Qytetarët në Fushë-Kosovë ankohen se po u rrezikohet siguria e tyre, pasi trotuaret po shfrytëzohen si parkingje, duke i detyruar këmbësorët të lëvizin në rrugë. Nga Drejtoria e Inspektoratit në këtë komunë kanë njoftuar se kanë nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike. Por ata thonë se kjo gjendje është si pasojë e mungesës dhe kontrollit të ndërtimeve që janë bërë deri tash në këtë qytet.
Trotuaret në komunën e Fushë-Kosovës janë shndërruar në parkingje për vetura
Qytetarët po detyrohen të lëvizin në rrugë pasi hapësirat e dedikuara për këmbësorë, po shfrytëzohen nga vozitësit për vende parkimi.
Banorët e lagjes “Dardania” në Fushë-Kosovë ankohen se kjo situatë përsëritet çdo
jour.
Ata thonë se në këtë mënyrë po rrezikohet siguria e këmbësorëve.
“Këtu nuk ka as ligj, as polic, as kurgjo që na detyron. E kalon këtë kerr (bën me shenjë nga rruga), sa është në trotuar e del në rrugë, e lë kerrin sakat për tanë jetën, për tanë jetën i lë fëmijët sakat”, tha një qytetar.
“Na si popull kemi shumë problem me parkingje, shumë. E këtë, komuna as nuk e ka zgjidhur”, tha qytetari.
E vetëm javën e kaluar, Inspektorati ka liruar 173 parkingje publike.
Ndërkaq, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Fushë-Kosovës, Durim Hajra, thotë se problemet me hapësirat publike janë si rezultat i moskontrollit të ndërtimeve.
“Fushë-Kosova, si qytet, është prej qyteteve më të ngarkuara në pjesën urbane. Realisht, kjo rrjedhimisht reflekton edhe në mungesën e hapësirave publike. Tash kjo dihet si rezultat i moskontrollit të ndërtimeve që ka ardhur deri te ky ngarkim i pjesës urbane. Edhe, pra, kemi probleme edhe me hapësira publike, me trotuare, por edhe me parkingje. Drejtoria për Inspektorat, kohëve të fundit, ka filluar implementimin e rregullores së re për shfrytëzimin e hapësirave publike, ku fillimisht kemi nisur këtë aksion me skanimin e gjendjes, sa i përket uzurpimit të hapësirave publike, pastaj me lirimin e tyre. Për zgjidhjen e kësaj problematike, kuptohet, sepse problemi janë pikërisht qytetarët, sepse ne jetojmë në këtë qytet, edhe shohim që ka disa që uzurpojnë, disa që kërkojnë me u liruar ato hapësira”, tha Hajra.
Për sa u përket gjobave nga policia, si masë ndëshkuese, vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti janë shqiptuar tiketa me vlerë gati gjysmë milioni euro.
E rregullorja për Shfrytëzimin e Hapësirave Publike e Komunës së Fushë-Kosovës, parasheh gjobë prej 300 eurosh për personat fizikë dhe 800 euro për persona juridikë që vendosin objekte në hapësira publike pa leje nga organi kompetent.