Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

L'Association des municipalités exprime son inquiétude quant au budget 2027 du gouvernement pour les municipalités.

gouvernement

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka shprehur shqetësimin për ndarjen (projeksionin) e buxhetit prej 908 milionë eurosh për komunat për vitin 2027, duke thënë se, pavarësisht rritjes së shumës monetare, pjesëmarrja e nivelit lokal në buxhetin e përgjithshëm të shtetit ka shënuar rënie.

Ibrahimi deklaron për KosovaPress se nga 21.7 për qind sa ishte pjesëmarrja e komunave në buxhetin e vitit 2026, sipas planifikimit për vitin e ardhshëm ajo do të ulet në 21.3 për qind.

Ai ka theksuar se rritja e buxhetit nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes shifrave, por edhe me mundësitë reale për realizimin e projekteve kapitale.

 “Buxheti si shumë monetare ka rritje, mirëpo përqindja e cila ndahet për komuna nga buxheti total i Kosovës ka zbritje. Këtë vit nga buxheti total, komunave u ka dhënë nga 21.7 për qind. Vitin e ardhshëm në bazë të këtij planifikimi buxhetor shihet se ka rënie në përqindje 21.3 për  qind. Loja me fjalë se ka buxhet rekord, duhet shikuar realizimin e tyre në praktikë dhe fuqinë monetare të projekteve që zbatohen me këtë buxhet. Duhet marrë parasysh se qeveria ka paraparë ngritjen e koeficientit për paga mujore, gjithashtu ajo do të ketë ndikim në buxhetin e komunave. Problemi është se niveli qendror nuk po e merr parasysh normën e inflacionit ndër vite, këtë vit në bazë të statistikave norma e inflacionit në disa muaj ka qenë rreth 7 për qind”, ka thënë ai.

Sipas Ibrahimit, ulja prej 0.4 pikësh përqindjeje në pjesëmarrjen e komunave në buxhetin e përgjithshëm përkthehet në dhjetëra-miliona euro. Ai ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit të merren parasysh nevojat financiare të pushtetit lokal, duke vlerësuar se ndarja aktuale nuk është e mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Ibrahimi është ekzekutimi i vendimeve gjyqësore që lidhen kryesisht me kontratat kolektive. Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti komunave u janë marrë rreth 100 milionë euro përmes këtyre vendimeve, duke kërkuar që barra financiare të kompensohet nga niveli qendror.

Ibrahimi ka bërë të ditur se Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka adresuar kërkesë kryeministrit Albin Kurti për një takim me bordin e asociacionit, me qëllim diskutimin e këtyre problemeve. Sipas tij, takimi i fundit me kryeministrin është mbajtur në tetor të vitit 2024, ndërsa ende nuk kanë marrë përgjigje për kërkesën e fundit.

Përveç çështjeve buxhetore, ai ka ngritur shqetësime edhe për moskompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në disa komuna që nga viti 2022, si dhe për humbjen e fondeve nga Bashkimi Evropian.

“Këtë vit përqindja në investime kapitale është jashtëzakonisht e vogël. Marrja e mjeteve padrejtësisht nga kontrata kolektive, ka ndikuar drejtpërdrejt në prishjen e strukturës buxhetore të komunës.. Pasoja e tretë që po vjen nga kontrata kolektive është se komunat nuk po mund të aplikojnë për të marrë mjete shtesë buxhetore nga grandi i performancës. Dëmi është zinxhiror dhe komunave po i kushton me qindra miliona euro. Javën e kaluar e kemi adresuar kërkesë që bordi i asociacionit të takohet me kryeministrin Kurti, t’i ridiskutojë këto probleme, takimi i fundit me Kurtin ka ndodh në tetorin e vitit 2024.Dëmet nga vërshimet ende nuk janë kompensuar në disa komuna që nga vitit 2022, papërgjegjësia e nivelit qendror sa i përket humbjes së fondeve nga Bashkimi Evropian. Ende nuk kemi një përgjigje për takim”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës më 2 nëntor ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027 në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, prej të cilave 908 milionë euro janë paraparë për komunat. Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë si buxhet rekord për pushtetin lokal.