Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Kurti sur le meurtre d'Arlinda Zekaj : une chaîne systémique d'omissions de la part des institutions

Albin Kurti

Photo de : Driton Pacharada

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se drejtësia në Kosovë shpesh ka dalë në krahun e të fortit, ndërsa ka vlerësuar se vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës dëshmon për një zinxhir lëshimesh institucionale, pavarësisht paralajmërimeve që, sipas tij, nuk morën përgjigje. E mbrëmjen e së martës, është arrestuar i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt, Albert Sylaj

Është arrestuar në Deçan në orët e vona të së martës, Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj. 

E kjo vrasje e ndodhur në Vitomiricë të Pejës, të dielën mbrëma, sipas kryeministrit Albin Kurti, dëshmon për një zinxhir lëshimesh institucionale pavarësisht paralajmërimeve tashmë të të ndjerës.

Ai në mbledhjen e qeverisë të mërkurën ka thënë se drejtimi i drejtësisë në Kosovë është urgjencë kombëtare, derisa ka bërë të ditur se raportet nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme për këtë ngjarje tragjike, i pret deri të enjten në orën 18:00. 

“Secila vrasje është vepër e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë. Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, në fakt nuk kishte se si të përfundonte ndryshe. Dhe kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, ka deklaruar Kurti. 

E në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ka thënë se institucioni që drejton nuk ka mandat t’i trajtojë drejtpërdrejt rastet e dhunës.

“Agjencia nuk ka mandat t’i trajtojë rastet e dhunës, por kjo nuk është që nuk na jep mandat me punu në hartimin e legjislacionit, të instrumenteve, të vetëdijesimit. Për këto i pata në prezantimin tim çka kemi punuar në vetëdijesim dhe çka kemi punuar në ngritje të kapaciteteve”, është shprehur Gucia. 

Ajo ka kërkuar që vëmendje e veçantë t’i kushtohet gjendjes në Qendrat për Punë Sociale. 

“Unë vetëm një rekomandim, vetëm një rekomandim te Qendrat për Punë Sociale. Është çështje emergjente. Qendrat për Punë Sociale duhen me i trajtuar 24 kategori të ndryshme. Janë me staf të limituar, me staf jo profesional, në kuptimin që nuk e kanë drejtimin e duhur, sepse shumë vonë është hapur në Universitetin e Prishtinës departamenti përkatës”.

Arlinda Zekaj është qëlluar për vdekje me sëpatë në shtëpinë e saj.

Tri ditë para se të vritej, nëpërmjet një letre drejtuar Prokurorisë në Pejë, ajo e ka njoftuar institucionin për rrezikun që po i kanoset.