Qindra mijëra persona pritet të marrin pjesë në protestat që do të zhvillohen në të gjithë Francën të enjten, ndërsa sindikatat e punëtorëve kanë bërë thirrje për një grevë mbarëkombëtare, ku pritet të përfshihen punonjësit e spitaleve, kontrollorët e trafikut ajror, punonjësit e postës, mësuesit dhe personeli hekurudhor.
Muajt e fundit të mandatit të presidentit Emmanuel Macron po vazhdojnë të shoqërohen nga kriza të brendshme. Nxënësit e shkollave të mesme, të cilët protestojnë kundër kushteve të këqija të mësimdhënies, janë bashkuar me punëtorët në protestat javore kundër rritjes së kostos së jetesës.
Ndërkohë, qeveria po has vështirësi në miratimin e buxhetit në një parlament të përçarë politikisht, ndërsa borxhi publik po i afrohet nivelit prej 120% të prodhimit ekonomik të vendit.
Në prag të grevës të së enjtes, katër sindikatat kryesore të hekurudhave në Francë deklaruan se shkurtimet buxhetore të propozuara nga qeveria do të "thellojnë varfërinë.
Në mes të protestave të ripërtërira, të përqendruara te kostoja e jetesës, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe problemet e sistemit arsimor, kandidatja e së djathtës ekstreme dhe kundër imigracionit, Marine Le Pen, po regjistron mbështetje të lartë në sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, kur do të zgjidhet pasuesi i Macronit.
Nxënësit e shkollave të mesme po vazhdojnë bllokimin e institucioneve arsimore, duke protestuar kundër mbipopullimit të klasave dhe ndërtesave të amortizuara. Ata thonë se masat e propozuara nga qeveria, përfshirë kufizimin e numrit të nxënësve në disa klasa dhe dhënien e kredive për autoritetet rajonale për riparimin e shkollave, nuk janë të mjaftueshme.
Edhe studentët universitarë u janë bashkuar protestave, duke bllokuar disa fakultete.
Sindikatat e punëtorëve nga i gjithë spektri politik janë bashkuar në thirrjen për greva kundër rritjes së kostos së jetesës. Në greva do të marrin pjesë edhe sindikatat e mësuesve të shkollave private, krahas atyre të shkollave publike.
Organizatat për të drejtat e njeriut protestuan kundër asaj që e cilësuan si prani të tepruar policore dhe një përpjekje "autoritariste" të qeverisë së Macronit për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Liga Franceze për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se po ndodh një "zhvendosje autoritariste", me synimin për të heshtur "çdo zë kundërshtues", ndërsa qeveria ka shtuar praninë policore dhe autoritetet kanë vendosur kufizime për protestat në qendrat e qyteteve, si dhe orë policore në zona të caktuara.
Operatori kombëtar hekurudhor SNCF ka njoftuar se do të ketë "çrregullime" në qarkullimin e trenave në linjat rajonale dhe në disa pjesë të zonës së Parisit të Madh.
Punonjësit e porteve paralajmëruan për ndërprerje të aktivitetit në portet franceze. Ndërkohë, ministria e Arsimit ka thënë se pret që gati 18% e mësuesve të kopshteve dhe shkollave fillore t'i bashkohen grevës.
Sindikatat kanë deklaruar se presin që në grevën e së enjtes të marrin pjesë edhe mësuesit e shkollave të mesme.