Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

À mi-parcours des matchs – le Kosovo compte quatre points et de nombreuses inconnues.

Kosova

Formacioni “eksperimental” i Kosovës nuk shfaqi lojën që shpresohej. Kosova u mbijetoi disa sulmeve të rrezikshme të Izraelit për barazim pa gola të enjten mbrëma në Debrecen të Hungarisë. Më shumë u vlerësua pikë e fituar, se dy pikë të humbura. 

Kjo, ndër të tjera, dëshmon që paraqitja nuk ishte më e mira. Kishte lëshime në mbrojtje, sidomos pas topave të gjatë të kundërshtarit, koordinim jo të duhur në mesfushë dhe lojë thuajse të parrezikshme në sulm. Vetëm në minutat e fundit, pas zëvendësimeve të bëra nga Franco Foda, kishte më shumë energji te “Dardanët”.

Ndeshja me Izraelin në udhëtim, përkatësisht në Hungari, ishte e treta e Kosovës në edicionin e pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kosova për herë të parë po luan në Ligën B, që është niveli i dytë i Ligës së Kombeve. Dhe pas gjysmës së ndeshjeve në këtë kampanjë, duket që Kosova edhe i takon këtij niveli aktualisht. 

Gjysma e fushatës ka dëshmuar që Kosova megjithatë nuk ka shumë lojtarë të nivelit të lartë në përbërje. Po ashtu që lojtarët startues vështirë zëvendësohen nga ata që janë në stol. Dhe që ligat ku luajnë lojtarët dhe hapësira e tyre, kanë ndikim direkt në paraqitjen te Kosova. Nuk është njëjtë si të luash në Austri, Ukrainë dhe Turqi dhe si të luash në Bundesligë apo në Serie A. 

Kosova aktualisht nuk ka shumë lojtarë në top-ligat evropiane. Dhe një pjesë e mirë e tyre aktualisht kanë pak hapësirë. Këtë e ka theksuar edhe selektori Foda pas barazimit pa gola me Izraelin. Sipas Fodas, lojtarët që nuk luajnë shumë në klube nuk e kanë forcën dhe ritmin e duhur.

“Valmir Matoshi ka pasur ndeshje të mirë në mesfushë. Dion Kaçuri ishte gjithashtu në qendër. Ai luajti për herë të parë në atë nivel dhe ishte shumë i mirë. Në pjesën e dytë ndryshuam ekipin. Luajtëm 3-4-3. Sidomos me hyrjen e Milot Rashicës dhe Edon Zhegrovës morëm energji të re. Por ka lojtarë që kanë luajtur pak në klubet e tyre. Albion Rrahmani e Fisnik Asllani kanë luajtur pak. Kjo vërehet. Është normale. Nëse luan vetëm disa minuta në klub për javë dhe muaj, pastaj duhet të luash 70-80 minuta në Kombëtare, nuk është e njëjta gjë”, ka thënë Foda pas ndeshjes.

Ndeshja me Izraelin bëri të qartë, edhe një herë tjetër, se pa Vedat Muriqin në qendër të sulmit, Kosova nuk e ka forcën e njëjtë ofenzive. Me Izraelin mungoi edhe e gjithë mesfusha dhe lojtarët e krahut. Dhe ndoshta Asllani e Rrahmani nuk u shërbyen sa kanë shpresuar. Në përgjithësi izraelitët shfaqën më tepër, ndonëse vrulli i fundit të ndeshjes la ndjenjë tjetër. 

Janë bërë edhe shumë pyetje për zgjedhjet e Fodas për formacionin titullar. Por ai ka arsyetuar vendimet. Njëjtë si ndeshjen me Izraelin, gjithë Ligën e Kombeve ai e sheh si mundësi për të eksperimentuar. Synimi i madh është diku tjetër. 

“Jemi në Ligën e Kombeve, por gjithmonë kam theksuar se gjëja më e rëndësishme është kualifikimi në Evropian vitin e ardhshëm. Duam të kualifikohemi në Evropian. Për këtë arsye vendosa t’u jap mundësinë disa fytyrave të reja. Djemtë bënë punë të mirë. Ishte ndeshje e vështirë kundër një ekipi teknikisht të mirë. Natyrisht, nuk kishim luajtur kurrë më parë së bashku me këtë formacion dhe duhet të jemi të kënaqur me barazim”, ka theksuar Foda.

Kosova e nisi kampanjën javën e kaluar me fitore 1:0 ndaj Irlandës në Prishtinë. Të dielën pësoi 3:1 nga Austria në Vjenë. Pra ka bilanc të përgjysmuar nga tri ndeshjet e para. Tani i ka dy ndeshje në shtëpi e një në udhëtim. 

Kohë për shumë analizë nuk ka. Ndeshja me Austrinë luhet menjëherë të dielën nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri”. Dy ndeshjet tjera janë në nëntor. Më 14 nëntor, Kosova e pret Izraelin, ndërsa fushatën e përfundon më 17 nëntor në ndeshjen në udhëtim ndaj Irlandës. 

Në grup udhëheq Austria me shtatë pikë. Kosova e Irlanda i kanë nga katër, ndërsa Izraeli një. Vendi i parë siguron promovimin në Ligën A. Vendi i dytë dërgon në plejof për promovim. Vendi i tretë siguron mbetjen në Ligën B, ndërsa vendi i fundit dërgon në plejof për të shmangur rënien në C. 

Gara mbetet e hapur për të gjitha pozitat. Por tri ndeshjet e deritashme kanë dëshmuar që Kosova ka fond të limituar të lojtarëve cilësorë dhe që secila mungesë ndihet. 

Foda pritet t’iu përmbahet ideve të tij për të gjetur formacionin më të mirë për kualifikimet e rregullta për Evropian që zhvillohen vitin tjetër, me gjithë presionin e shikuesve për fitore e rezultate. Ai tashmë ka provuar thuajse të gjithë që i ka ftuar. Dhe me Austrinë, të dielën, pritet të aktivizojë më të mirët që ka në dispozicion. 

Është e qartë që aktualisht Kosova nuk e ka nivelin që e kishte në ndeshjet me Suedinë e Slloveninë në kualifikimet e kaluara, apo edhe me Sllovakinë në plejof. Por është e rëndësishme që ekipi më i mirë i mundshëm të shfaqet në kualifikim, jo në Ligën e Kombeve.