Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Des supermarchés à travers l'Europe victimes de cyberattaques

Supermarchés

Kompanitë Ahold Delhaize dhe Colruyt njoftuan të hënën se një incident në sistemet informatike gjatë natës kishte prekur frigoriferët dhe ngrirësit në dhjetëra dyqane në Belgjikë dhe Luksemburg, ndërsa kompanitë suedeze të shitjes me pakicë të ushqimeve, ICA dhe Coop, raportuan rritje të ngjashme të temperaturave. 

Incidentet vijnë pas një sulmi në Francë muajin e kaluar, gjatë të cilit, sipas policisë, hakerët morën nën kontroll njësitë ftohëse në qindra supermarkete, duke rritur temperaturat deri në 50 gradë celsius dhe duke shkaktuar zjarre dhe humbje të produkteve ushqimore.

Muajin e kaluar, Ahold raportoi gjithashtu një incident të sigurisë kibernetike në policinë holandeze, pasi kishte zbuluar aktivitet të dyshimtë në infrastrukturën e saj informatike.

Të hënën, rrjeti i supermarketeve Delhaize vuri re rritje të temperaturave në sistemet e ftohjes, ka thënë zëdhënësja e kompanisë, Sarah De Meester. Kompania po heton incidentin.

Stephan Moelans, drejtor ekzekutiv i kompanisë belge të ftohjes Sabcobel, e cila operon sistemet e Delhaize, i ka thënë agjencisë së lajmeve Belga se bëhej fjalë për një sulm kibernetik, gjatë të cilit avulluesit e njësive ftohëse ishin kaluar në modalitetin e shkrirjes së akullit. 

Një zëdhënës i Colruyt Group, që operon dyqanet Spar në Belgjikë përmes një sistemi ekskluziviteti, ka thënë se sistemet e frigoriferëve në pesë dyqane ishin sulmuar.

Nga frigoriferët dhe sistemet e ngrohjes deri te kamerat e sigurisë dhe rrjetet e alarmit, një numër gjithnjë e më i madh pajisjesh që dikur funksiononin kryesisht në mënyrë mekanike, tani mund të monitorohen dhe kontrollohen nga distanca, duke krijuar mundësi të reja për kriminelët kibernetikë.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kush mund të ketë qenë përgjegjës për incidentet e muajit të kaluar. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Suedisë, John Billoë, i ka thënë Reuters se institucioni po merret me disa incidente që lidhen me sistemet e ftohjes në dyqanet ushqimore në të gjithë Suedinë.

Një dyqan i rrjetit suedez ICA njoftoi në rrjetet sociale se temperatura e frigoriferëve dhe ngrirësve të tij ishte “hakeruar” gjatë natës dhe ishte vendosur në 50 gradë celsius. Më vonë, dyqani njoftoi se kishte rifilluar punën.

Nga dyqani ICA Baronen në Stokholm, u bë e ditur se të gjithë ngrirësit e dyqanit ishin jashtë funksionit për shkak të një sulmi kibernetik..

Grupi privat i shitjes me pakicë të ushqimeve Coop i ka thënë gazetës suedeze Aftonbladet se gjashtë nga dyqanet e tij ishin prekur nga incidente të ngjashme. 

Edhe një rrjet supermarketesh në Estoni është prekur, pasi temperaturat u vendosën në 50 gradë celsius, bëri të ditur kompania furnizuese e teknologjisë Kitman Coldtech për transmetuesin publik ERR.