Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

La société VV de Pristina soumet le contrat d'éclairage public au parquet.

vv

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një denoncim lidhur me kontratën për ndriçimin publik “Smart”, për të cilën pretendon se ka pasur keqpërdorime dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, së bashku me deputetin e kësaj partie, Ilir Kërçeli, kanë bërë të ditur se denoncimi përmban të gjeturat e tyre lidhur me dallimet e mëdha në çmime ndërmjet dy kontratave për ndriçimin publik, të nënshkruara në një periudhë prej nëntë muajsh.

Sveçla ka thënë se kontrata e parë është nënshkruar në korrik të vitit 2024, ndërsa e dyta në prill të vitit 2025, duke theksuar se dallimet në çmime për pozicione dhe punë të njëjta kanë ngritur dyshime për keqpërdorime.

“Ka të bëjë me dorëzimin e një denoncimi pranë Prokurorisë Speciale, së bashku me Ilir Kërçelin. Ka të bëjë me kontratën për ndriçim publik, ‘Smart’, ku ne jemi të bindur se ka prova dhe fakte të mjaftueshme që bëhet fjalë për një kontratë abuzive, ku është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës. Siç e dini, për ndriçimin publik janë dy kontrata të cilat janë nënshkruar në një periudhë të ngushtë kohore. Kontrata e parë është e korrikut të vitit 2024, ndërsa kontrata tjetër e prillit të vitit 2025, mirëpo ndryshimi për pozicionet e njëjta, për punën e njëjtë, është aq i madh saqë na ka bërë që këtë kontratë ta hetojmë më në thellësi dhe të gjeturat tona i kemi dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale dhe presim që Prokuroria ta zbardhë rastin”, tha Sveçla. Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Ilir Kërçeli, ka deklaruar se në kontratën e dytë ka pozicione ku çmimet janë rritur ndjeshëm krahasuar me kontratën e parë.

Ai ka përmendur shembuj të pozicioneve që, sipas tij, nga 90 euro janë rritur në 300 euro, ndërsa të tjera nga 50 euro në 250 euro.

“Në këtë kontratë ka diferenca të mëdha të çmimeve, në krahasim me kontratën e parë të para nëntë muajve, ka pozicione të cilat nga 90 euro pas nëntë muajve janë rritur në 300 euro, dhe pozicione të tjera nga 50 euro me 250 euro nga kontrata e re. Është shumë e rëndësishme që Prokuroria Speciale t’i hetojë këto dy kontrata, sepse Komuna e Prishtinës paraprakisht e ka pasur një llogaritje se sa mund të jenë çmimet në treg, sepse kanë nënshkruar para nëntë muajve, para se ta nënshkruajnë kontratën e madhe prej 10 milionë euro, me një kompani tjetër, në të cilën ne kemi dyshime se kompania e parë ka përfunduar punimet në kryeqytet, mirëpo është faturuar kompania e cila ka fituar 10 milionë euro kontratën e ndriçimit ‘Smart’. Në të gjitha shtyllat në kryeqytet, ju mund të shihni se aty janë stikersat e kompanisë e cila ka fituar në tenderin e parë, mirëpo është përlyer një kontratë tjetër me 10 milionë euro”, tha Kërçeli.