Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Zelensky se félicite de l'implication de l'Europe dans les pourparlers de paix entre la Russie et l'Ukraine.

Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mirëpritur zotimin e të dërguarve amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, për përfshirjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) në raundin e ardhshëm të bisedimeve për paqe me Rusinë.

Udhëheqësit evropianë kanë shprehur shqetësime gjithnjë e më të mëdha për sigurinë e kontinentit, ndërsa Zelensky tha se përfshirja e tyre në negociata do t’i mundësonte BE-së të ketë zërin e vet në diskutimet për përfundimin e luftës, raporton BBC.

Kushner dhe Witkoff u takuan me Zelenskyn të enjten në mbrëmje, në Dublin, gjatë një dite intensive të përpjekjeve diplomatike. Më herët gjatë ditës, ata ishin takuar në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili deklaroi se qëndrimi i Rusisë për luftën dhe kërkesat e saj territoriale mbeten të pandryshuara.

Takimet u zhvilluan pas bisedimeve të javës së kaluar në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa ndonjë përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.

Megjithatë, të enjten, Rusia dhe Ukraina u pajtuan për një tjetër shkëmbim të të burgosurve. Ky pritet të jetë shkëmbimi më i madh që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Kushner tha se marrëveshja do të mundësojë kthimin e mijëra njerëzve pranë familjeve të tyre, por nuk dha detaje të tjera për numrin e të burgosurve që do të shkëmbehen apo kohën kur do të realizohet ky proces.

Zelensky ka kërkuar prej vitesh që përfaqësuesit evropianë të jenë pjesë e bisedimeve të paqes. Sipas tij, kjo është e rëndësishme edhe për shkak të synimit afatgjatë të Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE.

Të enjten, Kushner tha se Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar shumë ngushtë me vendet evropiane gjatë muajve të fundit dhe se ky bashkëpunim ka qenë i rëndësishëm.

Ai shtoi se gjatë takimit me Putinin kishte theksuar rëndësinë e përfshirjes së përfaqësuesve evropianë në tryezën e negociatave.

“Putini është i gatshëm t’i japë një mundësi kësaj ideje”, tha Kushner.

Ukraina dhe vendet evropiane kanë shprehur prej kohësh shqetësime për angazhimin e administratës aktuale amerikane ndaj sigurisë së Evropës, si dhe për qëndrimin gjithnjë e më të afërt të Uashingtonit me Kremlinin.

Ndërkohë, Moska ka kundërshtuar vazhdimisht përfshirjen e evropianëve në negociata, ndonëse vendet e BE-së kanë argumentuar se ato duhet të kenë rol qendror në çdo marrëveshje që do të përcaktojë të ardhmen e sigurisë në kontinent.

Më herët të enjten, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha në një intervistë për BBC-në se gatishmëria për të përfshirë një përfaqësues evropian në bisedime tregon se Kremlini tashmë e ka kuptuar se Evropa është një aktor i rëndësishëm.

Megjithatë, Kallas shprehu dyshime se Rusia po bën përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje paqeje.