Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë lënduar nga një zjarr që shpërtheu të shtunën në një termocentral në jug të Irakut. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të jetë më i madh.
Ekipet e mbrojtjes civile arritën ta vënë nën kontroll zjarrin në termocentralin Hartha, në veri të qytetit të Basrës, pasi zjarrfikësit ndërhynë në vendin e ngjarjes, raportoi agjencia shtetërore irakiane e lajmeve INA.
Sipas zyrtarëve të sigurisë, zjarri u përhap edhe në shtëpitë përreth, duke detyruar ndërprerjen e punës në termocentral, raporton Reuters.
Zjarri shpërtheu rreth orës 6:00 të mëngjesit. Shumica e të lënduarve janë banorë të shtëpive që u përfshin nga zjarri, të cilët kanë pësuar djegie ose janë helmuar nga tymi, bëri të ditur Qendra e Informacionit të Sigurisë në Irak.
Ministria irakiane e Energjisë Elektrike njoftoi se incidenti përfshiu një tubacion gazi që furnizonte termocentralin.
Kryeministri Ali al-Zaidi urdhëroi nisjen urgjente të një hetimi për shpërthimin, me qëllim përcaktimin e shkaqeve dhe identifikimin e përgjegjësve, njoftoi zyra e tij.
Termocentrali Hartha ka kapacitet prej 800 megavatësh, por para zjarrit funksiononte me rreth 400 megavatë, sipas zyrtarëve të sigurisë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare për shkakun e incidentit apo përmasat e plota të dëmeve.
Infrastruktura energjetike e Irakut prej kohësh përballet me probleme, si pasojë e investimeve të pamjaftueshme ndër vite, mirëmbajtjes së dobët dhe pamundësisë për të përballuar kërkesën e lartë për energji elektrike, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës.
Zjarret dhe defektet teknike në nënstacione dhe objekte të prodhimit të energjisë kanë shkaktuar edhe më parë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në pjesë të ndryshme të vendit.