFA-s për ndeshje ndërkombëtare. Dhe sfida ishte plotësisht e pazakontë. Në praninë e vetëm 5200 shikuesve, Kosova fitoi 1:0 me golin e Milot Rashicës në minutën e 41-të. 

Ishte vetëm fitorja e dytë e “Dardanëve” në atë cikël kualifikues, që u karakterizua me plot pesë barazime. Ndonëse mblodhi 11 pikë, Kosova ishte e parafundit në grup. Prapa e la vetëm Andorrën. Rumania, Zvicra, Izraeli dhe Bjellorusia ishin më lart se Kosova në tabelë.

Ndeshja në “Fadil Vokrri” ishte e para për Izraelin pasi nisi lufta në Lindjen e Mesme. Kishte masa të rrepta të sigurisë rreth stadiumit dhe jo vetëm. Ishte e diel dhe në ligat evropiane kishte xhiro të rregullt. Kjo bëri që jo të gjithë lojtarët të mund të grumbullohen me Kosovën. Vetëm Mallorca e Vedat Muriqit kishte shtyrë ndeshjen kampionale për shkak të grumbullimit të tij me Kosovën. Kosovës i munguan kapiteni i atëhershëm, Amir Rrahmani, pastaj Edon Zhegrova, Arbër Zeneli, Betim Fazliji dhe disa të tjerë.

Para ndeshjes, FFK-ja lëshoi një deklaratë ku sqaronte një deklaratë që Muriqi kishte dhënë lidhur me “policët nga Izraeli”.

Muriqi udhëhoqi sulmin, ndërsa pas tij luajti Milot Rashica. Aro Muriq ishte në portë, ndërsa Lumbardh Dellova, Fidan Aliti e Ilir Krasniqi luajtën në qendër të mbrojtjes. Në krahë ishin Lirim Kastrati e Bernard Berisha, kurse startuan edhe Florian Loshaj, Qëndrim Zyba e Florent Muslija. Selektor ishte slloveni Primozh Gliha.

Të përzgjedhurit e Glihas shkëlqyen në fushën shumë të rënduar dhe të mbushur me lloç. Krijuan shumë raste, por edhe shpërdoruan shumë. Muriqi pësoi lëndim në pjesën e dytë, ndërsa lojtarët e rinj arsyetuan besimin. 

“Secila situatë në futboll është normale. Duhet të gjesh zgjidhje për të luajtur ose të qash. Kishim shumë shanse, por fusha është kjo që është. Kosova ka lojtarë për të ardhmen. Secila ndeshje është specifike”, deklaronte Gliha.

Pos shiut dhe fushës së keqe, atë ndeshje të pazakontë e rënduan edhe masat shumë të rrepta të sigurisë. Në stadium dhe rreth tij ishin qindra policë, me uniformë e rroba civile. Kishte pjesëtarë të sigurisë edhe në objektet e larta përreth stadiumit. Kishte fishkëllima kur u thirrën emrat e lojtarëve të Izraelit. Edhe më të mëdha ishin fishkëllimat kur u intonua himni i Izraelit. 

Pas ndeshjes, gjendja e fushës në “Fadil Vokrri” u bë temë. Kishte komunikata nga Komuna e Prishtinës dhe FFK-ja. Tek Izraeli shprehën habinë se si u pranua ajo fushë për ndeshje. Një gazetar izraelit e quajti Kosovën “ekip mediokër”, ndonëse festa në fund ishte për “Dardanët”.

Kosova luan sërish me Izraelin, të enjten. Këtë herë ndeshja e edicionit të pestë të Ligës së Kombeve, përkatësisht e Ligës B, zhvillohet në Debrecen të Hungarisë. Izraeli është vendas, por e organizon në vend neutral ndeshjen.

Në “Fadil Vokrri”, Kosova e pret Izraelin më 14 nëntor.